Dekada për t’i rikuperuar dëmet nga zjarret

Zjarret në rajonin e Pehçevës në Maqedoni të Veriut më 5 gusht 2021.

Zjarret që shpërthyen në javët e fundit në Maqedoninë e Veriut janë shuar përpos një vatre të zjarrit që ka shpërthyer në fshatrat Rahoviq dhe Bukoviq në Komunën e Sarajit, në afërsi të Shkupit. Megjithatë, autoritetet thonë se po ndjekin nga afër situatën pasi ka rrezik që disa vatra zjarri të riaktivizohen.

Drejtoresha e ndërmarrjes publike “Pyjet Nacionale”, Juliana Nikollova, thotë për Radion Evropa e Lirë se pas shkuarjes së zjarreve, ekipet e specializuara të kësaj ndërmarrjeje, kanë dalë në terren për të bërë vlerësimin e dëmeve.

“Pas përfundimit të shkuarjes së zjarreve, ekipet tona dalin në terren dhe konstatojnë dëmet e shkaktuara, si në aspektin material ashtu edhe në atë financiar. Këtu kemi të bëjmë me verifikimin e gjendjes faktike pas së cilës do të bëhen vlerësimet dhe do të ndërtohet strategjia e veprimit për gjelbërimin e këtyre pyjeve”, thotë Nikollova.

Your browser doesn’t support HTML5

Maqedonia e Veriut përballet me zjarre

Në raportin vjetor të vitit 2020 të kësaj ndërmarrjeje, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 102 zjarre, që kanë përfshirë 1.233 hektarë tokë dhe kanë shkaktuar dëme në vlerë prej 1 milion e 300 euro.

Ndërkaq, në vitin 2019, sipas ndërmarrjes “Pyjet Nacionale”, në shtet kishin shpërthyer 402 zjarre, duke përfshirë një sipërfaqe prej 15.675 hektarë e duke shkaktuar dëme në vlerë prej 13 milionë eurosh.

Rrezikohet ekzistenca e banorëve në fshatrat rreth pyjeve të djegura

Qytetarët që jetojnë në fshatrat ku janë djegur pyjet, thonë se për ta mbijetesa po bëhet pothuajse e pamundur, pasi nga hapësirat pyjore ata sigurojnë ekzistencës.

Damir Sokollovski, nga rajoni i Maleshevisë, që ishte përfshirë nga zjarret, thotë se djegia e drunjve të lartë, kryesisht pishave, për shumë vite do të pamundësojë që të kultivohen shumë produkte shëndetësore, që përdoren për shërimin e organeve të frymëmarrjes, nga çka, sipas tij, shumë banorë lokalë siguronin mbijetesën.

“Gjithçka u shkretua. Për një çast u dogj e gjithë hapësira mbi fshat. Ne me gjenerata kemi jetuar me atë që na ofronte mali. Tani s’kemi asgjë. Nuk e di se si do t’ia bëjmë”, thotë Sokollovski.

Ndërkaq, organizatat joqeveritare që merren me mbrojtjen e mjedisit, thonë se gjatë verës është e zakonshme që të shpërthejnë vatra të zjarrit, por shtojnë se mungesa e kapaciteteve të autoriteteve për ta përballuar situatën me zjarre, ka bërë që hapësirat e djegura pyjore, të jenë shumë më të mëdha.

SHIKONI EDHE: Maqedonia e Veriut shpall gjendje krize

Nga organizata “Eco GUERRILA” thonë se tani sfidë është pastrimi i hapësirave të djegura. Sipas kësaj organizate, pastrimi duhet të bëhet sa më shpejt dhe të mbillen fidanë të rinj, që të bëhet gjelbërimi i pyjeve.

“Është shumë me rëndësi që pjesët e dëmtuara të pyjeve, si pasojë e zjarreve, të pastrohen menjëherë dhe toka të përgatitet për mbjelljen e fidanëve të rinj. Në të njëjtën kohë, duhet investuar në teknologjinë që parashikon dhe alarmon shpërthimin e zjarreve në kohë reale. Kjo lloj teknologjie tashmë është aplikuar në shumë vende dhe falë saj, hapësirat e djegura janë shumë më të vogla pasi reagohet shpejt dhe në kohë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianti Xhaferi, drejtues i organizatës “Eco GUERRILA”.

Dekada deri në rikuprimin e dëmeve nga zjarret

Emri Murati, ligjërues i lëndës së diversitetit në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se dëmi që kanë shkaktuar zjarret është shumë i madh. Sipas tij, do të jetë e pamundur që të rikthehet shumëllojshmëria e drunjve në hapësirat e djegura pyjore.

“Për t’u rritur drunjtë gjetherënës dhe ata jogjetherënës, në një lartësi prej 25 deri 30 metra, duhen 40, 50 apo 60 vjet. Që të kthehet hapësira e djegur e pyjeve në gjendjen e mëhershme, nevojiten të paktën 40 vjet. Pra, 40 vjet ne do të kemi pyje të zhveshura”, thotë Murati.

Ambientalistët gjithashtu theksojnë se në Maqedoninë e Veriut problem paraqitet edhe mungesa e të dhënave sa i përket gjendjes së pyejeve, përkatësisht përbërjes së tyre dhe bio-diversitetin. Ata thonë se zhvillimi ekonomik i një vendi mund të sigurohet përmes ruajtjes dhe përdorimit të qëndrueshëm të pasurive natyrore, ku bëjnë pjesë edhe pyjet.