Daljet e pakontrolluara rritën numrin e të infektuarve

Foto ilustruese. Prishtinë, 22 mars, 2020.

Dalja a pakontrolluar e qytetarëve, mosrespketimi i masave të vendosura nga autoritetet shëndetësore në Kosovë, ka rezultuar me rritje të numrit të të infektuarve me sëmundjen COVID-19, vlerësojnë zyrtarë shëndetësorë në Kosovë.

Me 79 raste të reja, Kosova ka regjistruar të dielën rekord të rasteve me koronavirusin e ri që prej se rastet e para u shfaqën në vend.

Më këto shifra, numri total i të infektuarve në Kosovë shkon në 362.

Lidhur me rritjen e numrit të rasteve, zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, thanë se “secila pandemi e ka fillimin e saj, zhvillimin dhe rënien. Kosova është në fazën e zhvillimit të saj dhe është e pritshme që në këtë fazë të ketë numër më të madh të rasteve pozitive”.

Përmes një përgjigje me shkrim për REL, ata kanë kërkuar përgjegjësi të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se “është për keqardhje se dikush ende nuk e ka kuptuar seriozitetin e sëmundjes COVID-19 dhe rrezikun që vendos për jetën e vetë dhe të tjerëve”.

SHIKONI EDHE: Pse testimi është i rëndësishëm për të rrafshuar lakoren e COVID-19?

Rritja e numrit të rasteve të të infektuarve një ditë më parë, sipas infektologut Valbon Krasniqi, është për shkak të ecurisë apo natyrës se pandemisë, por edhe nga mosrespektimi i masave nga qytetarët e vendit.

Krasniqi në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se tashmë Kosova është në fazën kur pret numër më të madh të rasteve.

“Edhe ne si Kosovë kemi hyrë në javën e pestë të epidemisë, sot saktësisht një muaj meqë më 13 mars janë konfirmuar rastet e para. Tashmë ne jemi në periudhën kur presim numër më të madh të rasteve dhe normalisht se kësaj i kontribuojnë edhe sjelljet e qytetarëve, pra mosrespektimi sa duhet i masave dhe i rekomandimeve që janë dhënë gjatë tërë kohës, nga ana e institucioneve shëndetësore, por edhe nga ana jonë si mjekë”, tha Krasniqi.

Humolli: Nëse nuk ka distancim fizik do të ketë rritje të rasteve

Çdo rritje e numrit të rasteve te infektuara më koronavirusin e ri, është pasojë e mos-vetizolimit dhe mosrespektimit të masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës për distancim fizik, thotë Isme Humolli, zyrtare për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Ajo në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se nëse vazhdohet me sjellje të tilla të qytetarëve, ditëve në vijim numri do jetë më i lartë.

“Krejt varet nga sjelljet tona, nëse ne rrimë në shtëpi, izolohemi deri sa të qetësohet situata, numri i rasteve mbetet në nivel të ulët dhe përfundon më shpejtë. Kemi pritur që me respektim të karantinës apo vetizolimit, numri i rasteve të bie nga fundi i muajit prill. Por, si po vazhdohet me sjelljet e qytetarëve, është pak problem të parashikohet fundi”, tha Humolli.

3,256 teste të bëra

Infektologu Valbon Krasniqi, duke bërë thirrje për kujdes dhe vigjilencë, tregon se aktualisht në Klinikën Infektive janë të shtrirë 53 pacientë të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, 43 nga ta janë në gjendje të mirë shëndetësore, 6 janë në oksigjeno-terapi, kurse 3 në gjendje më kritike, të cilët po trajtohen në repartin intensiv në Klinikën Infektive.

SHIKONI EDHE: Kosova nuk mund të prodhojë teste për COVID-19, varet nga importi

Nga hulumtimet e kontakteve të rasteve të personave të infektuar, Krasniqi tha se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike është duke vëzhguar apo mbikëqyrur mbi 4 mijë persona.

Nga 13 marsi kur edhe janë paraqitur rastet e para me të infektuar me koronavirus në Kosovë, janë testuar gjithsej 3,256 mostra, nga të cilët 362 kanë rezultuar pozitivë, 8 persona kanë vdekur, të cilët kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese, kurse 59 pacientë janë shëruar.

Përse numrat nuk e tregojnë rrëfimin e plotë?

Përpilimi ditor që bën Universiteti Johns Hopkins për rastet globale me koronavirus është aktualisht më gjithëpërfshirësi në botë, por mbështetet në informacione që ofrojnë qeveritë.

Në shumë vende ka kufizime të informacioneve të tilla ose arsye përse nuk publikohet rrëfimi i plotë.

Metodologjia, shpejtësia, transparenca dhe cilësia e këtyre të dhënave mund të dallojë shumë nga vendi në vend.

Me qëllim të luftimit të virusit, autoritetet kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik.