Ministria e Jashtme e Rusisë ka konfirmuar më 26 tetor se delegacioni i grupit militant Hamas, e ka vizituar të enjten Moskën, për të diskutuar për situatën në Rripin e Gazës.
“Mund të konfirmoj se përfaqësuesit e lëvizjes palestineze janë duke e vizituar Moskën”, ka thënë zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova.
Ajo ka thënë se edhe zëvendësministri i Jashtëm iranian, Ali Bagheri Kani, e ka vizituar Moskën më 26 tetor.
Sipas mediave ruse, Ria Novosti dhe TASS, në krye të delegacionit palestinez është lideri politik i Hamasit, Abu Marzouk.
Në njoftimin e ministrisë ruse është thënë të jetë diskutuar për lirimin e pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës dhe për evakuimin e të huajve, përfshirë shtetasve rusë.
SHIKONI EDHE: “M’i kthe fëmijët e mi”: Lutja e nënës izraelite për HamasinNë komunikatë është theksuar nevoja për “dhënie fund të armiqësive në dhe rreth Rripit të Gazës dhe ofrimit të shpejtë të ndihmës humanitare në popullsinë e prekur palestineze”.
Diplomatët kanë rikonfirmuar përkushtimin e Moskës dhe Teheranit “që ta vazhdojnë koordinimin në përpjekjet për ta stabilizuar situatën në Lindje të Mesme”.
Hamasi i ka përgëzuar përpjekjet e presidentit rus Vladimir Putin dhe Ministrisë së Jashtme ruse për t’i dhënë fund, atij që e ka cilësuar “krim të Izraelit, që po përkrahet nga Perëndimi”, sipas agjencisë ruse, Ria Novosti.
Ministria e Jashtme izrelite ka reaguar ashpër për këtë vizitë, duke e cilësuar ftesën e zyrtarëve rusë për delegacionin e Hamasit si “të mjerë” dhe ka thënë se organizata është më e keqe se grupit ekstremist Shteti Islamik.
“Duart e zyrtarëve të lartë të Hamasit janë të mbushura me gjak të më shumë se 1.400 izraelitëve që janë vrarë, ekzekutuar dhe djegur, dhe ata janë përgjegjës për marrjen peng të më shumë se 200 izraelitëve, përfshirë foshnja, fëmijë, gra dhe të moshuar”, ka thënë Ministria e Jashtme e Izraelit, përmes një komunikate.
Shqetësimet për pengjet janë rritur pasi një zyrtar i krahut ushtarak të Hamasit, ka thënë se rreth 50 pengje janë vrarë në Gazë, si pasojë e sulmeve izraelite.
Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, mbi 7.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se Uashingtoni e di se një numër i madh njerëzish janë vrarë në Gazë, mirëpo nuk ka konfirmim të saktë të numrave, dhe se nuk iu beson deklaratave të lëshuara nga Hamasi.