AP
Po t’i kërkonit programit të ri të Inteligjencës Artificiale, ChatGPT, të shkruante një ese lidhur me historinë e Luftës Civile Amerikane, ai do t’ju prezantonte një material bindës brenda pak sekondash.
Kjo është një nga arsyet pse shkollat në Nju Jork kanë filluar ta bllokojnë këtë mjet sa mbresëlënës, po aq edhe kundërthënës të shkrimit, i cili mund të prodhojë tekste si nga dora e njeriut.
Ky vendim nga distrikti më i madh shkollor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për kufizimin e përdorimit të ChatGPT-së në pajisje dhe rrjete shkollore, mund të ndikojë edhe te shkollat e tjera dhe te mësimdhënësit, të cilët përpiqen ta parandalojnë kopjimin dhe mashtrimin në shkolla. Madje edhe vetë themeluesit e këtij mjeti po përpiqen të gjejnë mënyra për të penguar keqpërdorimin e tij në shkolla.
SHIKONI EDHE: Çfarë është roboti ChatGPT dhe pse përdoret?Çka është ChatGPT?
ChatGPT-ja është lëshuar për përdorim më 30 nëntor 2022, por është pjesë e një grupi më të gjerë teknologjish, të zhvilluara nga kompania me qendër në San Francisko, Open AI, e cili ka një marrëdhënie të ngushtë me Microsoft-in.
Mjeti është pjesë e një gjenerate të re të sistemeve të Inteligjencës Artificiale (IA-s), që mund të komunikojnë, të prodhojnë tekste të lexueshme sipas kërkesës, e madje edhe të prodhojnë imazhe dhe video të reja, bazuar në një qendër të madhe të të dhënave, ku përfshihen libra digjitalë, shkrime në internet dhe media të tjera.
Për dallim nga modelet e tjera, si GPT-3 nga Open AI, që u lëshua më 2020, për ChatGPT-në mjafton të kesh lidhje interneti dhe atë mund ta përdorësh falas. Ai është i lehtë për t’u përdorur, teksa funksionon si dialog i shkruar mes sistemit të IA-së dhe personit që i bën pyetje atij.
Që nga lëshimi i tij, miliona njerëz e kanë përdorur dhe e kanë testuar këtë program, duke u munduar ta shtyjnë atë të gabojë, apo e kanë përdorur për qëllime më praktike, siç është shkrimi i mesazheve elektronike. Mirëpo, të gjitha këto vetëm sa po e ndihmojnë ChatGPT të përmirësohet.
Cilat janë rreziqet?
Sikur sistemet e ngjashme, ChatGPT-ja mund të shkruajë proza bindëse, por sa mund të jemi të sigurt se ajo që thuhet në to është faktike apo logjike?
Kur ky program u lëshua për përdorim, në fillim u dhanë shumë pak udhëzime se si të përdoret, përveç një premtimi se ChatGPT-ja do të pranojë kur është gabim, do të sfidojë “premisat e pasakta” dhe do të refuzojë të japë përgjigje ofenduese nëse nxitet për një gjë të tillë. Që atëherë, popullariteti i mjetit ka ndikuar që krijuesit e tij të përpiqen t’i ulin pritjet rreth tij.
"ChatGPT-ja është shumë e kufizuar, por mjaftueshëm e mirë në disa gjëra për të krijuar një përshtypje mashtruese të madhështisë", tha shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman, në një shkrim në Twitter, në dhjetor.
Altman shtoi se "është gabim të mbështetesh në të për ndonjë gjë të rëndësishme tani... Ky është një shikim fillestar drejt përparimit; ne kemi shumë punë për të bërë për qëndrueshmërinë dhe vërtetësinë”.
Your browser doesn’t support HTML5
A mund të përdoret për shkrimin e materialeve shkollore?
Ja çfarë tha ChatGPT-ja, kur Associated Press i kërkoi t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, me të gjitha shkronjat e mëdha, nga perspektiva e një drejtori, që jep një mesazh të shkurtër nëpërmjet altoparlantëve të shkollës:
“Mos përdor ChatGPT apo ndonjë mjet tjetër të shkrimit të automatizuar për materiale shkollore. Ky është kopjim dhe nuk do të tolerohet. Nëse ju kapeni duke e përdorur ChatGPT-në ose ndonjë mjet tjetër të shkrimit për tekste të shkollës, do të përballeni me pasoja serioze”.
Por, kur u pyet t’i përgjigjej së njëjtës pyetje, vetë ChatGPT-ja dha këtë paralajmërim më të matur:
“Si rregull i përgjithshëm, nuk është e përshtatshme të përdoret ChatGPT-ja ose ndonjë mjet tjetër i automatizuar shkrimi për materialet e shkollës, pasi konsiderohet mashtrim dhe studenti nuk përfiton në planin afatgjatë”.
Çka thonë shkollat për këtë?
Shumë distrikte shkollore janë ende duke u përpjekur të kuptojnë se si të përcaktojnë politika rreth përdorimit eventual të ChatGPT-së.
Departamenti i Arsimit i Nju Jorkut deklaroi se po kufizon qasjen në rrjetet dhe pajisjet e shkollave, sepse është i shqetësuar për ndikimet negative në mësimin e studentëve, si dhe "shqetësimet në lidhje me sigurinë dhe saktësinë e përmbajtjes".
Por, kjo nuk e ndalon një nxënës që të hyjë në ChatGPT nga një celular personal ose kompjuter në shtëpi.
"Përderisa mjeti mund të jetë në gjendje të japë përgjigje të shpejta dhe të lehta për pyetjet, ai nuk ndërton aftësi të të menduarit kritik dhe të zgjidhjes së problemeve, të cilat janë thelbësore për suksesin akademik dhe gjatë gjithë jetës", tha zëdhënësja e shkollave, Jenna Lyle.
SHIKONI EDHE: Programi kompjuterik me “ndjenja njerëzore” rrit shqetësimetNjeri apo IA?
Por, si mund ta vërtetojmë dhe ta dallojmë ndryshimin mes një teksti të shkruar nga njeriu apo IA?
“Për të përcaktuar nëse diçka është shkruar nga një njeri apo një sistem IA, mund të kërkoni mungesën e përvojave ose emocioneve personale, të kontrolloni për mospërputhje në stilin e të shkruarit dhe të shikoni për përdorimin e fjalëve plotësuese ose frazave të përsëritura. Këto mund të jenë shenja se teksti është krijuar nga një IA”.
Kjo është ajo që ChatGPT-ja i tha një gazetari të AP-së, kur u pyet se si mund të dallohej ndryshimi.
OpenAI tha në një deklaratë të shkruar nga njeriu se planifikon të punojë me edukatorët ndërsa mëson nga mënyra se si njerëzit po eksperimentojnë me ChatGPT-në në botën reale.
“Ne nuk duam që ChatGPT-ja të përdoret për qëllime mashtruese në shkolla ose kudo tjetër, kështu që tashmë po zhvillojmë mjete për të ndihmuar këdo që të identifikojë tekstin e krijuar nga ai sistem”, tha kompania.
A e kërcënon kjo Google-n?
Ka pasur disa spekulime se ChatGPT-ja mund të përmbysë biznesin e kërkimit në internet, tani i dominuar nga Google, por gjiganti i teknologjisë ka vite që punon në teknologji të ngjashme – por ai është më i kujdesshëm për lëshimin e tyre për përdorim.
Ishte Google ai që i dha shtytje trendit për modele gjithnjë e më të mëdha, gjithnjë e më të zgjuara të gjuhës së IA-së, që mund të "trajnoheshin paraprakisht" mbi një grup të gjerë shkrimesh.
Në vitin 2018, kompania prezantoi një sistem të njohur si BERT, që përdor një teknikë "transformatori", e cila krahason fjalët në një fjali për të parashikuar kuptimin dhe kontekstin. Disa nga këto përparime janë futur tani në kërkimet në Google.
Por, nuk ka dyshim se modelet e GPT-së, që është shkurtesë për Generative Pre-trained Transformer (shqip: Transformator i para-trajnuar gjenerues), kanë ndikim. Microsoft ka investuar të paktën 1 miliard dollarë në OpenAI, dhe ka një licencë ekskluzive për të përdorur GPT-3.
Ueb-faqja e ChatGPT-së në Kosovë nuk funksionon. Në mesazhin që shfaqet pas tentimit për përdorim shkruan se "Shërbimet e OpenAI nuk janë të disponueshme në vendin tuaj".