Shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) në Shtetet e Bashkuara, William Burns, takoi më 14 nëntor në Turqi homologun e tij të inteligjencës ruse, Sergey Naryshkin.
Sipas një zyrtari të Këshillit për Siguri Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, në këtë takim u nënvizuan pasojat nëse Rusia vendosë të përdorë armë bërthamore në Ukrainë.
Ky zyrtar, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se Burns dhe Naryshkin nuk diskutuan për zgjidhjen ose marrëveshjen e luftës në Ukrainë.
Në këtë takim, sipas tij, Burns diskutoi gjithashtu edhe për çështjet e Brittney Griner dhe Paul Whelan.
SHIKONI EDHE: Rusia thotë se po i merr seriozisht propozimet për këmbimin e të burgosurve me SHBA-nëSHBA-ja ka thënë gjatë verës se i ka bërë “ofertë” serioze Rusisë për lirimin e yllit të basketbollit, Griner, e cila u dënua në gusht të këtij viti me nëntë vjet burgim, pasi policia tha se i kishin gjetur vaj kanabisi në bagazhin e saj. Ndërsa Whelan është dënuar në vitin 2020 me 16 vjet burgim në Rusi, nën akuzat për spiunim.
Persona, që kanë njohuri për këtë temë, kanë thënë se SHBA-ja ka kërkuar shkëmbimin e të burgosurve, duke ofruar që t’ia dorëzojë Rusisë tregtarin e dënuar të armëve, Viktor Bout.
Takimi Burns-Naryshkin shënon takimin më të lartë ballë për ballë midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë, që para se presidenti Vladimir Putin të urdhëronte pushtimin e Ukrainës.
Më 8 nëntor SHBA-ja tha se është “në interesat” e Uashingtonit të mbajë kontakte me Kremlinin.