Qeveria e Kosovës nuk e ka përmbushur as nivelin minimal të standardeve për eliminimin e trafikimit me njerëz, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim, thuhet në raportin vjetor të Departamentit të Shtetit lidhur me trafikimin me njerëz në 187 vende dhe rajone të botës.
Megjithëse raporti njeh disa rezultate, siç është rishikimi i Kodit Penal të Kosovës në të cilin riklasifikohen të gjitha veprat e detyruara të prostitucionit si trafikim, si dhe emërimi i një koordinatori rajonal të Prokurorisë, aty theksohet se, megjithatë Qeveria nuk i plotësoi as standardet minimale në disa fusha kyçe.
“U dënuan më pak trafikantë dhe u identifikuan më pak viktima. Gjyqtarët vazhduan të shpallin dënime të ulëta për trafikantët e dënuar”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit.
Raporti përmend faktin se Qeveria e Kosovës uli fondet për strehimore të OJQ-ve për të katërtin vit radhazi, duke detyruar OJQ-të të mbështeten në donatorë të huaj.
SHIKONI EDHE: Kosova ngec në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzoreNë rekomandimet që bëhen në raport sa i përket Kosovës, theksohet se autoritetet duhet të hetojnë, ndjekin penalisht dhe të dënojnë trafikantët si dhe të shpallin dënime të larta, pastaj, të sigurojnë fonde për strehimoret e OJQ-ve.
Departamenti Amerikan i Shtetit, thekson se institucionet e Kosovës duhet të caktojnë prokurorë dhe gjykatës të trajnuar për rastet e trafikimit.
Një çështje tjetër që theksohet si rekomandim është zvogëlimi i rasteve të lëndëve në gjykata, përfshirë rastet e trafikimit me njerëz.
SHIKONI EDHE: Rreth 45 për qind e viktimave të trafikimit në Kosovë, nën moshën 18 vjeçare“Duhet standardizuar mbledhja e të dhënave dhe të krijohet një bazë e të dhënave për statistikat e trafikimin pastaj të ndjekjeve penale dhe dënimeve që ndërlidhen me trafikimin”, thuhet në raport.
Të gjeturat e raportit në nivel botëror janë prezantuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pomepo, i shoqëruar nga Ivanka Trump, këshilltare e presidentit amerikan, Donald Trump.
Sekretari Pompeo theksoi se trafikimi me njerëz nuk është fatkeqësi natyrore, por shkaktohet nga njerëzit.
Fokusi i këtij raporti, sipas Pompeos, është që vendet të luftojnë trafikimin me njerëz brenda kufijve të tyre.
“Ekziston një keqkuptim për trafikimin, sepse thuhet se ai është gjithmonë ndërkufitar. Kjo nuk është çështja. Secili vend duhet ta luftojë këtë dukuri brenda kufijve të vendit”, tha Pompeo duke theksuar se ky është një problem lokal dhe botëror.