Për vite i mbajtur sekret, më pas i përcjellë nga nami i keq dhe i përmendur për 48 orë për pretendime për rebelim në Rusi e më pas tërheqje trupash, vëmendja për grupin mercenar rus, Wagner, dhe synimet e liderit të tij, Yevgeny Prigozhin, sa shkon e rritet.
Kush është grupi Wagner dhe kush lufton për të?
Grupi Wagner – i njohur zyrtarisht si PMC Wagner - është ushtri private.
Ajo është identifikuar për herë të parë më 2014, kur ka qenë duke i mbështetur forcat separatiste pro-ruse në lindje të Ukrainës.
Atë kohë, grupi ka qenë sekret, dhe ka vepruar kryesisht në Afrikë dhe Lindje të Mesme, dhe besohet se atëbotë i ka pasur vetëm 5.000 luftëtarë – kryesisht veteranë të regjimenteve elitare të Rusisë dhe forcave speciale.
Që atëherë, grupi është rritur në mënyrë të konsiderueshme.
“Wagner ka shumë mundësi që tani komandon 50.000 luftëtarë në Ukrainë dhe është bërë faktor i rëndësishëm në luftë”, ka thënë Ministria britanike e Mbrojtjes, në janar të këtij viti.
Ajo ka thënë se organizata ka nisur të rekrutojë numër të madh trupash më 2022, sepse Rusia ka pasur probleme në rekrutim të njerëzve për ushtri të rregullt.
SHIKONI EDHE: Si i rekruton Wagner luftëtarët në burgjet e Siberisë?Këshilli për Siguri Kombëtare në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se rreth 80 për qind e trupave të Wagnerit në Ukrainë janë nxjerrë prej burgjeve.
Ndonëse forcat mercenare konsiderohen ilegale në Rusi, grupi Wagner e ka regjistruar kompaninë më 2022 dhe e ka hapur selinë e re në Shën Petersburg.
“Grupi është duke rekrutuar në mënyrë aktive në qytetet ruse dhe është duke u konsideruar nga mediat ruse si organizatë patriotike”, ka thënë Samuel Ramani, nga Instituti Royal United Services.
Çfarë bën grupi Wagner në Ukrainë?
Wagner lufton përkrah ushtrisë së rregullt ruse në luftën kundër Ukrainës.
Grupi ka qenë shumë i përfshirë në kapjen e qytetit Bahmut, që gjendet në lindje të Ukrainës.
Trupat ukrainase kanë thënë se numër i madh luftëtarësh janë dërguar për të luftuar në ambiente të hapura dhe për pasojë janë vrarë shumë prej tyre.
SHIKONI EDHE: “S'e kam ditur që ka vdekur”: Mercenarë të Wagnerit po varrosen në heshtjeNë fillim të luftës, Ministria ruse e Mbrojtjes nuk e ka përmendur që grupi Wagner ka qenë i përfshirë në luftime.
Megjithatë, ajo më vonë i ka lavdëruar mercenarët e grupit për rolin “inkurajues”.
Themelet e Wagnerit
Në një hetim të transmetuesit britanik BBC përmendet që në grup ka qenë i përfshirë ish-zyrtari i ushtrisë ruse, Dmitri Utkin.
Si veteran i luftërave të Rusisë në Çeçeni, ai besohet të ketë qenë komandanti i parë i Wagnerit në terren dhe ai besohet se e ka emëruar grupin sipas nofkës që ka pasur nëpër radiolidhje.
Udhëheqës aktual i grupit është Yevgeny Prigozhin, biznesmen i pasur që njihet me nofkën “kuzhinieri i Puitinit”, sepse kompania e tij ka përgatitur ushqime për Kremlinin.
SHIKONI EDHE: Kush është Yevgeny Prigozhin?“Operacioni i parë i Wagnerit ka qenë ofrimi i ndihmës për Rusinë, që ta aneksojë Krimenë më 2014”, ka thënë Tracey German, profesoreshë për konflikte dhe siguri në Kolegjin King të Londrës.
Në javët para sulmit të Rusisë në Ukrainë, besohet se Wagneri ka kryer sulme të rreme për t’i dhënë arsye Kremlinit që ta nisë luftën.
Ku është aktiv Wagneri përveç Ukrainës?
Prej vitit 2015, mercenarët e Wagnerit kanë qenë në Siri, duke luftuar afër forcave pro-demokratike, si dhe i kanë ruajtur fushat e naftës.
Mercenarë të Wagnerit ka edhe në Libi, të cilët i mbështesin forcat e gjeneralit Khalifa Haftar.
Republika e Afrikës Qendrore e ka ftuar grupin Wagner që t’i ruajë fushat e diamanteve, dhe besohet se grupi i ruan edhe minierat e arit në Sudan.
Qeveria në Mali, në Afrikën Perëndimore, është duke e përdorur grupin Wagner kundër grupeve militante islamiste.
Prigozhini besohet se fiton para nga këto operacione të Wagnerit.
Thesari amerikan ka thënë se ai e përdor prezencën e tij për t’i pasuruar minierat, të cilat i zotëron.
Të gjitha këto entitete të tij janë të sanksionuara nga Shtetet e Bashkuara.
Përplasja e qëndrimeve mes Wagnerit dhe komandantëve ushtarakë rusë
Në muajt e fundit, Prigozhin e ka akuzuar vazhdimisht ministrin e Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe udhëheqësin e ushtrisë në Ukrainë, Valery Gerasimov, për mungesë kompetence dhe mosfurnizim të qëllimshëm të njësiteve të Wagnerit teksa luftojnë në Ukrainë.
Ministria ruse e Mbrojtjes e ka lëshuar një urdhër për kompanitë si Wagner që të nënshkruajnë kontrata për t’u përfshirë edhe zyrtarisht në ushtrinë e rregullt të Rusisë, deri në fund të qershorit.
Wagner nuk është përmendur në njoftim, mirëpo ky vendim është parë si tentim i qeverisë për të ushtruar më shumë kontroll mbi të.
Prigozhini i ka lëshuar një varg deklaratash duke thënë se forcat e tij do t’i bojkotojnë kontratat.
Përplasja ka kulmuar më 23 qershor kur Prigozhini i ka akuzuar zyrtarë të lartë rusë se i kanë bombarduar forcat e Wagnerit në Ukrainë, dhe sulmet kanë rezultuar me shumë të vdekur.
Ai nuk ka dhënë hollësi, mirëpo një ditë më vonë, trupat e tij janë nisur në Rusi dhe e kanë fituar kontrollin e selisë së ushtrisë ruse për rajonin jugor në qytetin Rostov mbi Don.
SHIKONI EDHE: Rebelimi i Prigozhinit: Banorët e Rostovit rrëfejnë përjetimetNë një pikë, trupat e Wagnerit është thënë se i janë afruar Moskës, pa u përballur me rezistencë.
Teksa situata rrezikonte të përshkallëzohej, Prigozhin i ka tërhequr trupat dhe ka thënë se ka arritur marrëveshje – të ndërmjetësuar nga lideri bjellorus, Alexander Lukashenka - për t’u larguar nga Rusia.
Marrëveshja, të cilën më vonë e ka konfirmuar Kremlini, përfshin zotimin për të mos ndjekur penalisht Prigozhinin dhe pjesëtarët e Wagnerit, në atë që Moska e ka quajtur rebelim.
Çfarë krime dyshohet të ketë kryer Wagneri?
Në janar, një ish-komandant ka kërkuar azil në Norvegji pasi ka dezertuar nga grupi mercenar.
Ai pretendon se ka qenë dëshmitar i krimeve të luftës në Ukrainë.
Tre mercenarë të Wagnerit hetohen nga prokurorët ukrainas, pasi dyshohet të kenë vrarë dhe torturuar civilë afër Kievit në prill të vitit 2022, bashkë me trupat e rregullt rus.
SHIKONI EDHE: Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së: Kreu i Wagner-it, kriminel lufteInteligjenca gjermane ka thënë se mercenarët e Wagnerit mund të kenë masakruar edhe civilët në Buça, në mars të vitit 2022.
Kombet e Bashkuara dhe Qeveria franceze i kanë akuzuar pjesëtarët e Wagnerit për kryerje të dhunimeve dhe vjedhjeve të civilëve në Republikën e Afrikës Qendrore.
Më 2020, ushtria e Shteteve të Bashkuara i ka akuzuar mercenarët e Wagnerit se kanë vendosur mina tokësore dhe pajisje tjera shpërthyese në si dhe rreth kryeqytetit të Libisë, Tripoli.