Çfarë duhet të dini për luftimet në Sudan?

Tymi duke dalë nga ndërtesat afër Aeroportit të Kartumit. 15 prill 2023.

Luftimet që kanë shpërthyer në qytetin e Sudanit, Kartum, dhe qytete tjera, janë rezultat i drejtpërdrejtë i ambicieve për pushtet brenda udhëheqësisë ushtarake të shtetit.

Si pasojë e luftimeve të 15 prillit, është thënë të kenë vdekur të paktën 50 persona, përfshirë aty edhe civilë.

Luftimet janë duke ndodhur në pika kyçe strategjike në Kartum, në mes të ushtarëve të rregullt dhe forcës paramilitare – Forca e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).

Më poshtë po i rendisim gjërat kryesore që duhet t’i dini për këtë konflikt.

Historiku i luftimeve

Prej puçit të tetorit të vitit 2021, Sudani është udhëhequr nga këshilli i gjeneralëve.

Në qendër të problemit janë dy burra ushtarakë.

Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i forcave të armatosura dhe faktikisht është edhe president i shtetit.

Si dhe zëvendësi i tij dhe lideri i forcës paramilitare RSF, gjenerali Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur edhe si Hemedti.

Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan (majtas) dhe gjenerali Mohamed Hamdan Daglo (Hemedti).

Ata nuk janë pajtuar për drejtimin që e ka marrë shteti dhe kanë propozuar udhëheqësi civile.

Por, një prej pikave bllokuese lidhet me planin për të përfshirë 100.000 pjesëtarët e forcës paramilitare në ushtri.

Pse nisën luftimet të shtunën?

Dhuna ka nisur pas disa ditësh tensione, dhe pasi pjesëtarë të forcës paramilitare janë angazhuar nëpër pjesë të ndryshme të shtetit.

Këtë veprim, ushtria e ka parë si kërcënim.

Ka pasur shpresë që tensionet mund të ulen përmes negociatave, por diçka e tillë nuk ka ndodhur kurrë.

Ende nuk është e qartë kush i ka nisur i pari të shtënat me armë zjarri në mëngjesin e së shtunës, mirëpo ka shqetësime se konflikti do të përshkallëzohet.

Diplomatët u kanë bërë thirrje të dyja palëve për armëpushim.

SHIKONI EDHE: Ushtria e Sudanit paralajmërohet që të mos formojë qeveri të njëanshme

Kush është forca paramilitare RSF?

Forca e Mbështetjes së Shpejtë (RFS) është formuar më 2013 dhe origjinën e ka në milicinë famëkeqe Janjaweed, e cila ka luftuar brutalisht me rebelët në Darfur.

Prej atëherë, gjenerali Dagalo, e ka ndërtuar një forcë të fuqishme, e cila ka intervenuar në konfliktet në Jemen dhe Libi, dhe kontrollon disa miniera të arit në Sudan.

Kjo forcë është akuzuar për abuzime me të drejta të njeriut, përfshirë masakrim të më shumë se 120 protestuesve në qershorin e vitit 2019.

Një forcë kaq e madhe jashtë ushtrisë, ka qenë burim i jostabilitetit në Sudan.

Pse udhëheq ushtria shtetin?

Luftimet e së shtunës përbëjnë episodin e fundit të tensioneve që kanë përfshirë këtë shtet, prej rrëzimit nga pushteti të presidentit Omar al-Bashir më 2019.

Nëpër rrugë janë zhvilluar protesta masive, në kërkim të largimit të tij nga pushteti – pas tri dekadave si udhëheqës – dhe më pas ushtria ka intervenuar përmes një puçi.

Mirëpo civilët kanë vazhduar të kërkojnë rolin e tyre në planin për ecje drejt regjimit demokratik.

Si rezultat, më vonë është krijuar një qeverisje mes ushtrisë dhe civilëve, por e cila është përmbysur sërish përmes një puçi, në tetor të vitit 2021.

Që atëherë, rivaliteti në mes të gjeneralit Burhan dhe gjeneralit Dagalo, sa ka shkuar e është rritur.

Për një kornizë të marrëveshjes - për të kthyer pushtetin në duart e civilëve - është arritur pajtueshmëri në dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo bisedimet për finalizim të detajeve kanë dështuar.

Çfarë mund të ndodhë tani?

Nëse luftimet vazhdojnë, atëherë ndasitë mund të thellohen dhe të përkeqësohet turbulenca politike.

Diplomatët, të cilët kanë luajtur rol kyç në tentimet për të kthyer udhëheqësinë civile në këtë shtet, do të duhet të gjejnë patjetër një mënyrë për t’i detyruar dy gjeneralët që të negociojnë.

Deri atëherë, sudanezët tjerë do të duhet të jetojnë në një tjetër periudhë pasigurie.

Përgatiti: Krenare Cubolli