Manifesti i paraqitur nga partitë që garojnë për të formuar Qeverinë e ardhshme të Gjermanisë, përcakton vizione shumë të ndryshme për të ardhmen e këtij vendi dhe të Evropës, pas zgjedhjeve federale të shtatorit.
Në lojë është drejtimi që Gjermania - ekonomia më e madhe e Evropës - do të marrë pas largimit të Angela Merkelit nga posti i kancelares.
Në pushtet qysh në vitin 2005, Merkel planifikon të tërhiqet pas zgjedhjeve të 26 shtatorit.
Konservatorët, në manifestin e tyre, u premtojnë votuesve “stabilitet dhe ringjallje”. Rivalët e tyre kryesorë janë Të Gjelbrit, të ndjekur nga Social- Demokratët dhe Demokratët e Lirë.
Cilat janë çështje të mëdha të fushatës?
Besimi. Kujt mund t'i besojnë gjermanët pas Merkelit, e cila i ka udhëhequr ata gjatë krizës së Eurozonës, krizës së migrantëve në vitin 2015 dhe tani pandemisë së koronavirusit?
Kandidati konservator për kancelar, Armin Laschet, nxjerr në pah përvojën e tij në qeverisjen e landit më të populluar të Gjermanisë, Norderhajn-Vestfallen.
Kandidatja e Të Gjelbërve, Annalena Baerbock, e ka kundërshtuar atë me premtimin për një “fillim të ri”.
SHIKONI EDHE: CDU e Merkelit shënon fitore të madhe para zgjedhjeve kombëtareKreu i Demokratëve të Lirë, Christian Lindner, thotë se Gjermania nuk mund të mbetet në të kaluarën, por i duhet të përshtatet me një botë që po ndryshon shpejt.
Olaf Scholz i Social-Demokratëve - ministër i Financave në “koalicionin e madh” të Merkelit - e prezanton veten si palë me “duar të sigurta”.
Dallimet në politikë
Pjesa më e madhe e debatit politik ka marrë formë kur një gjykatë e lartë, në fund të prillit, ka vendosur se Gjermania duhet të azhurnojë ligjin e saj të klimës deri në fund të vitit të ardhshëm, për të përcaktuar se si do t’i reduktojë emetimet e karbonit në pothuajse zero deri në vitin 2050.
Konservatorët duan të arrijnë neutralitetin e gazrave serë në vitin 2045, ashtu si edhe Social-Demokratët.
Të Gjelbrit janë më ambiciozë dhe duan të arrijnë neutralitet brenda 20 vjetësh, përmes “zgjerimit masiv të burimeve të ripërtëritshme”. Demokratët e Lirë, ndërkaq, synojnë ta arrijnë këtë qëllim deri më 2050.
Politika e klimës dhe mënyra se si të paguhet për rregullimin e një mjedisi më të pastër, është e lidhur ngushtë me ndarjet rreth financave publike dhe taksave, dhe ka ndikim në politikat ndaj Bashkimit Evropian.
SHIKONI EDHE: Kryetari i partisë së Merkelit, kandidat për kancelarSi të balancohen librat?
Konservatorët premtojnë lehtësim gradual të taksave, por është e paqartë se si do ta lehtësojnë këtë barrë dhe si do të mbajnë kapakun mbi borxhet. Ky premtim i harmonizon ata me Demokratët e Lirë.
Të Gjelbrit duan të ulin pragun për ata që paguajnë nivelin më të lartë të taksave prej 45% dhe ta rrisin nivelin në 48% për fituesit ultra të mëdhenj. Ata gjithashtu duan t’i reformojnë frenat e borxhit, për të nxitur investimet publike.
Social-Demokratët thonë se duan t’i ndihmojë ata me të ardhura të ulëta dhe të mesme.
Çka në lidhje me Evropën?
Si konservatorët, ashtu edhe Demokratët e Lirë kundërshtojnë “bashkimin e borxhit” dhe duan të sigurojnë se huazimet e përbashkëta të BE-së për të financuar paketën e rimëkëmbjes së bllokut nga koronavirusi, do të mbeten një gjë e njëhershme.
Të Gjelbrit, për dallim, favorizojnë një politikë të përbashkët fiskale evropiane, për të mbështetur investimet në mjedis, kërkime, infrastrukturë dhe arsim.
Social-Demokratët e shohin paketën e rimëkëmbjes si bazë për ndërtimin e besimit të ri në Evropë dhe kanë folur për ndërmarrjen e hapave drejt bashkimit fiskal.
Kush mund të qeverisë?
Asnjë parti nuk është në rrugën e duhur për një shumicë më vete, kështu që Gjermania pritet të qeveriset edhe një herë nga një koalicion pas-zgjedhor, megjithëse Social-Demokratët kanë thënë se nuk duan të jenë sërish partner i vogël i konservatorëve.
Konservatorët dhe Demokratët e Lirë - partnerë në të kaluarën dhe të lidhur në çështje të rëndësishme - do të donin t’i bashkonin forcat, por sondazhet e opinionit sugjerojnë se atyre do t'u mungojnë numrat për të formuar Qeverinë.
Konservatorët dhe Të Gjelbrit mund të kenë mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur, por janë në kundërshtim me njëri-tjetrin për një mori çështjesh.
Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, mund të ketë nevojë t'iu bëjë presion për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre.
Të Gjelbrit më me qejf do të drejtonin një qeveri me Social-Demokratët dhe Demokratët e Lirë.
Një lidhje midis konservatorëve, Të Gjelbërve dhe Demokratëve të Lirë është gjithashtu e mundur, ndonëse bisedimet për një koalicion të tillë kanë dështuar pas zgjedhjeve të fundit, më 2017.
Nëse konservatorët fitojnë shumicën e votave, Laschet ka të ngjarë të jetë kancelar.
Përgatiti: Valona Tela