Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë shprehur shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet ish-polici i Kosovës, Dejan Pantiq, i arrestuar nën dyshimet për organizimin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Ato kanë argumentuar se Pantiqit po i shkelen të drejtat.
Përmes një njoftimi, këto organizata thanë se nga deklarimet e avokatit mbrojtës të Pantiqit, kanë mësuar se ai ende ndodhet në bazën e Policisë së Kosovës në afërsi të pikëkalimit kufitar të Jarinjës dhe “as avokatët e as familjarët e tij nuk lejohen ta vizitojnë apo të kontaktojnë atë përmes telefonit”.
Institucionet e Kosovës nuk i janë përgjigjur më herët pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se ku po mbahet Pantiqi.
SHIKONI EDHE: Misteri i vendndodhjes së Dejan PantiqitSipas OJQ-ve, ai po mbahet jashtë qendrës së paraburgimit, në ambiente “që sigurisht nuk i plotësojnë standardet e paraburgimit as sipas rregulloreve në Kosovë apo konventave ndërkombëtare”.
“Kushtet e paraburgimit të tij, si dhe pamundësia e kontaktit me familjarët dhe mbrojtësit e tij, paraqesin shkelje të rëndë të të drejtave të tij njerëzore dhe kërkojnë përfshirjen urgjente të institucioneve kompetente në Kosovë, si dhe përfshirjen e misioneve dhe organizatave ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut”, thuhet në reagim.
Nënshkruese të këtij reagimi janë organizatat: Qendra për avokim per kulturë demokratike (ACDC), Forumi për zhvillim dhe bashkëpunim multietnik (FDMC), Qendra humane Mitrovicë, Instituti për zhvillim ekonomik territorial (InTER), Komunikimi për zhvillim të shoqërisë (CSD), Iniciativa e re sociale (NSI), NVO Aktiv, Gracania online, Shoqata e grave afariste Avenija, Qendra për iniciativa sociale dhe Veprimtaria e Partesh Rinore.
Më herët, zyrtarët serbë kanë akuzuar autoritetet në Kosovë se nuk po i ofrojnë trajtim të dinjitetshëm Pantiqit. Policia e Kosovës javën e kaluar hodhi poshtë këto pretendime dhe tha se ai po trajtohet mirë, dhe janë duke “respektuar të drejtat njerëzore që i takojnë personit të ndaluar”.
SHIKONI EDHE: Policia hedh poshtë pretendimet se Pantiqit nuk i janë ofruar barnat e nevojshmeTë njëmbëdhjetë OJQ-të kanë kërkuar nga institucionet, misionet dhe organizatat ndërkombëtare të merren me të drejtat e njeriut të përfshihen në rastin e Pantiqit, që t’i garantojnë atij të drejtat dhe t’i mundësohet që të kontaktojë avokatët dhe familjarët.
“Gjithashtu presim që të angazhohen në përputhje me mandatin e tyre dhe ta vizitojnë Pantiq për t'u siguruar për shëndetin e tij dhe kushtet në të cilat po mbahet”, thuhet në reagim.
Arrestimi i Pantiqit më 10 dhjetor në Jarinjë – një nga pikat kufitare në veri, që lidh Kosovën dhe Serbinë – nxiti disa serbë lokalë që të vendosnin barrikada.
Ndaj Pantiqit, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor, shqiptoi një muaj paraburgim.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se i është kërkuar nga autoritetet në Kosovë që të ndërmjetësojë transferimin e Pantiqit.
“Në linjë me mandatin tonë, misioni po monitoron këtë rast për të vlerësuar se si po trajtohet nga autoritetet e Kosovës. Ne përsërisim se është shumë e rëndësishme që të drejtat e D.P. të respektohen plotësisht në bazë të ligjit”, tha EULEX më 16 dhjetor.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka thënë se në veri të Kosovës janë ngritur nëntë barrikada, që po pengojnë lirinë e lëvizjes në këtë pjesë të Kosovës.
Pas ngritjes së barrikadave, autoritetet kanë mbyllur për qarkullim dy pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak.