Policia e Kosovës, deri në muajin korrik ka regjistruar 38 raste të dëmtimeve të objekteve të konfesioneve të ndryshme fetare.
Këto raste, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, janë dëmtime të objekteve fetare ose varrezave, vjedhje dhe shkrime të grafiteve.
Siç thekson Kelani, nga objektet fetare të konfesioneve të ndryshme fetare, më të prekurat nga sulmet e ndryshme, kanë qenë objektet fetare myslimane.
“Gjatë periudhës kohore nga muaji janar deri në korrik 2017 janë evidentuar raste të ndryshme, ku të dëmtuara kanë qenë objekte fetare të konfesioneve të ndryshme fetare”.
“Kështu 21 raste janë evidentuar kur janë atakuar, në ndonjë formë, objektet fetare myslimane; 14 raste janë evidentuar kur janë atakuar, në ndonjë formë objektet fetare ortodokse; si dhe 3 raste janë evidentuar kur janë atakuar, në ndonjë formë, objektet fetare katolike”, bën të ditur Kelani.
Në ruajtjen e trashëgimisë kulturore fetare, sipas zëdhënësit të Policisë, Kelani, janë të angazhuara njësi të veçanta policore.
“Policia ka njësitet e veçanta për ruajtjen e objekteve fetare dhe varësisht nga nevoja e prezencës policore, e bën edhe sigurimin e këtyre objekteve në tërë territorin e Kosovës”, thekson Kelani.
Ndërkohë, raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare për vitin 2016 kishte vënë në pah incidente me karakter fetar, ndonëse aty thuhet që shpesh për shkak të situatës në vend, është e vështirë të ndahen problemet që kanë karakter etnik dhe ato me karakter fetar.
Raporti thekson se Qeveria ka punuar me Bashkësinë Islame të Kosovës për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe ka dënuar dëmtimet e objekteve fetare.
Burim Ramadani, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se ky raport, në përgjithësi, ka vënë në pah disa prej trendëve që ndodhin në këtë fushë.
“Problemi kryesor mbetet ndikimi dhe përhapja e ndikimit brenda komuniteteve fetare dhe kjo lidhet kryesisht me komunitetin e besimit islam. Edhe në vitet e kaluara, problemet që më së shumti që i prekin në mënyrë të përditshme ideologjitë e ekstremizmit të dhunshëm, janë para së gjithash, brenda komunitetit fetar islam dhe kjo është përcjellë me vite të tëra me incidente të caktuara, kryesisht ndaj imamëve apo teologëve”, thekson Ramadani.
Objektet fetare në Kosovë, janë pjesë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore.
Lidhur me raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për liritë fetare për vitin 2016, përfaqësues të Ministrisë së Kulturës në Qeverinë e Kosovës, thonë se të gjitha sugjerimet, kritikat dhe vërejtjet e këtij raporti, i kanë marrë parasysh, për t’i bërë më pas pjesë të veprimit politik.
Ndue Ukaj nga kjo ministri, thotë për Radion Evropa e Lirë se i kanë rritur investimet në të gjitha fushat e trashëgimisë në Kosovë.
“MKRS-ja ka punuar në shumë fusha që trashëgiminë kulturore të Kosovës, ta ruajë, ta ndihmojë dhe ta promovojë, si vlerë e gjithë banorëve që jetojnë në Kosovë. Buxheti i vitit 2017 në fushën trashëgimisë kulturore është rritur në krahasim me vitin e kaluar. Ne sivjet kemi 3, 125 684 euro, në investime dhe subvencione”, thotë Ukaj.
Megjithatë, sipas tij, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore duhet të ketë përkrahje më të madhe edhe nga komunat.
Kosova e ka strategjinë për mbrojtjen e monumenteve të kulturës dhe monumenteve të tjera të kultit ose të kulturës materiale dhe të asaj shpirtërore.
Sipas kësaj strategjie, trashëgimia kulturore, në dhjetë vjetët e ardhshëm, do të jetë shtyllë e rëndësishme e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
Strategjia Kombëtare për Trashëgimi Kulturore 2017-2027 është një strategji gjithëpërfshirëse e Qeverisë së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore, e cila, siç thuhet, synon avancimin e sistemit dhe të mekanizmave për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Kosovës, në përputhje me kornizën ligjore, parimet dhe standardet ndërkombëtare, si dhe mbi bazën e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe kulturor.