Përmbytjet që shkaktuan shirat e furishëm të dielën, dëmtuan shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë në disa komuna të Kosovës.
Istogu, Peja, Vushtrria dhe Juniku janë ndër më të prekurat dhe zyrtarë të institucioneve atje thonë se kanë nisur tashmë të bëjnë vlerësimin dhe sanimin e dëmeve.
Nga kompania e ujësjellësit rajonal “Prishtina” thonë se përmbytjet kanë turbulluar ujin në disa pjesë, duke çuar në reduktime.
“Me qëllim që të ruajmë kualitetin e ujit për pije, jemi të detyruar ta ndërpresim furnizimin me ujë të pijshëm në Fushë Kosovë, në lagjen Kalabria në Prishtinë, në Drenas dhe në Obiliq”, thotë për Radion Evropa e Lirë Arjeta Mjeku, zëdhënëse në këtë kompani.
Sipas saj, furnizimi i rregullt do të rikthehet “në momentin që garantohet cilësia e duhur e ujit”.
Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Istog, Abedin Kabashi, thotë se situata në këtë komunë është më e qetë, por vazhdon të jetë e rëndë në disa zona.
“Deri në orët e vona kemi qenë në terren, kemi pasur ndërhyrje në disa fshatra në luginën e Drinit, ku gjendja ka qenë më e rënduar. Kemi bërë intervenime për të tejkaluar rrezikun e dëmtimeve më të mëdha në ekonomi familjare”, thotë Kabashi për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: Vërshime në disa komuna të KosovësSipas tij, në dy shkolla dhe në një çerdhe të Istogut është ndërprerë procesi mësimor, pasi rrugët që çojnë në këto institucione janë të pakalueshme për këmbësorë.
Tre lumenjtë e kësaj komune, ai i Istogut, Shushicë dhe Kujavç, dolën vende-vende nga shtrati.
Për të shmangur situatat e tilla, Kabashi thotë se shtretërit e dëmtuar të këtyre lumenjve duhet të rregullohen.
Shiu vazhdon
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se reshjet e shiut me intensitet dhe shtrirje të ndryshme territoriale do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë.
Më të theksuara pritet të jenë nëpër disa pjesë të Kosovës, përfshirë: Gjakovën, Junikun, Deçanin, Pejën, Istogun, Klinën, Malishevën, Rahovecin etj.
Në Vushtrri - komunë po ashtu e prekur nga vërshimit - drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Maliq Ferizi, thotë se situata është vënë nën kontroll.
“Jemi në terren, po vizitojmë banorët që janë prekur nga vërshimet dhe po bëjmë evidentime të dëmeve. Dëme të mëdha nuk ka. Bodrumet në disa shtëpi janë vërshuar. Shtabi emergjent është në gjendje gatishmërie”, thotë Ferizi për Radion Evropa e Lirë.
Reshjet e shiut rritën edhe nivelin e Lumit Erenik në Junik. Demokrat Ganijaj, drejtor për Shërbime Publike, Inspeksion, Mbrojtje dhe Shpëtim në këtë komunë, thotë se, përveç tjerash, muret mbrojtëse të këtij lumi janë dëmtuar.
“Kemi dëme në infrastrukturë, kemi dëme në Lumin Erenik, muret mbrojtëse të lumit janë dëmtuar si pasojë e vërshimeve, kemi një biznes që është përmbytur nga vërshimet”, sqaron Ganijaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, komuna, së shpejti, do të themelojë një komision për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet.
SHIKONI EDHE: Përkeqësohet situata me përmbytjet në ShqipëriNdërkohë, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës e Kosovës njoftoi se është duke bërë hartat e rrezikshmërisë nga përmbytjet dhe hartimin e planeve për menaxhimin e rrezikut nga përmbytjet dhe thatësira, në mënyrë që, siç tha, në situata të tilla të jenë më të përgatitur.
Ministria u zotua se do t’i përmirësojë kapacitetet parandaluese dhe reaguese në situata të ngjashme.
“Jemi të angazhuar që të marrim masa konkrete përmes investimeve në infrastrukturë”, tha mes tjerash kjo ministri.
Shirat e furishëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë. Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave.
Të fundit të mëdha kanë qenë përmbytjet në korrik në disa komuna të Kosovës, përfshirë Vushtrrinë, Gjilanin, Prishtinën etj.