Policia në Danimarkë tha se sulmuesi, që hapi zjarr në një qendër tregtare në Kopenhagë të dielën, ka të ngjarë që ka vepruar i vetëm dhe ka zgjedhur viktimat e tij në mënyrë rastësore.
Autoritetet daneze më 4 korrik bën të ditur se sulmuesi po akuzohet për vrasje.
Inspektori i policisë në Kopenhagë, Soren Thomassen, tha më 4 korrik se hetuesit nuk besojnë se sulmi i së dielës ishte i lidhur me terrorizëm.
Ai tha se tre persona janë vrarë – dy danezë, të dy 17 vjeç dhe një shtetas rus, 47 vjeç – ndërkaq, dy danezë dhe dy suedezë kanë marrë lëndime serioze.
Sulmuesi, një 22-vjeçar danez që besohet se ka vepruar i vetëm, ishte i njohur për policinë, por “vetëm në mënyrë periferike”.
Thomassen tha se i dyshuari ishte i njohur nga shërbimet e shëndetit mendor.
“I dyshuari ynë ishte i njohur nga shërbimet psikiatrike, dhe përtej kësaj nuk dua të komentoj më shumë”, tha ai.
Sulmuesi do të qëndrojë në një spital psikiatrik për 24 ditë, njoftuan autoritetet.
Të dyshuarit, i cili është arrestuar të dielën, i janë gjetur një pushkë dhe municion. Ai do të merret në pyetje nga një gjykatës të hënën.
“Danimarka është goditur nga një sulm mizor të dielën mbrëma. Disa u vranë. Ka edhe të plagosur. Familje të pafajshme që kishin dalë për pazar apo për të ngrënë jashtë. Fëmijë, adoleshentë dhe të rritur”, tha kryeministrja e Danimarkës, Mette Frediksen përmes një deklarate të dielën në mbrëmje.
“Dua të inkurajoj danezët që të qëndrojnë së bashku në këtë kohë të vështirë”, theksoi ajo.
Policia në Konpehagë tha se zyrtarët policorë shkuan në qendrën tregtare Field të dielën pasdite pas raportimeve për të shtëna. Në videot e publikuara nga mediat lokale u panë grupe njerëzish duke u larguar me vrap nga qendra tregtare.
SHIKONI EDHE: Disa të vdekur nga të shtënat në një qendër tregtare në KopenhagëMë herët, Thomessen tha se një nga viktimat ishte një burrë në të 40-tat dhe dy të rinj, një burrë dhe një grua. Disa të tjerë janë të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje kritike.
Spitali kryesor i qytetit, Rigshospitalet, të dileën në mbrëmje tha se ka pranuar “një grup të vogël pacientësh” për trajtim dhe se ka thirrur staf shtesë.
Qendra tregtare ku ndodhën të shtënat gjendet rreth 5 kilometra në jug të qendrës së Konpenhagës.
Sulmi i së dielës vjen pas të shtënave vdekjeprurëse javën e kaluar në Norvegjinë fqinje, ku në Oslo u vranë dy persona nga një sulmues i armatosur.
Kërcënimi terrorist ndaj Danimarkës aktualisht vlerësohet se është “serioz” dhe kërcënimi kryesor konsiderohet të jetë nga “militantët islamikë”, thuhet në raportin e fundit të shërbimit danez për siguri dhe inteligjencë. Ndërkaq, kërcënimi nga ekstremistët e krahut të djathtë konsiderohet të jetë në nivel “të përgjithshëm”.
Më 2015, Danimarka ishte përballur me një sulm militant, nga i cili ishin vrarë dy persona dhe ishin plagosur gjashtë policë pasi një sulmues shtiu me armë zjarri jashtë një qendre kulturore ku po mbahej një debat për lirinë e shprehjes. Më vonë, sulmuesi kishte vrarë një person jashtë një sinagoge në qendër të Konpehagës. Më pas, ai ishte vrarë gjatë përleshjes me policinë.