Deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, të cilët votuan për nismën për ndryshimet Kushtetutës së Maqedonisë më 19 tetor, thonë se janë në pritje të formimit të një organi për pajtim kombëtar, në përputhje të kërkesës së tyre për këtë çështje.
Megjithatë, ata nuk kanë thënë me saktësi se çka nënkuptojnë me këtë kërkesë dhe nëse ajo do të ketë dhe efekte juridike për të gjithë ata të cilët ndiqen nga organet e drejtësisë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit të vitit të kaluar, në Parlamentin e Maqedonisë.
“Grupet punuese do të definojnë me saktësi se çka do të përmbajë pajtimi kombëtar. Kërkesa jonë ka të bëjë me atë që të gjendet një mundësi që të ulen gjakrat, dhe të gjithë ne të tejkalojmë ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar. E gjithë kjo në funksion të së ardhmes së atdheut tonë Maqedonisë”, ka deklaruar Nola Ismalovska-Starova, deputete nga radhët e VMRO-DPMNE-së, e cila votoi pro ndryshimeve kushtetuese.
Njëherësh, të gjithë deputetët e partisë opozitare VMRO-DPMNE, të cilët votuan për nismën për ndryshimet kushtetuese, që janë të domosdoshme për zbatimin e Marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit dhe pas këtij veprimi ata u përjashtuan nga partia, kanë hedhur poshtë pretendimet e krerëve të VMRO-së se janë shitur për para, duke theksuar se këtë vendim e kanë marrë për të ardhmen e shtetit, për një Maqedoni e cila sa më parë do të bëhet anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër edhe Tomisllav Tuntev, koordinator i grupit parlamentar nga Lidhja Socialdemokrate për Radion Evropa e Lirë gjithashtu nuk sqaron se nëse do të konvertohet pajtimi kombëtar në një Ligj për amnisti.
SHIKONI EDHE: Çështja e amnistisë në fokus të debatit për ndryshimet kushtetueseMegjithatë, ai thekson se pajtimi dhe falja do të kontribuojnë në masë të madhe në efikasitetin e Kuvendit, siç shprehet ai, për t’i shtyrë përpara proceset integruese të Maqedonisë.
“Çdo bashkëpunim është i mirëseardhur dhe shumë i rëndësishëm për funksionimin e Parlamentit si institucion ligjvënës, pavarësisht se kush çka ka bërë ne i duhemi njëri-tjetrit si pushtet dhe opozitë. Pajtimi do të paraqesë një hap shumë të rëndësishëm në drejtim të ndryshimit të praktikës që nga foltorja të shprehen vetëm ofendime, por debati të jetë në frymë konstruktive për të çuar para proceset”, thotë Tomisllav Tuntev nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë.
Nga LSDM-ja i kanë ftuar dhe deputetët e tjerë të VMRO-DMNE-së, të cilët nuk e mbështetën në fazën e parë ndryshimet kushtetuese, që t’i bashkëngjiten iniciativës për pajtim kombëtar dhe të bëhen pjesë e propozimit të amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës.
SHIKONI EDHE: Kuvendi i Maqedonisë miraton kërkesën për ndryshimet kushtetueseNdërkohë që të gjitha partitë politike në pushtet kanë përjashtuar mundësinë që pajtimi kombëtar të përfshijë një Ligj për amnisti, por njohësit e çështjeve juridike për Radion Evropa e Lirë thonë se pas deklaratës së kryeministrit të Maqedonisë Zoran Zaev, dhënë menjëherë pas votimit për nismën për ndryshimet kushtetuese të premten e kaluar, janë dhënë sinjale të qarta se oferta për pajtim kombëtar, e cila është vendos dhe si kërkesë e grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së që votuan për nismën e ndryshimeve kushtetuese, do të thotë formimi i një trupi parlamentar që do të duhet të përpilojë një akt juridik, ku do të përfshihen ata që ishin pjesë e ngjarje të dhunshme të 27 prillit.
“Kjo në fakt nënkupton përpilimin e një Ligji për amnisti eventuale për ngjarjet e 27 prillit të vitit të kaluar dhe në këtë mënyrë të arrihet efekti juridik. Ndryshe, deklarata si e tillë pa konkretizim përmes ligjit do të mbetej vetëm në një çështje të shprehjes së vullnetit të mirë, por që nuk do të mund të prodhojë efekte juridike ndaj organeve të gjyqësisë”, tha për Radion Evropa e Lirë, Naser Ziberi ekspert juridik.