25-vjetori i Çlirimit: Ushtarët dhe policët parakalojnë në Prishtinë
![](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-181c-08dc8adf0104_w1080_r0_s.jpg)
Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, u mbush me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë dhe pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Njësite të ndryshme të këtyre dy organizatave të sigurisë parakaluan për nder të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës, më 12 qershor 2024.
![](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-a90d-08dc8adec01c_w1080_r0_s.jpg)
Skena e përgatitur për parakalimin e njësiteve të FSK-së dhe Policisë, me qytetarë të shumtë të mbledhur për ta shikuar paradën në Ditën e Çlirimit të Kosovës, 25 vjet pas, 12 qershor 2024.
![](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-f4dc-08dc8adec00b_w1080_r0_s.jpg)
Njëri prej njësiteve të FSK-së duke parakaluar në sheshin e kryeqytetit për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës, 12 qershor 2024.
![](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-38b6-08dc8adeeab9_w1080_r0_s.jpg)
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke parakaluar në sheshin e kryeqytetit m 12 qershor 2024, për nder të Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Gjatë ceremonisë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se Forca e Sigurisë së Kosovës, nuk ka qenë kurrë më e madhe dhe më e armatosur sesa tani.
FSK-ja, sipas Kurtit, "është e gatshme të mbrojë territorin, sovranitetin" dhe jetët e qytetarëve të Kosovës.
Çdo vit, më 12 qershor, shënohet Dita e Çlirimit të Kosovës.
25 vjet më parë, më 12 qershor 1999, në Kosovë hynë trupat paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.
Pas çlirimit, Kosova themeloi institucionet e saj të sigurisë.
Policia e Kosovës u themelua në vitin 1999 dhe aktualisht ka rreth 10 mijë pjesëtarë.
Shumë qytetarë përcollën nga afër parakalimin e ushtarëve dhe pjesëtarëve të policisë.
Në ceremoni morën pjesë edhe personalitet të ndryshme përfshirë ish-presidentin kroat Stipe Mesiq.
Forca e Sigurisë së Kosovës nisi një proces transformimi në ushtri në vitin 2018.
Procesi pritet të zgjasë dhjetë vjet dhe në fund ky institucion pritet të ketë përgjegjësi kryesore ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare. FSK-ja aktualisht ka rreth 2.500 pjesëtarë.
Pjesëtarët e një njësiti të Policisë së Kosovës parakalojnë me qentë e tyre në sheshin e Prishtinës më 12 qershor 2024, për nder të Ditës së Çlirimit të vendit.
Një pjesëtar i një njësiti të Policisë së Kosovës mban në dorë flamurin e Kosovës teksa parakalon bashkë me oficerë të tjerë në sheshin e Prishtinës më 12 qershor 2024, për nder të Ditës së Çlirimit të vendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se pjesëtarët e FSK-së dhe të policisë së Kosovës “janë forca të paqes dhe në mbrojtje të paqes”.
Osmani tha se ata “do të jenë sot e përjetë në mbrojtje të lirisë”.
Njësite të FSK-së duke parakaluar në sheshin e Prishtinës më 12 qershor 2024, për ta shënuar Ditën e Çlirimit të vendit.