CODA fiton Oscarin për filmin më të mirë

Sian Heder teksa mori çmimin për skenarin më të mirë për CODA. 27 mars 2022.

Drama CODA, që tregon për sfidat e një familjeje të shurdhër, ka fituar çmimin kryesor për filmin më të mirë në ndarjen e Çmimit Oscar.

CODA u bë filmi i parë nga platforma Apple TV+ që fitoi çmimin kryesor të Akademisë së Filmit.

Por, edicioni i 94-të i Oscars u karakterizua me një ngjarje tjetër.

Aktori Will Smith goditi në fytyrë komedianin Chris Rock në skenën e Oscars, pasi komediani bëri një shaka për gruan e aktorit, Jada Pinkett Smith.

Shakaja e Rock ishte një referencë për pamjen e Jada Pinkett Smith, e cila u paraqit në këtë ngjarje me kokë të rruar.

Pasi Smith e goditi në fytyrë Chris Rock dhe i kërkoi që të mos e përmendte gruan e tij, Rock tha se “kjo ishte nata më e mirë në historinë e televizionit”.

Smith më pas kërkoi falje, gjatë fjalimit të tij pasi fitoi çmimin për aktorin më të mirë.

“Dua t’i kërkojë falje Akademisë dhe të nominuarve të tjerë”, tha Smith.

Ky ishte çmimi i parë Oscar i Smith për rolin e tij në King Richard, ku ka portretizuar babanë e dy tenisteve amerikane, Venus dhe Serena Williams.

Jada Pinkett Smith më herët ka folur për rënien e flokëve për shkak të sëmundjes alopecia.

Pas incidentit, Akademia e Filmit tha përmes Twitterit se “nuk pranon dhunën në asnjë formë”.

Ndërkaq, sa i përket çmimeve të tjera, Jane Campion u bë gruaja e tretë që fitoi Çmimin Oscar për regjisoren më të mirë për filmin Power of the Dog.

Jessica Chastain fitoi çmimin për aktoren më të mirë për rolin e saj në The Eyes of Tammy Faye.

Ndërkaq, Troy Kotsur, bëri histori duke u bërë personi i parë i shurdhër që fitoi Oscar, për rolin e tij si aktori më i mirë dytësor në filmin CODA. Ndërkaq, Ariana DeBose, fitoi çmimin për aktoren më të mirë dytësore në filmin West Side Story.

Filmi Dune, i kategorisë fantashkencë, fitoi më së shumti çmime në edicionin e 94-të të Oscars. Ky film fitoi gjashtë çmime në kategori të ndryshme, përfshirë atë për kinematografi dhe montazh.