Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) është shprehur “thellësisht” i brengosur me dorëheqjet e fundit të policëve të porsaemëruar serbë në veri të Kosovës si pasojë e presionit, dhe tha se është e papranueshme që “dikush, përfshirë edhe aktorët e lidhur me Serbinë, të ushtrojë presion politik ndaj individëve që duan t'i bashkohen” Policisë së Kosovës.
“Policia e Kosovës ofron shërbime jetike për të gjitha komunitetet dhe qytetarët e Kosovës. Ne dënojmë çdo përpjekje për ta minuar diversitetin brenda radhëve të saj”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 23 gusht.
Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë për t’u kthyer në dialog për normalizimin e marrëdhënieve.
Së paku shtatë policë serbë kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës që nga java e kaluar, gjë për të cilën autoritetet kosovare e fajësuan Beogradin zyrtar.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi më 18 gusht se “tashmë ka informacione të konfirmuara se kërcënimet dhe shantazhet vijnë direkt nga Serbia”.
SHIKONI EDHE: Osmani: Numri i policëve serbë të dorëhequr arrin në shtatëBeogradi zyrtar nuk i ka komentuar këto akuza.
Dyzet e gjashtë policë të rinj serbë e nisën punën në veri të Kosovës në fund të korrikut, por ata u përballën menjëherë kërcënime online në rrjetet sociale, të cilat zyrtarët kosovarë dhe bashkësia ndërkombëtare i kanë dënuar ashpër.
Rreth 550 policë serbë në veri - në komunat Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - patën dhënë dorëheqje kolektivisht nga Policia e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Pas dorëheqjeve, autoritetet në Kosovë patën shpallur konkurs për pranim të policëve të rinj, duke i punësuar 74 të tillë. Prej tyre, 46 është raportuar se kanë qenë nga komuniteti serb.
Integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës e parasheh një marrëveshje e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 2013, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Dy vendet janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.