Në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk ka përparim real, sepse të dyja palët janë në pritje të rezultatit të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, thotë drejtori ekzekutiv i Organizatës joqeveritare për Analiza Strategjike në Bratislavë, Jan Cingel, për Radion Evropa e Lirë.
Beogradi, shton ai, pret me vëmendje të veçantë edhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, që do të mbahen në vjeshtë.
“Serbia beson se administrata e Donald Trumpit do të ishte shumë më e favorshme për të sesa ajo e [presidentit aktual, Joe] Biden, të cilën ajo e percepton si shumë të butë ndaj Prishtinës”, thotë Cingel.
Duke komentuar nismën e Komisionit Evropian që detyrimet nga Marrëveshja e Ohrit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të bëhen pjesë e kornizës së negociatave për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, Cingel thotë se BE-ja po përpiqet qartazi që ta shfrytëzojë kohën e mbetur deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor, për të arritur njëfarë përparimi në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ai thotë se kryeministri hungarez, Viktor Orban, mund ta bllokojë propozimin e Komisionit Evropian, për shkak të lidhjeve dhe interesave të tij të ngushta me Serbinë.
Cingel shton se vendimi i autoriteteve të Kosovës për ta hequr dinarin nga qarkullimi është marrë në një moment të pafavorshëm. Sipas tij, Perëndimit po i humb gjithnjë e më shumë durimi me veprimet e Kosovës.
SHIKONI EDHE: Bislimi akuzon Serbinë për “krijim artificial të tensioneve”Radio Evropa e Lirë: Komisioni Evropian ka propozuar, siç ka mësuar Radio Evropa e Lirë, amendamente në kornizën negociuese të Serbisë. Kjo do të thotë se obligimet nga Marrëveshja e Ohrit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë pjesë përbërëse e procesit të negociatave ndërmjet Serbisë dhe BE-së për anëtarësim e saj në këtë bllok.
Nëse ky propozim bëhet zyrtar, si mund të reflektohet në negociatat e mëtejshme ndërmjet Beogradit dhe Brukselit, marrë parasysh entuziazmin e reduktuar si të autoriteteve, ashtu edhe të qytetarëve të Serbisë për integrimin evropian, për shkak të kushteve që duhet të plotësohen?
Jan Cingel: Edhe para publikimit të këtij qëndrimi të Komisionit Evropian, ka qenë e qartë se normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është parakusht, i paraparë në kapitullin 35. Tani vetëm se është zyrtarizuar.
Këtë lëvizje të Komisionit Evropian e interpretoi si presion shtesë ndaj Serbisë, për t’i përmbushur dispozitat e Marrëveshjes së Ohrit, të cilën e ka pranuar marsin e kaluar, sepse, që atëherë, nuk është bërë ndonjë përparim.
Për këtë kanë përgjegjësi të dyja palët, sepse nuk kanë shkuar drejt realizimit serioz të marrëveshjes së përmendur. Prandaj, supozoj se Brukseli do që ta rrisë presionin ndaj Serbisë, duke e përfshirë zyrtarisht Marrëveshjen e Ohrit në kornizën e negociatave për anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian.
Në të njëjtën kohë, Brukseli po e shton trysninë edhe ndaj Prishtinës.
Është e qartë se Bashkimi Evropian po përpiqet ta shfrytëzojë kohën e mbetur deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian në qershor, për të arritur njëfarë përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, sepse ai do të pezullohet gjatë verës, në pritje të konstituimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, e cila do të varet nga rezultati i këtyre zgjedhjeve.
Sigurisht se është e vështirë të dihet paraprakisht se cila do të jetë struktura e Parlamentit të ri Evropian dhe ka edhe shumë të panjohura të tjera. Kjo është arsyeja përse Komisioni aktual Evropian po nxiton që të bëjë njëfarë përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Unë jam skeptik, sepse, vitin e kaluar, ka pasur rrethana më të favorshme për përparim në negociata, por ato kanë ngecur.
Kjo është arsyeja përse tani nuk ka ndonjë lëvizje reale, sepse edhe Beogradi, edhe Prishtina presin rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian. Ndërsa Beogradi, me vëmendje të veçantë, pret edhe rezultatin e zgjedhjeve presidenciale amerikane në vjeshtë.
Serbia beson se administrata e Donald Trumpit do të ishte shumë më e favorshme për të sesa ajo e [presidentit aktual, Joe] Biden, të cilën ajo e percepton si shumë të butë ndaj Prishtinës.
Hungaria mund ta bllokojë propozimin e Brukselit
Radio Evropa e Lirë: A do ta pranojë Këshilli Evropian propozimin e Komisionit Evropian, marrë parasysh informacionet se komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi, e ka kundërshtuar këtë propozim? A do të thotë kjo se Hungaria mund ta kundërshtojë këtë nismë, duke pasur parasysh edhe pozicionin e saj specifik dhe mosmarrëveshjet e saj me Brukselin për shumë çështje?
Jan Cingel: Mendoj se ka shumë gjasa që Këshilli Evropian ta bllokojë këtë iniciativë, në radhë të parë Hungaria, andaj Varhelyi hezitoi ta përfshinte në kornizën e negociatave me Serbinë, ndërsa disa vende të tjera insistuan për të.
Varhelyi është i afërt me partinë qeverisëse të Hungarisë, Fidesz, edhe pse si komisionar evropian supozohet të jetë i pavarur dhe neutral.
Mund të pritet që disa vende, në radhë të parë Hungaria dhe ndoshta Sllovakia - duke pasur parasysh klimën e ndërlikuar politike në Bratislavë - ta bllokojnë propozimin e Komisionit Evropian.
Megjithatë, Qeveria sllovake e Robert Ficos ndoshta nuk dëshiron të hyjë në konflikt me Brukselin për këtë çështje, sepse po përpiqet ta shmangë presionin nga ajo palë, për momentin.
Fico zbaton disa masa politike në frontin e brendshëm, që nuk shihen me sy të mirë në Bruksel. Prandaj, ai mund t’i përmbahet qëndrimit të shumicës, si në rastin e votimit të ndihmës prej 50 miliardë eurosh për Ukrainën, pak ditë më parë.
Në fund, edhe [kryeministri hungarez, Viktor] Orban e ka përkrahur këtë ndihmë, por për çështjen e Kosovës mund të mbajë qëndrim tjetër, duke shprehur kundërshtime.
Lidhjet dhe interesat e ngushta të Orbanit në Serbi dhe në Republikën Sërpska
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh këtë që thatë, se Orban e mbështeti ndihmën për Ukrainën... Përse do ta pengonte marrëveshjen kur bëhet fjalë për Serbinë? Çfarë ka në sfond?
Jan Cingel: Budapesti dhe Kievi duket se kanë gjetur një zgjidhje për mosmarrëveshjet e tyre të ndërsjella, pasi kreu i diplomacisë hungareze, Peter Siatro, gjatë një vizite të fundit në Ukrainë, ka rënë dakord me autoritetet atje për t’i përmirësuar të drejtat e pakicës hungareze.
Kur bëhet fjalë për Serbinë, duhet t’i kemi parasysh marrëdhëniet e ngushta të Orbanit me [presidentin e Serbisë] Aleksandar Vuçiq, por edhe interesat e Hungarisë në Serbi dhe ndoshta në Republikën Sërpska.
Kjo mund të jetë një arsye për të bllokuar përfshirjen e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën në kornizën e negociatave të Serbisë me Bashkimin Evropian.
Heqja e dinarit në një moment të pafavorshëm
Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se BE-ja po përpiqet të bëjë presion mbi të dyja palët, jo vetëm mbi Beogradin, por edhe mbi Prishtinën. Brukseli është shprehur i shqetësuar me vendimin e autoriteteve në Prishtinë për ta hequr dinarin serb nga qarkullimi në Kosovë. Pavarësisht kësaj dhe presionit të SHBA-së ndaj institucioneve të Kosovës për ta shtyrë zbatimin e kësaj mase, ato kanë nisur ta zbatojnë atë.
A do të thotë kjo se BE-ja, në përgjithësi, po humb ndikimin e saj mbi dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?
Jan Cingel: Në njërën anë, është e kuptueshme që autoritetet në Prishtinë duan t’i kontrollojnë rrjedhat e valutave në Kosovë.
Megjithatë, është një moment i pafavorshëm për zbatimin e një vendimi të tillë. Ambasadori amerikan dhe zyrtarët evropianë ia kanë shprehur këtë Qeverisë së Kosovës.
Rrëfimi me zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veri, të cilat duket se janë në prag, nuk ka përfunduar ende. Përfaqësuesit e serbëve në Kosovë e kanë pranuar kornizën për mbajtjen e tyre dhe për të propozuar kandidatët e tyre.
Dukej se kjo po shkonte në drejtimin e duhur dhe më pas, papritmas, autoritetet në Prishtinë e prishën, duke këmbëngulur në heqjen e dinarit.
Ndoshta për këtë kanë biseduar gjatë me Beogradin zyrtar, por opinioni është informuar vonë, ka pasur një afat shumë të shkurtër për zbatimin e këtij vendimi, për t’i ndërruar paratë dhe për të gjetur mënyra të tjera për financimin e nevojave të popullatës.
Prandaj, kjo masë është aplikuar në një moment fatkeq, sepse situata në veri të Kosovës ka qenë duke lëvizur në drejtim pozitiv, edhe pse është ende e vështirë. Por, së paku, kanë qenë duke u përgatitur zgjedhjet dhe çështja e targave është zgjidhur.
Kështu që, nuk mendoj se është një lëvizje logjike në këtë pikë. Kjo ka treguar edhe një herë se Vuçiq është më i qasshëm për Perëndimin.
Përsëri, ai mund të prezantohet si një politikan që punon për të mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, për t’u marrë vesh për targat, për të qenë një palë konstruktive. [Kryeministrin e Kosovës] Albin Kurti, në të njëjtën kohë, e prezanton si aktor që shtron kërkesa të reja, duke e komplikuar pozitën e serbëve në veri të Kosovës dhe në përgjithësi në Kosovë.
Në njëfarë mënyre, ky është një atu për Qeverinë e Vuçiqit, e cila është nën presion të konsiderueshëm, për shkak të protestave pas zgjedhjeve, të cilat nuk kanë përfunduar ashtu siç ka pritur.
Disa qarqe perëndimore po kërkojnë përsëritjen e zgjedhjeve, të paktën në Beograd. Vuçiqit i duhet një pushim për të stabilizuar pozicionin e tij në Serbi dhe, për këtë arsye, nuk i konvenon që Bashkimi Evropian t’i bëjë presion tani.
Për këto arsye, ai është pajtuar për zbatimin e marrëveshjes për targat dhe për pjesëmarrjen e serbëve lokalë në zgjedhjet në veri të Kosovës.
Your browser doesn’t support HTML5
Perëndimit po i humb durimi me veprimet e Kurtit
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, opozita në Serbi dhe kritikët e Qeverisë do ta interpretonin ndryshe, përkatësisht si lëshim të Vuçiqit në lidhje me Kosovën, për t’i treguar Perëndimit se ai është bashkëpunues dhe njeriu më i fuqishëm në vend... duke larguar kështu vëmendjen nga parregullsitë në zgjedhje.
Në të njëjtën kohë, në Serbi mendohet se Perëndimi, në njëfarë mënyre, përdor ende standarde të dyfishta. Edhe pse në parim po ushtrohet presion ndaj autoriteteve të Kosovës që të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ato po ndërmarrin masa të reja, duke hequr dinarin nga qarkullimi.
Prandaj, në Serbi thonë se Perëndimi, ose nuk ka ndikim të mjaftueshëm, ose nuk është mjaft i sinqertë sa i përket presionit ndaj Prishtinës, sepse, në fund të fundit, ai mbështet pavarësinë e Kosovës.
Jan Cingel: Qeveria e Kurtit, me këto veprime, si heqja e dinarit, tregon se nuk e dëgjon Perëndimin, por se udhëheq një politikë të pavarur që mund të bëjë jehonë brenda vendit. Partnerët perëndimorë po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin.
Të kujtoj se sanksionet evropiane dhe amerikane kundër Kosovës janë ende në fuqi. Ndoshta Kurti mendon se, pasi sanksionet janë ende në fuqi dhe Perëndimi nuk po ndryshon qëndrim, ai do ta zgjidhë çështjen e dinarit - gjë të cilën ka dashur ta bëjë shumë kohë më parë.
Tani shtrohet pyetja nëse Perëndimi do t’i forcojë sanksionet apo do t’i zbatojë rreptësisht ato ekzistueset, pasi disa vende nuk i kanë respektuar rreptësisht muajve të fundit. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, por pozita e autoriteteve në Prishtinë nuk është e thjeshtë.
Beogradi dhe Prishtina në pritje të rezultatit të zgjedhjeve për PE-në dhe në SHBA
Radio Evropa e Lirë: Në Serbi e kundërshtojnë fuqishëm zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, sidomos nëse ajo është kusht për integrimin e saj evropian.
A do të çojë kjo në largimin e Serbisë nga BE-ja dhe vazhdimin e politikës së saj të “uljes në dy karrige”, që do të çonte pastaj në shtyrjen e hyrjes së saj në bllokun evropian për shumë vite, nëse jo dekada? Po ashtu, a do ta ndërlikonte kjo edhe më shumë dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe normalizimin e marrëdhënieve të tyre?
Jan Cingel: Përgjigjja e shkurtër për të dyja pjesët e pyetjes është “po” dhe “po”. Mendoj se kjo do të ndikojë në perceptimin e Bashkimit Evropian në Serbi, domethënë, do ta zvogëlojë më shumë mbështetjen për integrimin evropian.
Autoritetet do të reagonin me reforma edhe më të ngadalshme, sepse oreksi për ndryshime do të zvogëlohej, nëse nuk do të kishte stimuj të rëndësishëm. Nuk jam i sigurt se do të ketë stimuj të tillë në gjashtë muajt e ardhshëm, për shkak të zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, të cilat i përmenda.
Anëtarët e Bashkimit Evropian do të përgatiten për zgjedhje dhe jo për masa stimuluese. Kjo do të thotë se integrimi evropian do të stagnojë - jo vetëm në Serbi.
Do të stagnojë edhe dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, pasi të dyja palët do të presin rezultatin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, më konkretisht, nëse do të ketë më shumë përfaqësues të së djathtës së moderuar apo ekstreme, që do të kenë pikëpamje të ndryshme për Ballkanin Perëndimor, si dhe për politikën e jashtme të BE-së në përgjithësi.
Autoritetet në Serbi do të fokusohen, në veçanti, në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, me shpresën për të gjetur një zgjidhje më të mirë nëse administrata Trump vjen në pushtet, ashtu siç janë përpjekur edhe gjatë mandatit të saj të parë.