Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 7 muaj burgim të akuzuarin M.B për pjesëmarrje në turmën në Zubin Potok më 30 mars, pasi ai u gjet fajtor për veprën penale të huliganizmit.
Sipas gjykatës, më 30 mars, M.B mori pjesë në turmën prej më shumë se tetë personash, që kryen një sërë veprash penale, sikurse zjarrvënie dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Gjykata tha se kjo turmë dogji dy vetura që kishin regjistrimin RKS – Republika e Kosovës – që ishin në pronësi të V.K dhe D.S.
Të akuzuarit në dënim do t’i llogaritet koha e qëndruar në paraburgim, përkatësisht nga 1 prilli deri më 26 tetor.
Në kohën kur u arrestua M.B, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar se ai ishte kishte qenë pjesë “aktive e strukturës kriminale ‘Mbrojtja Civile’”, duke pretenduar se ai më herët kishte sulmuar policinë e Kosovës.
Autoritetet në Kosovë atëbotë akuzuan Beogradin se qëndron prapa djegies së veturave me targa RKS, duke thënë se këto djegie po bëhen në mënyrë që të shkaktojnë frikë te qytetarët. Incidente të ngjashme në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, u raportuan edhe në fundin e vitit 2022.
Çështja e konvertimit të targave nga ato ilegale serbe – me akronime në gjuhën serbe për qytetet e Kosovës – në RKS rriti tensionet në veriun e Kosovës.
Pas rritjes së tensioneve në veri, Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën marrëveshje për targat.
Në bazë të marrëveshjes, Kosova hoqi dorë nga masat ndëshkuese në rast se qytetarët nuk riregjistronin makinat e tyre në RKS, ndërkaq Serbia u zotua se nuk do të lëshojë targa të reja për makinat që qarkullojnë në Kosovë.