Chollet nominohet për postin e nënsekretarit të Mbrojtjes në SHBA

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Këshilltari i lartë në Departamentin amerikan të Shtetit, Derek Chollet, është nominuar për postin e nënsekretarit të Mbrojtjes për Politikë në SHBA.

Chollet – i cili ka qenë i përfshirë në disa çështje të Ballkanit Perëndimor si në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë – u urua për këtë nominim nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken.

“Urime shokut tim për nominimin e tij për të shërbyer si nënsekretar i Departamentit të Mbrojtjes për Politikë. Me konfirmonim e tij, humbja jonë do të jetë fitorja e Departamentit të Mbrojtjes dhe vendi ynë do të vazhdojë të përfitojë nga shërbimi i tij i përkushtuar”, shkroi Blinken.

Chollet u shpreh falënderues ndaj Blinkenit dhe ndaj mundësisë “për t’u kthyer në Departamentin e Mbrojtjes dhe të punoj me sekretarin e Mbrojtjes për sigurinë e kombit tonë”.

Chollet – nominimin e të cilit duhet ta konfirmojë edhe Seneti amerikan – ka qenë i përfshirë në dialogun mes Kosovën dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve. Në janar, ai kishte qëndruar në Prishtinë dhe Beograd si pjesë e një turneu rajonal.

Në një intervistë të dhënë për Radion Evropa e Lirë gjatë kësaj vizite, ai kishte thënë se marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë do të kërkonte “zgjedhje të vështira” dhe “kurajë politike”.

“Të dyja qeveritë duhet të jenë në gjendje të tregojnë gatishmëri për kompromis. Ne mendojmë se këto kompromise janë të mundshme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje kreative, për t’i ndihmuar ata që t’i bëjnë ato kompromise”, kishte thënë Chollet.

Your browser doesn’t support HTML5

Chollet: SHBA-ja s'do të lejojë Asociacion në formën e Republikës Sërpska

Postin për të cilin është dominuar Chollet e kishte mbajtur Colin Kahl që nga prilli i vitit 2021. Ai e kishte konfirmuar largimin e tij në maj të këtij viti, pasi kishte drejtuar përgjigjen e administratës së presidentit Joe Biden ndaj pushtimit të Ukrainës nga Rusia.