Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do ta dërgojnë në Izrael një sistem të përparuar kundërajror dhe rreth 100 ushtarakë për të punuar me të.
Pentagoni theksoi më 13 tetor se Sistemi për Mbrojtje Terminale të Zonës në Lartësi të Lartë (THAAD), do ta forcojë mbrojtjen e fuqishme ajrore të Izraelit. Nuk është e qartë se kur do të mbërrijnë ky kundërajror dhe ushtarët amerikanë në Izrael.
Çfarë është THAAD?
THAAD-i është një nga sistemet kundërajrore më të përparuara dhe më të fuqishme në arsenalin e Shteteve të Bashkuara.
Izraeli i përdor disa sisteme kundërajrore të zhvilluara bashkërisht me Shtetet e Bashkuara – Kupolën e Hekurt, Hobën e Davidit dhe Shigjetat – për t’i shkatërruar raketat dhe dronët në lartësi dhe largësi të ndryshme.
Sistemi THAAD ka radar të përparuar që i vëren raketat në distanca më të largëta. Raketat e tij parandaluese fluturojnë më gjatë gjithashtu.
“Ky është një sistem kundërajror shumë më superior”, tha Hossein Aryan, ekspert i mbrojtjes nga Britania.
“Gama e tij është shumë [më] e gjerë” krahasuar me sistemet kundërajrore të Izraelit, sipas tij.
Pse SHBA-ja po i dërgon THAAD Izraelit?
Shtetet e Bashkuara e morën këtë vendim pasi Irani i hodhi rreth 180 raketa balistike drejt Izraelit më 1 tetor. Ky sulm, sipas ekspertëve, vuri në pah të metat e mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Aryan tha se sulmi i Iranit e nxiti Uashingtonin ta forcojë mbrojtjen ajrore të Izraelit në rast të “ndonjë sulmi të tjetër mundshëm nga Teherani”.
Breshëria e madhe raketash e Teheranit – që ishte sulmi më i madh i drejtpërdrejtë nga Irani kundër armikut të vet të përbetuar – u bë si përgjigje ndaj inkursionit të Izraelit rishtazi në Liban, si dhe si hakmarrje për vrasjen e aleatëve kyçë të Iranit në rajon.
SHIKONI EDHE: Izraeli paralajmëron se sulmi ndaj Iranit do të jetë “vdekjeprurës” dhe “befasues”Izraeli e uli rëndësinë e dëmit të shkaktuar nga sulmi i Iranit. Megjithatë, pamjet satelitore tregojnë se rreth 30 raketa balistike ranë në apo përreth bazës ajrore Nevatim në jug të Izraelit. Ato shfaqin dëmet e shkaktuara në ndërtesa dhe vrima në pistën e bazës.
Baza Nevatim strehon avionë luftarakë F-35 të prodhimit amerikan. Ekspertët thonë se raketat iraniane për pak sa nuk i goditën disa prej avionëve luftarakë të vendosur atje.
Ndërkohë, një raketë ra afër shtabit të Mossadit, agjencisë së inteligjencës izraelite, në Tel Aviv, duke e krijuar një gropë të thellë.
Izraeli është zotuar se do të përgjigjet ashpër ndaj sulmit raketor të Iranit.
SHIKONI EDHE: Si do të ndikonte në ekonominë botërore një luftë direkte Izrael-Iran?Ndërkohë, një sulm me dronë nga Hezbollahu - grupi i armatosur dhe partia politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor - i vrau katër ushtarë izraelitë në një bazë më 13 tetor.
Shahank Johsi, hulumtues nga Kings College në Londër, tha se Uashingtoni po e zhvendos kundërajrorin THAAD “sepse parashikon se hakmarrja e Izraelit ndaj sulmit raketor iranian do të jetë një sulm i madh dhe i jashtëzakonshëm”.
Kjo “ka shumë mundësi ta nxitë një sulm tjetër iranian”, shtoi ai.
Joshi, i cili është redaktor në revistën The Economist, tha se Izraeli e ka një varg opsionesh, nga sulmimi i objekteve të armatimit të Iranit te sulmimi i lidershipit apo zonave bërthamore.
“Cilindo opsion që e zgjedh, lidershipi i Iranit me gjasë do të hakmerret me forcë”, theksoi ai.