Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se duhet të shprehet zhgënjim me sjelljen e Qeverisë së Serbisë, pas ngjarjeve të shtatorit në Banjskë të Zveçanit.
Gjatë një raportimi para Komitetit për punë të jashtme të Parlamentit britanik, Cameron tha se për shkak të sulmit në Banjskë, që ndodhi më 24 shtator, ai qëndroi në Prishtinë më 4 janar, për të parë nga afër situatën.
Në shtator, një grup serbësh të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve, u vranë edhe tre sulmues. Kosova e fajësoi Serbinë për sulmin, por Beogradi mohoi çdo përfshirje.
Përgjegjësinë për sulmin, që Kosova e konsideron terrorist, e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
“Ne duhet të shprehim zhgënjimin në rritje lidhur me sjelljen e Qeverisë serbe. Sigurisht, ne nuk kemi ndryshuar mendim që t’i japim shans Serbisë për integrim euroatlantik. Por, mendoj se ka frustrim për këtë sjellje të tyre dhe ne duhet të jemi të qartë për këtë. Nëse BE-ja dhe SHBA-ja ndajnë këtë zhgënjim, unë nuk e di, duhet t’i pyesni ata. Por, nga bisedat që kam pasur kam ndier se ka zhgënjim sepse Banjska ishte një moment i një rreziku të madh”, tha Cameron.
SHIKONI EDHE: Cameron në Prishtinë thekson rëndësinë e stabilitetit në Ballkanin PerëndimorKryediplomati britanik u pyet se pse Qeveria britanike nuk ka publikuar vlerësimin e saj për ndodhitë në Banjskë. Ai tha se Qeveria britanike e di shumë qartë çfarë ndodhi më 24 shtator në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, duke shtuar se nëse Policia e Kosovës nuk do të arrinte të ndalte grupin e sulmuesve të armatosur, do të mund të kishte një sërë sulmesh të tjera ndaj stacioneve policore e do të vendoseshin barrikada.
“Jam i vetëdijshëm se sa e rrezikshme ishte, prandaj ishte një prej arsyeve që shkova në Kosovë”, tha Cameron duke iu referuar vizitës në Kosovë ditë më parë.
SHIKONI EDHE: Daçiqi e kritikon Cameronin për deklaratën e tij rreth KosovësCameron tha se është koha që të ndryshohet qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor, duke paralajmëruar se Rusia po synon që ta destabilizojë këtë rajon.
“Mendoj se qëndrimi i Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor u krijua para se Rusia të pushtonte Ukrainën. Ne tani duhet të mendojmë shumë lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar, sepse sigurisht Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, të bëjë më shumë përmes bashkëpunëtorëve të saj, përfshirë Serbinë, t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë më pak të sigurta. Prandaj, ne duhet të punojmë për të gjetur mënyra se si ta luftojmë këtë. Mendoj se politika jonë është e ashpër dhe realiste”, tha ai.
Pas sulmit në Banjskë, që u dënua nga shtetet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, autoritetet në Kosovë ekspozuan një sërë armësh të konfiskuara, që thanë se janë të prodhuara në Serbi. Po ashtu, autoritetet thanë se kanë gjetur disa të dhëna për përfshirjen e mundshme të rusëve, në ngjarjet në Banjskë, dyshime të cilat kanë thënë se janë në fazën e hetimeve.
SHIKONI EDHE: Përfshirja ruse në Banjskë, në fazën e hetimeveKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Rusia po synon të ndezë një vatër krize “në oborrin e Bashkimit Evropian”, me qëllim që, sipas tij, të shpërqendrojë NATO-n.
Aleanca ushtarake perëndimore e NATO-s, ndërkaq, ka thënë se siguria në Kosovë është kyçe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe shefi i aleancës, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia e përforcimit të përhershëm të aleancës në Kosovë përmes misionit të saj paqeruajtës, KFOR.