Çmimi i naftës vazhdon të rritet pavarësisht masave urgjente

Fotografi ilustruese nga arkivi.

Çmimet e naftës janë rritur pavarësisht masave të reja që mëtojnë të stabilizojnë tregjet pas pushtimit rus në Ukrainë.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, ka arritur në 113 dollarë për fuçi, duke shënuar rritjen më të madhe në shtatë vjetët e fundit.

Çmimi është rritur pasi anëtarët e Agjencisë Ndërkombëtare për Energji janë pajtuar për të lëshuar në treg 60 milionë fuçi naftë nga rezervat emergjente.

Shtetet e Bashkuara dhe 30 vende tjera anëtare të kësaj Agjencie kanë thënë se me këtë veprim synojnë të stabilizojnë tregjet.

SHIKONI EDHE: Perëndimi dhe gazi rus: Çfarë duhet të dini?

Rusia është një prej prodhuesve më të mëdhenj të energjisë në botë.

Pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, bota është shqetësuar për ndikimin e kësaj situate në tregjet e naftës dhe gazit.

Çmimet e naftës janë rritur edhe në Shtetet e Bashkuara – 109 dollarë për fuçi.

“Ne jemi të përgatitur për të shfrytëzuar secilin mjet të mundshëm për të shmangur pengesat në furnizimet me energji si pasojë e veprimeve të presidentit rus, Vladimir Putin”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki të martën.

Ajo ka thënë se Uashingtoni do të analizojë mundësi si të shmangë varësinë për energji nga Rusia.

SHIKONI EDHE: Çfarë do të thotë pushtimi i Ukrainës për faturat e energjisë?

Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.