Çfarë dihet për lëvizjen vehabiste në Serbi?

Aksioni policor në të cilin u vra Senad Ramoviq gjatë përpjekjeve për ta arrestuar, 17 gusht 2024.

Në Serbi janë duke u monitoruar deri në 100 persona, të cilët autoritetet i quajnë anëtarë të lëvizjes vehabiste, për shkak të dyshimeve se mund të jenë të përfshirë në terrorizëm.

Kjo u bë e ditur nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, pas vrasjes së Senad Ramoviqit më 17 gusht, gjatë një tentative për arrestim pranë Novi Pazarit, në jugperëndim të këtij vendi.

Sipas policisë, ai rezistoi gjatë arrestimit dhe qëlloi në drejtim të policëve.

Ramoviq ishte në arrati pas një sulmi terrorist që ndodhi para Ambasadës së Izraelit në Beograd, në muajin qershor.

Autoritetet dyshojnë se ai ndikoi drejtpërdrejt në radikalizimin e Millosh Zhujoviqit, sulmuesit të xhandarëve që ruanin ambasadën.

“Tani ndiej shumë frikë në mesin e qytetarëve, marrë parasysh se në Novi Pazar ka vehabistë, udhëheqës i të cilëve ishte ai [Ramoviq]. Ndjej se njerëzit, thjesht, presin se çfarë do të ndodhë tash”, thotë për Radion Evropa e Lirë Saima Rexhepefendiq nga Novi Pazari.

SHIKONI EDHE: “Ia kanë shpëlarë trurin”: Sulmi në Beograd nxori në pah radikalizimin online

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq, tha më 19 gusht se bëhet fjalë për “deri në 100 persona, të cilët janë nën monitorim, e për të cilët ekziston mundësia që të përfshihen në ndonjë lloj terrorizmi”.

“Kur dikush sheh një boshnjak me mjekër, mendon se ai është anëtar i vehabistëve apo ndonjë organizate terroriste, dhe kjo nuk është e vërtetë”, tha Daçiq për Televizionin Pink në Serbi.

Autoritetet serbe i quajnë vehabistë pjesëtarët e grupit fetar konservator selafist.

Çfarë kuptimi kanë termat selafi dhe vehabi?

Termi selafi, sidomos pas viteve ‘90 në vendet e Ballkanit Perëndimor, lidhet me termat muxhahedinë - luftëtarë nga vendet e huaja gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë - dhe vehabi.

Termi vehabi përdoret më shpesh nga ata që nuk janë pjesë e lëvizjes, ndërsa vetë anëtarët quhen selafistë, që është një term që përdoret edhe nga ndjekësit e lëvizjeve të tjera reformatore islame.

Vehabistët janë ndjekës të lëvizjes së reformës islame, të themeluar nga Muḥamed ibn Abdul-Vehhab, në shekullin XVIII në Arabinë qendrore.

Vehhabi mbronte kthimin në një formë “më të pastër” të Islamit. Kjo nënkuptonte, për shembull, ndalimin e kultit të shenjtorëve, të duhanit, të alkoolit dhe të rruajtjes.

Xhamitë e vehabistëve janë të thjeshta dhe falja e namazit zbatohet rreptësisht.

Doktrina ose praktika e tyre e besimit nuk është domosdoshmërisht problematike.

Megjithatë, një pjesë e ndjekësve të tyre janë shpesh agresivë ndaj praktikës lokale islame dhe, rrjedhimisht, institucioneve fetare islame.

Gjithashtu, disa nga këto grupe selafiste kanë formuar bashkësitë e tyre paralele për kryerjen e detyrave fetare.

Disa anëtarë të tyre kanë marrë pjesë, po ashtu, në luftërat në Siri dhe në Irak, duke i konsideruar ato si luftëra të shenjta ose xhihad.

Vazhdimi i aksioneve pas sulmit në Beograd

Edan Kaçar nga Novi Pazari thotë për Radion Evropa e Lirë se qytetarët meritojnë të dinë se çfarë ka ndodhur.

“Së paku t’i kemi disa gjëra më të qarta, sepse dëgjojmë shumëçka dhe asgjë nuk është e specifikuar. Mendoj se duhet të na japin shpjegime, sepse njerëzit janë, gjithashtu, të shqetësuar për sigurinë e tyre dhe asgjë nuk është e qartë për ta”, thotë ai.

Më 18 gusht, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë shpërndau deklaratën e ministrit Daçiq se përpjekja për arrestimin e Senad Ramoviqit, ishte vazhdimësi e aksioneve pas sulmit terrorist para Ambasadës izraelite në Beograd.

SHIKONI EDHE: “Ia kanë shpëlarë trurin”: Sulmi në Beograd nxori në pah radikalizimin online

Sipas tij, pjesëtarët e njësive speciale nuk kishin qëllim ta vrisnin Ramoviqin, por se “zbatuan ligjin”, pasi ai qëlloi në drejtim të policisë.

Në vitin 2009, Senad Ramoviq u dënua me 13.5 vjet burgim për terrorizëm, të cilin dënim e kreu.

Ai dhe 14 bashkëpunëtorë të tij u arrestuan në vitin 2007 pas një konfrontimi të armatosur me policinë në fshatin Tërnavë, afër Novi Pazarit.

Ky grup u dënua për planifikimin e vrasjes së kryemyftiut të atëhershëm të Bashkësisë Islame në Serbi, Muamer Zukorlliq, si dhe për përgatitjen e sulmeve terroriste.

Së voni, policia e lidhi atë me radikalizimin e Millosh Zhujoviqit - sulmuesit të xhandarëve para Ambasadës izraelite në Beograd.

Zhujoviq lindi në Mlladenovac, pranë Beogradit, por u konvertua në Islam dhe u transferua në Novi Pazar.

Certifikatë me të dhënat e Millosh Zhujoviqit.

Si lindi lëvizja?

Predrag Petroviq, nga Qendra joqeveritare e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), thotë për Radion Evropa e Lirë se lëvizja selafi, apo vehabi, nuk është homogjene.

Mes saj, sipas tij, ka një ndarje mes atyre që mund të karakterizohen si të dhunshëm dhe atyre që nuk janë, por që u përmbahen rregullave të rrepta fetare ultra-konservatore.

“Ajo lëvizje ka diku rreth 1.000 deri në 2.000 njerëz, ndërsa më radikalët që njihen si të dhunshëm në komunitetin lokal, janë diku rreth 100”, thotë Petroviq.

Sipas tij, Sanxhaku - një rajon në jugperëndim të Serbisë me shumicë boshnjake - është qendra e vehabizmit, pra e selafistëve, porse ka edhe në pjesë të tjera të këtij vendi, sidomos në Beograd.

Sead Biberoviq, nga organizata joqeveritare Urban e Novi Pazarit, thotë për Radion Evropa e Lirë se të ashtuquajturit vehabistë janë shfaqur në këtë qytet në fillim të viteve ‘90.

Sead Biberoviq.

“Edhe atëherë ka qenë e qartë se të gjithë këta njerëz kanë qenë një trup i huaj në qytet. Ata nuk kanë qenë bashkëqytetarët tanë," thotë Biberoviq.

I pyetur se nga kanë ardhur në Novi Pazar, ai thotë se supozon se janë nga zonat rurale dhe komunat përreth.

Shton se, mesa i kujtohet, ata kanë qenë kryesisht të rinj që i kanë mbaruar shkollat në vendet arabe, si Tunizia, Algjeria, Arabia Saudite apo Katari.

“Shumë shpejt kanë filluar të mbledhin mbështetës nga popullata vendase dhe më pas janë përhapur, derisa kemi filluar të kemi incidente me sulme fizike në xhami”, thotë Biberoviq.

Kur nisën të operonin?

Në një raport për ekstremizmin të Qendrës së Beogradit për Politika të Sigurisë (BCBP), nga viti 2022, thuhet se interpretimi konservator selafist i Islamit filloi të lëshonte rrënjë në Sanxhak pas luftërave të viteve ‘90 në territorin e ish-Jugosllavisë.

Për herë të parë, sipas këtij hulumtimi, ata u bënë të dukshëm në Novi Pazar në vitin 2002, kur shpërndanë fletëpalosje për “Islamin e pastër”.

Problemi me bindjet dhe praktikimet e tilla të fesë është se ata janë shumë radikalë..."

Në vitet në vazhdim, thuhet në raport, këto grupe hynë në xhami në disa raste dhe sulmuan besimtarët që faleshin, për shkak të dallimeve në rituale apo zakone.

Në vitin 2006, ato penguan edhe koncertin e orkestrës së Beogradit “Balkanika”.

Në të njëjtin vit kishte një përleshje të armatosur mes besimtarëve dhe vehabistëve, fillimisht në xhaminë Arap në Novi Pazar, e më pas përpara saj.

Në vitet në vazhdim, thuhet në raportin e BCBP-së, për shkak të dënimit nga pjesa tjetër e komunitetit dhe reagimit të ashpër të shtetit, këto grupe e shmangën tërheqjen e vëmendjes kah vetja.

Njëri nga autorët e këtij hulumtimi, Predrag Petroviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se prirja për dhunë ishte shumë më karakteristike në kohën kur po formohej lëvizja.

“Në atë kohë, ata ishin shumë të interesuar që t’i imponoheshin komunitetit vendas si të vetmit myslimanë të vërtetë. Ata u përpoqën, në çdo mënyrë, që t’i bindnin besimtarët e tjerë që t’i ndiqnin rregullat e tyre”, thotë Petroviq.

Sipas tij, incidentet më të dhunshme ndodhën atëkohë në komunitetin lokal boshnjak në Sanxhak.

Predrag Petroviq

Megjithatë, ai shton se, me kalimin e kohës, kjo lëvizje ka ndryshuar dhe se anëtarët e saj - në 8 deri në 10 vjetët e fundit - janë përqendruar në përhapjen e idesë dhe formës së tyre të besimit në mënyrë paqësore.

“Problemi me bindjet dhe praktikimet e tilla të fesë është se ata janë shumë radikalë dhe, më pas, individë të caktuar mund të bëjnë veprime të dhunshme”, thotë Petroviq.

Ai, po ashtu, thotë se grupi i Ramoviqit vepronte jashtë strukturave zyrtare të komuniteteve islame në Serbi.

E kujt është përgjegjësia?

Koordinatori i iniciativës akademike të Novi Pazarit “Forum 10”, Teo Taranish, thotë për Radion Evropa e Lirë se rajoni i Sanxhakut, si multikonfesional dhe multietnik, është shumë i ndjeshëm kur bëhet fjalë për incidente apo ngjarje që mund të ndodhin me sfond fetar ose kombëtar.

Në këtë kontekst, ai thotë se deklaratat e Daçiqit janë një përpjekje “për t’i zbutur pasojat” që mund t’i kenë aksionet e fundit policore në Novi Pazar, përkatësisht në territorin e Sanxhakut.

“Këto pasoja vlerësohet se mund të sjellin ekstremizëm dhe radikalizëm shtesë”, thotë Taranish.

Biberoviq, nga organizata Urban, vlerëson se që nga viti 2007, kur u arrestua grupi i Senad Ramoviqit, shteti dhe institucionet nuk kanë bërë asgjë në aspektin e parandalimit dhe edukimit.

“Përgjegjësitë kryesore janë të shtetit, të institucioneve të tij dhe të komuniteteve islame kur diçka ndodh mes pjesëtarëve të Islamit”, thotë ai.

Çfarë thonë nga bashkësitë islame?

Udhëheqësi i Bashkësisë Islame të Serbisë, Senad Halitoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se çdo lloj ekstremizmi është i papranueshëm për Islamin.

...Puna jonë është të përpiqemi ta rikthejmë një bashkësi unike islame".

“Bashkësitë islame u përçojnë njerëzve porositë fetare - larg çdo mësimi të devijuar - dhe kjo është detyra jonë”, thotë ai.

Halitoviq shton se ekzistenca e dy ose më shumë bashkësive islame krijon një hendek të caktuar dhe u jep grupeve të caktuara të drejtën për të marrë përsipër interpretimin e Islamit.

“Ne mund të përpiqemi që t’i shtypim disa pikëpamje të gabuara të Islamit dhe puna jonë - kryesisht në territorin e Sanxhakut dhe të Serbisë - është të përpiqemi ta rikthejmë një bashkësi unike islame. Kjo është një nga mënyrat për të pasur më shumë forcë për të luftuar kundër lëshimeve të tilla”, thotë Halitoviq.

Në Serbi ekzistojnë dy bashkësi islame. E dyta është Bashkësia Islame në Serbi, e cila nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment, pas vrasjes së Senad Ramoviqit në operacionin policor.

Më herët, pas sulmit para Ambasadës izraelite, kreu i këtij komuniteti, Mevlud Dudiq, i tha Radios Evropa e Lirë se ngjarjet e fundit në Beograd janë shembull i abuzimit brutal të fesë, sepse Islami është fe e paqes, e bashkëjetesës, e tolerancës dhe e respektit për të gjithë njerëzit dhe jetën e tyre.

Kontribuoi: Meliha Keshmer; përktheu: Valona Tela