Çfarë ndryshimi mund të sjellin 500 milionë doza?

Fotografi ilustruese

Shtetet e Bashkuara u zotuan se do të blejnë dhe dhurojnë 500 milionë doza të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, në kohën kur vendet e varfra po luftojnë për imunizimin e qytetarëve të tyre.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar për samitin e vendeve më të industrializuara, G7, tha se ky është donacioni “më i madh i vaksinave”, i bërë nga një vend i vetëm.

“Derisa ekonomia amerikane po rimëkëmbet, është në interesin tonë që edhe ekonomia globale të fillojë rimëkëmbjen. Kjo nuk do të ndodhë nëse nuk e vëmë pandeminë nën kontroll në të gjithë botën”, tha Biden.

SHIKONI EDHE: SHBA konfirmon blerjen dhe dhurimin e 500 milionë vaksinave

Duke folur përkrah tij, shefi i kompanisë farmaceutike amerikane Pfizer, Albert Bourla, tha se ai mund të shohë “dritë në fund të tunelit”.

Shifra prej 500 milionësh tingëllon shumë, por çfarë ndryshimi do të bëjë?

Biden tha se vaksinat “do të fillojnë të transportohen në gusht” në “gati 100 vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme”.

Një kontingjent prej 200 milionë dozash - të mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht 100 milionë njerëz - do të shpërndahet këtë vit.

Kontingjenti tjetër prej 300 milionë dozash do të shpërndahet në gjysmën e parë të vitit 2022.

Vaksinat do t'u ndahen vendeve përmes programit Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe një programi të drejtuar nga Bashkimi Afrikan.

Covax shpërndan vaksina në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

SHIKONI EDHE: Thirrje grupit G7: Shpërndaji vaksinat

Më herët, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do shpërndajnë 80 milionë doza në vendet rreth botës.

Edhe disa vende të tjera të G7-ës kanë nisur të dhurojnë doza. Përveç SHBA-së, në këtë grup bëjnë pjesë edhe Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Britania e Madhe.

Në një samit në fillim të qershorit, të organizuar nga Aleanca Globale për Vaksinim dhe Imunizim (Gavi), u njoftua se deri më tani, vendet e ndryshme kanë shpërndarë më shumë se 132 milionë doza.

Shkalla e sfidës është e madhe dhe vaksinat duhen menjëherë.

“Për të vaksinuar së paku 10% të popullsisë në çdo vend deri në shtator, na duhen 250 milionë doza shtesë”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai tha se 100 milionë nga këto doza duhen në qershor dhe korrik.

SHIKONI EDHE: Të shpërndahen vaksina në vendet e varfra, bën thirrje OBSH

“Shpërndarja e vaksinave tani është thelbësore për t'i dhënë fund fazës akute të pandemisë”, tha ai.

Synim fillestar i Covax-it ishte shpërndarja e dy miliardë dozave të vaksinave në të gjithë botën deri në fund të këtij viti, por objektivi tani është për 1.8 miliard doza në 92 ekonomi në zhvillim, deri në fillim të vitit 2022.

“Ne kemi shumë nevojë për një politikë të jashtme të SHBA-së dhe për udhëheqjen amerikane në këtë sfidë”, tha përmes një postimi në Twitter profesori Peter Hotez, ekspert i vaksinave nga Kolegji i Mjekësisë Baylor në SHBA.

Zotimet e bëra janë ende larg 11 miliardë dozave që OBSH-ja llogarit se duhen për të vaksinuar 70 për qind të popullsisë së botës.

Arritja e këtij pragu nënkupton të ashtuquajturin imunitet të tufës.

“Bota ka nevojë për fabrika të reja për të prodhuar miliarda doza më shumë brenda një viti”, shkroi në Twitter Peter Maybarduk, drejtor i Programit të Qasjes Globale në Medikamente.

Video:

Your browser doesn’t support HTML5

Gjasat e “imunitetit të tufës” në afat të gjatë

Niko Lusiani, nga organizata bamirëse Oxfam America, tha se dozat e SHBA-së janë të mirëseardhura, por ato janë “një pikë në kovë në krahasim me nevojën”.

Sipas Universitetit Johns Hopkins, i cili ndjek të dhënat për pandeminë, në të gjithë botën janë dhënë deri më tash mbi 2.2 miliardë vaksina.

Përgatiti: Valona Tela