Në një “dhomë sekrete” në Kiev, më 13 prill 1993, presidenti i parë i Ukrainës, Leonid Kravchuk, u ul për të drekuar me homologun e tij gjeorgjian, Eduard Shevardnadze.
Teksa pinin supë “borsht” e hanin kuleç “pampushka”, ukrainasi raportohet të jetë rrëfyer se, edhe në mes të korrupsionit të madh dhe krizës ekonomike, “kokëçarjen më të madhe” për të e shkaktonte trysnia nga Uashingtoni për t’ia dorëzuar Rusisë qindra armë bërthamore të prodhimit sovjetik.
Presidenti gjeorgjian uli zërin e tij, duke u pajtuar me nikoqirin. Amerikanët, tha ai, “nuk e kuptojnë historinë e ndërlikuar, tejet të vështirë dhe brutale të marrëdhënieve tona me Rusinë dhe me Bashkimin Sovjetik, apo me perandoritë e tjera”.
Më pas, Shevardnadze dha një ide: Në vend se të çarmatosej krejtësisht, Ukraina duhej ta mbante vetëm një raketë funksionale bërthamore në territorin e saj, “për ta frenuar ndonjë të çmendur”. Në fund të fundit, shtoi presidenti gjeorgjian, “sot ne e kemi ‘demokratin’ [Boris] Yeltsin në Kremlin”, por “kush e di se kush mund të vijë pas tij”.
Ai plan, që ish-ministri i jashtëm i Gjeorgjisë, Tedo Japaridze, pohon në memoaret e tij se e ka dëgjuar, nuk do të realizohej. Në qershorin e vitit 1996, Kievi njoftoi se pjesa e fundit e rreth 2.000 armëve bërthamore të Ukrainës i është dërguar Rusisë.
Në shkëmbim të shkatërrimit apo dorëzimit të armëve bërthamore dhe magazinave të tyre, Kievi mori kompensim në vlerë prej 1 miliard dollarësh dhe ndihma të tjera nga Uashingtoni dhe Moska. Ukraina, po ashtu, mori një zotim të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Rusia – i njohur si Memorandumi i Budapestit – se ajo nuk do të sulmohej kurrë nga ndonjëra prej këtyre fuqive të mëdha bërthamore.
Pas shpërbërjes së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS), Uashingtoni ishte shqetësuar nga “armët e pakontrolluara bërthamore” që tani ndodheshin në duart e disa qeverive të reja të shteteve pas-sovjetike. Shumë frikoheshin se këto armë të shkatërrimit në masë ishin të cenueshme, nga aksidentet, terrorizmi apo edhe tekat e kujdestarëve të korruptuar. Më 1991, SHBA-ja krijoi një program që kishte për detyrë “sigurimin dhe çmontimin e armëve të shkatërrimit në masë, dhe të infrastrukturës së tyre në ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik”.
Likuidimi i armëve bërthamore sovjetike nga programi i financuar nga SHBA-ja ishte proces disavjeçar, i cili u zhvillua kryesisht larg syrit të publikut, me përjashtim të konferencave të herëpashershme për media, në të cilat u shfaq shkatërrimi i raketave. Por, një varg fotografish të jashtëzakonshme, në Arkivat Kombëtare të SHBA-së, hedhin dritë mbi punën që ishte bërë.
Fotografitë u realizuan “për t’i ofruar Departamentit të Mbrojtjes, si dhe publikut, dëshmi vizuale të progresit” në çmontimin e armëve sovjetike, sipas arkivave.
Pamjet e publikuara këtu janë disa prej mijëra fotografive të ruajtura në arkiva, të cilat shfaqin punën e projektit në Ukrainë. Shumica e tyre janë të cilësisë së ulët dhe nuk janë të shoqëruara me përshkrime të detajuara. Në shumë raste, datat që shoqërojnë fotografitë dallojnë dukshëm me ato që duken të shtypura në to. Megjithatë, fotografitë mbeten gjurmë interesante të një procesi që, për të mirë apo për të keq, ndryshoi, pothuajse sigurisht, rrjedhën e shekullit XXI.
Mariana Budjeryn, eksperte në Universitetin e Harvardit, e cila ka shkruar një libër për çarmatimin bërthamor të atdheut të saj, Ukrainës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fotografitë, si kjo më sipër e një Tu-95, theksojnë një aspekt kyç të procesit, që shpesh anashkalohet. “Ajo që harrohet në diskutimet për çarmatimin bërthamor të Ukrainës është se nuk ishte vetëm bërthamor”, shprehet ajo.
Njëzet e shtatë bombardues Tu-95 (më lart) janë shkatërruar në kuadër të programit, bashkë me 11 avionë bombardues supersonikë Tu-160. Njëmbëdhjetë bombardues tjerë strategjikë dhe më shumë se 500 raketa lundruese janë transferuar në Rusi. Disa prej këtyre raketave më pas janë përdorur për ta sulmuar Ukrainën.
Budjeryn thotë se një zyrtar amerikan, i cili ka parë shkatërrimin e aeroplanëve luftarakë strategjikë të Ukrainës, ka përshkruar të ketë parë “burra të rritur, pilotë ushtarakë, duke qarë në pistë, teksa shikonin bombarduesit Tu-160, fringo, të papërdorur për misione apo për stërvitje, duke u copëtuar”.
Senatori amerikan, Richard Lugar, i cili ishte njëri ndër shtytësit kyç të projektit për largimin e armëve bërthamore nga ish-shtetet sovjetike, më vonë ka kujtuar se, në disa raste, sigurimi i banimit ishte pjesë e një oferte për zhvendosjen e raketave.
Lugar i ka treguar një gazetari për një bazë në Bjellorusi, ku “njerëzit që jetonin afër këtyre raketave kishin kushte shumë të mira banimi. Dhe, për të ruajtur ato kushte, ata ishin të gatshëm t’i ruanin raketat”. Senatori e ka përshkruar atë si “një lloj përralle të çuditshme, por, megjithatë, ishte shumë serioze”. Si pjesë e negociatave, ka treguar ai, “për t’i zhvendosur raketat duhej të zhvendoseshin edhe familjet, t’iu ndërtoheshin shtëpi duke tjetër, në një vend jashtë kësaj baze, të cilën donim ta shihnin të mbyllur, për sigurinë tonë”.
Përpjekja e udhëhequr nga SHBA-ja për asgjësimin e armëve bërthamore në Bjellorusi, Kazakistan dhe Ukrainë ishte parë gjerësisht si hap drejt një bote më të sigurt. Më 1996, presidenti ukrainas, Leonid Kuchma, u bëri thirrje vendeve të tjera “ta ndjekin rrugën tonë dhe të bëjnë gjithçka për t’i zhdukur armët bërthamore nga faqja e dheut sa më parë të jetë e mundur”.
Megjithatë, në rastin e Ukrainës, Maria Budjeryn thotë se sot, për shumë njerëz, vështrimi prapa, veçanërisht humbja e avionëve bombardues strategjikë dhe e raketave lundruese të Ukrainës, “duket më shumë triumf i shpresës mbi maturinë”.