Inspektorati i Tregut në Kosovë ka njoftuar se ka mbyllur përkohësisht dy depo të operatorëve ekonomikë në Fushë Kosovë dhe Graçanicë.
Më herët, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se disa operatorë kanë zbrazur dje (9 mars) raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse, sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër.
Ministria ka shtuar se gjendja është nën kontroll dhe nuk ka vend për panik sa i përket produkteve ushqimore esenciale.
Sipas njoftimit, “këto veprime të tregtarëve përbëjnë mashtrim të konsumatorit, praktikë të padrejtë tregtare dhe konkurrencë të padrejtë, dhe se Inspektorati i Tregut po merr masa ndëshkuese dhe çdo veprim tjetër të përcaktuar me ligj”.
Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, si dhe organet tjera kompetente, do të ndërmarrin veprime ligjore penale ndaj të gjithë personave përgjegjës të organizatave të biznesit që ushtrojnë veprimtari ekonomike, të cilët ndikojnë në vënien e çmimeve të padrejta të shitjes së artikujve ushqimorë, siç parashihet me nenin 295 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, ku është paraparë dënimi me burg dhe me gjobë.
SHIKONI EDHE: Ngritje pa kontroll e çmimeveMë 10 mars, një litër vaj është shitur për 3.50 euro - nga më pak se 2.00 euro sa ka qenë dy ditë më parë.
Përveç çmimit të vajit, në tregun e Kosovës ditëve të fundit është ngritur edhe çmimi i bukës, miellit, derivateve të naftës, biletave të autobusëve dhe taksive.
SHIKONI EDHE: Kurti: Çmimi i vajit, artificial dhe i paarsyeshëmÇmimet janë në trend të rritjes gjithandej, për shkak të krizës në tregje që ka shkaktuar pushtimi rus i Ukrainës.