Demarkacioni procedohet në Kryesinë e Kuvendit

Foto nga arkivi

Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike i ka rekomanduar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ta dërgojë në seancë për shqyrtim, Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit të Kosovës me Malin e Zi.

Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin shtetëror në mes Kosovës dhe Malit të Zi është diskutuar tani e sa kohë në komisionet parlamentare.

Komisioni i ri Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, në prezantimet e tij, në vazhdimësi pati sjell dokumente dhe fakte ekzistuese në lidhje me shënjimin e vijës së kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Anëtarët e këtij komisioni patën ripërsëritur se ish-komisioni kishte bërë punë joprofesionale dhe se ka pasur parregullsi të komisionit paraprak. Ata kishin deklaruar se nga të gjeturat e tyre, vija kufitare është bërë keq.

Në një prezantim të tyre, ky Komision kishte theksuar se janë bërë edhe falsifikim i dokumenteve nga ish-komisioni për të cilën Prokuroria e Shtetit është duke hetuar këto pretendime.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, Vjosa Osmani ka thënë se do të shkohet në Kryesinë e Kuvendit, pa dhënë ndonjë rekomandim për votim për apo kundër kësaj marrëveshjeje.

“Zgjidhja më e mirë është që të shkohet dhe t’i rekomandohet Kryesisë së Kuvendit që ta dërgojë në seancë për shqyrtim. Po ashtu, meqenëse Komisioni ka thënë se do ta dërgojnë edhe raportin përfundimtar, jo atë preliminar, do të sqarohen gjërat para seancës”, thotë Osmani.

Elmi Reçica, anëtar i komisionit nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë se do të duhej të rekomandohet mbështetja e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.

“E dimë që është një betejë shkencore dhe politike dhe në këtë situatë do të duhet që të votohen rekomandimet për ta mbështetur Demarkacionin me Malin e Zi, por pasi që nuk ka unitet, duhet që së paku kjo marrëveshje të shkojë në Kryesi pastaj në seancën plenare të vendoset”, thotë Reçica.

Gjatë takimit të këtij Komisioni disa nga deputetët kanë kërkuar që Kuvendit të Kosovës t’i rekomandohet që kjo Marrëveshje e demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi të mos votohet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Visar Ymeri ka theksuar se Komisioni për Punë të Jashtme duhet t’i rekomandojë seancës që të mos ratifikohet Marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Unë e përkrahi propozimin që në këtë Komision të votohet rekomandimi për mosratifikim, me të cilën do ta dërgonim këtë marrëveshje në seancë, sepse ne si Komision kemi qenë më të informuar dhe më të përfshirë, sa i përket kësaj marrëveshjeje në diskutime me Komisionin Shtetëror”.

“Për mua është e qartë se në gjetjet e tyre që ka pasur disa shkelje, që nga tejkalimit të kompetencave të ish-komisionit dhe deri te dyshimet që janë ngritur nga ky komision për falsifikim të dokumenteve”, thotë Ymeri.

Rekomandim për mosratifikim të kësaj marrëveshjeje ka dhënë edhe Zafir Berisha, deputet nga Nisma për Kosovën.

“Tashmë më është vërtetuar se Komisioni i ri qeveritar, se Marrëveshja është mbi bazën e dokumenteve false dhe është vërtetuar se ish-komisioni ka tejkaluar kompetencat. Jam ithtar që të rekomandojmë me votën kundër të kësaj marrëveshje”, tha Berisha.

Më një rekomandim të tillë është pajtuar edhe anëtarja e këtij Komisioni nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj.

Sidoqoftë, kryetarja e Komisionit Vjosa Osmani konsideron se nuk mund të jepet një rekomandim i tillë, i cili në një formë mund të detyronte deputetët të votonin pro apo kundër.

“Përderisa ne nuk e kemi një raport përfundimtar, por e kemi një raport preliminar e cila sidomos sa i përket argumenteve të kontrollit efektiv është duke u plotësuar është me rëndësi që deputetët të kenë lirinë e plotë, sepse pavarësisht që nuk është rekomandimi i këtij Komisioni i detyrueshëm mund të ndikojë”, thotë Osmani.

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej çështjeve më të diskutuara në skenën politike të Kosovës.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Kjo Marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës.

Mungesa e ratifikimit nga Kosova, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Thirrjet ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi datojnë për më gjatë se dy vjet.