Subvencionimi i rrymës nuk ul çmimin e bukës

Bukë në raftet e një dyqani në Shkup. Dhjetor, 2022.

Qytetarët në Maqedoninë e Veriut kanë shprehur zhgënjim që çmimi i bukës dhe i produkteve të tjera ushqimore nuk është liruar, pavarësisht se zyrtarët kishin deklaruar se me subvencionimin e energjisë elektrike për kompanitë që prodhojnë produktet ushqimore bazë.

“Shumë shtrenjtë është bërë ushqimi. Për familjen time, edhe buka si bukë është e shtrenjtë, veç Zoti na ndihmoftë se nuk dimë çfarë të bëjmë. Thanë se do t’i lirojnë çmimet, po ata veç po rriten”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Asan Ebibi.

Ai thotë se për të plotësuar nevojat elementare të familjes së tij gjashtëanëtarëshe, pas orarit të punës, punon edhe në treg, duke ndihmuar shitësit në bartjen e mallit dhe pastrimin e tezgave.

“Çmimet janë bërë të papërballueshme, ato pak perime që mbeten në tezga i mbledh me dhe to gatuaj gjellë, sa për të kaluar një ditë, që të mos mbetemi të uritur”, thotë ai.

Autoritetet qeveritare maqedonase kishin paralajmëruar se çmimet e produkteve bazë do të uleshin për të paktën 10 për qind, pas vendimit të ekzekutivit për subvencionimin e rrymës për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore.

SHIKONI EDHE: Masat e pasigurta të Qeverisë për energji

Sipas vendimit të Qeverisë maqedonase, të gjitha kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë – sikurse vaj ushqimor, bukë dhe produkte furre, miell, qumësht dhe produkte të qumështit, ato të industrisë së mishit dhe shpezëve – nga 1 dhjetori do të marrin subvencionim prej 80 eurosh për një megavat të shpenzuar të energjisë.

Por, shitësit e shumë dyqaneve, me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë, thonë se pavarësisht paralajmërimeve, çmimet mbeten të pandryshuara.

“Nuk kemi marrë asnjë ndryshim për uljen e çmimeve për asnjë produkt ushqimor. Buka, qumështi, gjithçka është me çmim të njëjtë. Ne po përgatitemi për uljen e çmimeve në janar”, thotë Ivana Jovanovska, shitëse në një nga dyqanet ushqimore në Shkup.

Edhe Irfani, shitës, thitë se qytetarët befasohen kur shohin se çmimi i bukës nuk ka pësuar lirim dhe ende mbetet 50 denarë [0.80 euro].

“Vetëm vaji ka shënuar ulje të çmimit, për 30 deri në 40 denarë [0.50 apo 0.60 euro], përderisa produktet e tjera po shtrenjtohen dita-ditës”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Çmime më të larta për sasi më të vogla

Ministri i Ekonomisë në Maqedoninë e Veriut, Kreshnik Bekteshi, ka thënë se të gjitha kompanitë që kanë përfituar nga subvencionimi i energjisë, duhet të ulin çmimet e produkteve të tyre.

Por, Goran Malishiq nga industria e mullisëve, thotë për Radion Evropa e Lirë se çmimi i bukës do të ulet, por kjo do të ndodhë gradualisht.

“Çmimi i bukës do të ulet, por kjo do të ndodhë në formë graduale duke nisur nga gjysma e dhjetorit”, thotë Malishiq.

Ai shton se ulja e çmimeve do të jetë e dukshme vetëm pas vitit të ri, kur pritet të ulet edhe çmimi i grurit.

Ndërkaq, Rubin Kuzmanovski, i cili menaxhon një fermë të lopëve, thotë se çdo ndihmë nga shteti është e mirëseardhur. Por, sipas tij, çmimin e produkteve nga qumështi nuk i dikton aq shumë çmimi i rrymës, por ushqimi i kafshëve.

“Për ne problem parësor mbetet ushqimi për kafshët në berzën botërore. Edhe përkundër faktit se janë rritur çmimet e produkteve nga qumështi, ne si fermerë që shesin qumështin e papërpunuar, punojmë me humbje”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Marzha tregtare pa efekte në Maqedoninë e Veriut

Për mosrespektimin e vendimit të Qeverisë sa i përket uljes së çmimeve të produkteve bazë, Inspektorati i Tregut ka paralajmëruar se do të forcojë kontrollet dhe do të dënojë tregtarët.