Aleksandr Melkumyan ka mbetur në një tokë të përgjakur jashtë shtëpisë së tij në fshatin Martuni në Nagorno Karabak.
Familja e tij etnike armene është goditur nga një predhë artilerie, më 27 shtator.
"Atë ditë në mëngjes, ata bombarduan këtu", thotë Melkumyan, duke treguar tokën e lagur me gjak. "Këtu ndodheshin vjehrra ime, gruaja ime dhe fëmija im 1 vjeç e 7 muajsh".
“Fëmija 7-vjeçar i fqinjit tim u vra. Vjehrra ime u vra. Gruaja ime u plagos dhe u dërgua në një spital në Stepanakert", thotë Melkumyan.
Dy gra të tjera të fshatit janë plagosur dhe janë dërguar në një spital, 40 kilometra larg, në kryeqytetin e rajonit të shkëputur të Azerbajxhanit, Stepanakert.
"Shikoni atje, këpucët e tyre janë ende atje", thotë Melkumyan, duke qarë.
"Gruaja ime e plagosur ishte shtrirë pikërisht këtu. Fëmija im i vogël ishte shtrirë këtu. Vjehrra ime këtu, e vdekur. Fëmija 7-vjeçar ishte shtrirë i vdekur atje. Dy fqinjët e mi mbeten atje të plagosur. Pastaj, predhat goditën shtëpinë dhe hambarin. Kështu nisi mëngjesi ynë", rrëfen Melkumyan.
Të nesërmen, derisa predhat vazhdonin të binin në Martuni, artileria e forcave etnike armene goditi disa fshatra të kontrolluar nga Azerbajxhani në qarkun Tatar, në veri të Stepanakertit.
Pjesa më e madhe e Tatarit ka qenë nën kontrollin e forcave separatiste armene qysh në vitin 1994, kur Azerbajxhani dhe autoritetet de facto të Nagorno Karabakut kanë arritur një armëpushim, që i ka mundësuar rajonit të shërbejë si “tampon zonë” përgjatë Vijës së tensionuar të Kontaktit.
Në pjesët e këtij qarku, të kontrolluara nga Azerbajxhani, shumica e fshatarëve janë evakuuar kur luftimet në "konfliktin e ngrirë" kanë shpërthyer përsëri më 27 shtator.
Një ditë më vonë, më 28 shtator, predhat e hedhura nga forcat armene po zbarkonin në fshatin Shikharkh. Zyrtarët azerbajxhanas thanë se dy civilë u vranë atje, kur predha goditi një ndërtesë shumëkatëshe në fshat.
Një predhë tjetër goditi një ndërtesë që shpërndan ngrohjen për ndërtesat e banimit në Shikharkh.
SHIKONI EDHE: Kush po lufton në Nagorno Karabak dhe pse është i rëndësishëm ky rajon?Fshatarja vendase, Hijran Amrahova, thotë për shërbimin azerbajxhanas të Radios Evropa e Lirë se edhe nëse luftimet vihen nën kontroll në javët në vazhdim, dëmi do t’ua bëjë të vështirë mbijetesën shumë banorëve në Shikharkh, gjatë dimrit.
“Kjo ndërtesë siguron ngrohje për banorët. Gjithashtu ujë të ngrohtë. Shikoni, dera është shkatërruar dhe rezervuarët metalikë të ujit janë dëmtuar. Ata nuk mund t'i bëjnë asgjë ushtrisë sonë, andaj vrasin civilë dhe e bëjnë të pamundur jetesën këtu”, thotë Amrahova.
Më në veri, në Gashalti - në rajonin Naftalan të kontrolluar nga Azerbajxhani - granatimet nga forcat armene vranë fshatarin Elbrus Gurbanov dhe katër anëtarë të familjes së tij, derisa ishin strehuar në shtëpi.
Akuza e kundërakuza
Ka raporte të shumta për viktima civile edhe në fshatra të tjerë në dhe përreth Nagorno Karabakut, si dhe përgjatë kufirit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.
Ministria e Jashtme e Armenisë thotë se viktima e parë civile në tokën armene, që nga fillimi i luftimeve, është regjistruar më 29 shtator, kur qyteti Vardenis është sulmuar nga artileria e Azerbajxhanit.
Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka thënë se sulmi ishte në përgjigje të bombardimeve nga një njësi artilerie e ushtrisë armene në Vardenis, e cila kishte në shënjestër rajonin Dashkesan, brenda Azerbajxhanit. Armenia e ka mohuar këtë pretendimin të Bakusë.
SHIKONI EDHE: Aliyev: Luftojmë derisa ushtria armene të largohet nga tokat tonaNë fakt, edhe Armenia, edhe Azerbajxhani e kanë akuzuar njëri-tjetrin për të shtëna në territoret e tyre, larg Nagorno Karabakut.
Armenia dhe autoritetet de facto të Nagorno Karabakut i kanë përshkruar luftimet si një "sulm të shkallës së plotë" nga Azerbajxhani.
Your browser doesn’t support HTML5
Në Baku, zyrtarët fillimisht kanë thënë se forcat azerbajxhanase po i përgjigjeshin një sulmi armen.
Më vonë, ata kanë thënë se luftimet po bëhen "për çlirimin e territoreve nga pushtimi" - një referencë për Nagornno Karabakun dhe shtate rrethe të ngjitura me Azerbajxhanin, që janë nën kontrollin e forcave etnike armene, të mbështetura nga Jerevani.
Paralajmërime kundër krimeve të luftës
Hugh Williamson, drejtor për Evropën dhe Azinë Qendrore i organizatës Human Rights Watch, tha se pavarësisht se kush është përgjegjës për përshkallëzimin e konfliktit, civilët janë përsëri të përfshirë nga luftimet.
"Të gjitha palët duhet të kujtojnë se sulmet që shënjestrojnë civilët, janë shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar humanitar dhe përbëjnë krime lufte", tha Williamson më 30 shtator.
Ai tha se të gjitha palët duhet të bëjnë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve dhe të respektojnë ndalesën absolute kundër shënjestrimit të civilëve.
Konfirmimi i ngjarjeve në terren ka qenë i vështirë që nga përshkallëzimi i situatës.
SHIKONI EDHE: Turqia mohon se ka dërguar luftëtarë sirianë në Nagorno KarabakArmenia dhe Azerbajxhani kanë shpallur gjendje lufte dhe kanë nisur t’i mobilizojnë trupat, duke përfshirë rezervistë që janë thirrur të vendosen në zonat luftarake.
Të dyja vendet kanë ligje që e kufizojnë raportimin për konfliktin, që nuk bazohet në burime "zyrtare".
Azerbajxhani gjithashtu ka kufizuar qasjen në internet për të parandaluar zbulimin e informacioneve të ndjeshme strategjike në mediat sociale ose në aplikacionet e mesazheve.
Por, ndjenjat nacionaliste në Armeni dhe Azerbajxhan, që kanë ngjallur luftimet, janë të qarta nga postimet që bëhen në mediat sociale në të dyja vendet.
Në rajonin Khaçmaz të Azerbajxhanit, përgjatë bregdetit të Detit Kaspik, një turmë banorësh u mblodh jashtë komisariatit lokal, për t’i përshëndetur rezervistët e thirrur për shërbim ushtarak.
Në rajonin qendror të Azerbajxhanit, Gojçaj, aktivisti lokal, Taleh Khasmammadov, nga Qendra për Mbrojtjen e të Burgosurve Politikë, postoi një video në Facebook, e cila, sipas tij, paraqet një turmë prej 10,000 banorësh, që "dërgojnë bijtë e tyre trima në luftë”.
Por, disa të tjerë kanë shprehur edhe shqetësime në mediat sociale.
Togrul Veliyev, aktivist në Baku dhe kritik i hapur i Qeverisë së Azerbajxhanit, është shprehur i shqetësuar për largimin e vëllait të tij në “detyrën luftarake”.
"Vëllai im është larguar, gjoja për trajnim, por kjo është një ndjenjë e tmerrshme. Dy gjëra që unë i urrej në jetë, janë censura dhe lufta. Falë qeverisë sonë, ne kemi një përzierje të të dyjave. Ata e etiketojnë çdo informacion si sekret ushtarak”, ka shkruar Veliyev në Facebook.
Në fshatin Martuni në Nagorno Karabak, Melkumyan thotë se situata "nuk mund të vazhdojë kështu".
"Është më mirë të luftojmë derisa të ketë një fund fitimtar", thotë Melkumyan. "Unë jam gati për të luftuar. Unë jam gati të vdes. Por, ne kemi nevojë për një zgjidhje për këtë problem. Mënyra se si është tani - as luftë, as paqe - nuk funksionon".