Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ulin tensionet dhe t'i rikthehen dialogut për normalizimin e raporteve.
Bisedat e zyrtarit të lartë amerikan me liderët e Kosovës dhe Serbisë vijnë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.
Zyrtari i lartë amerikan tha se gjatë bisedës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar “sulmin e tmerrshëm” të së dielës dhe ka dënuar dhunën ndaj Policisë së Kosovës.
“Të dyja palët duhet t’i kthehen dialogut që lehtësohet nga Bashkimi Evropian dhe të zbatojnë zotimet e Ohrit”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
Chollet bisedoi për rëndësinë e shtensionimit të menjëhershëm të situatës në veri të Kosovës edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Zyrtari amerikan kërkoi shmangien e veprime “që mund të nxisin më tej tensionet”.
“Humbja tragjike e jetës vë në pah nevojën urgjente për të rivendosur qetësinë dhe për rikthimin në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Chollet.
Më 24 shtator, një grup i maskuar dhe i armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, e cila po tentonte të largonte nga rruga një barrikadë.
Si pasojë e sulmit mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës dhe vazhdoi përleshjen e armatosur me Policinë e Kosovës.
Kjo e fundit tha se gjatë përleshjeve janë vrarë tre sulmues të dyshuar. Ndërkaq, autoritetet kanë arrestuar tetë persona, tre prej të cilëve gjenden në paraburgim prej një muaji.
SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Policisë së Kosovës.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, po ashtu tha se Uashingtoni pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve. Ndërkaq, pas ngjarjeve në Banjskë, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialog, Mirosllav Lajçak, ka thënë se, në ditët në vazhdim, do të përqendrohet në gjetjen e një rruge përpara në bisedime.
SHIKONI EDHE: Sulmi në Banjskë vë në pikëpyetje dialogunKosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksin për zbatimin e saj.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.