Tri ditë zie në Mal të Zi pas masakrës në Cetinjë

Skene nga vendi i krimit ne Cetinje të Malit të Zi. 12 gusht 2022.

Të shtunën, më 13 gusht, Qeveria e Malit të Zi shpalli tri ditë zie në gjithë territorin e vendit, pas tragjedisë në Cetinjë.

Nga të shtënat që ndodhën të premten në lagjen Medovina të Cetinjës mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre edhe sulmuesi.

Në mesin e vrarëve janë edhe dy fëmijë.

Ndërsa gjashtë persona janë duke u trajtuar në spital, tre prej të cilëve janë në rrezik për jetë.

Drejtori i policisë, Zoran Bërgjanin, ka thënë se sipas informacioneve të policisë, rreth orës 15:30 të datës 12 gusht, 34-vjeçari me inicialet V.B. nga Cetinja ka qëlluar me armë në drejtim të një familjeje, anëtarët e të cilës ishin qiramarrës në shtëpinë e tij, në vendbanimin Medovina.

“Në këtë rast, duke përdorur armën e zjarrit – pushkë gjuetie – ka marrë jetën e dy fëmijëve, njëri tetë dhe tjetri 11 vjeç dhe ka plagosur nënën e tyre, e cila vdiq në spital nga plagët e marra. Më pas ai ka dalë dhe ka qëlluar banorët të kësaj lagjeje me të njëjtën armë zjarri, me ç’rast u ka marrë jetën shtatë personave të tjerë, ndërsa gjashtë të tjerë i ka plagosur”, ka shpjeguar Bërgjanin.

Nga shkëmbimi i zjarrit është plagosur rëndë një polic, ka deklaruar drejtori i policisë, duke shtuar se nuk dihet se çfarë e ka motivuar V.B. që ta kryejë këtë akt, me ç'rast edhe ai vetë është privuar nga jeta.

SHIKONI EDHE: Nga tragjedia në Cetinjë mbetën të vrarë 11 persona, mes tyre edhe sulmuesi

Në përputhje me vendimin e Qeverisë, ditë zie janë e shtuna, e diela dhe e hëna.

“Në ditët e zisë, në përputhje me Ligjin për simbolet shtetërore, flamujt do të jenë në gjysmështizë në të gjitha objektet e organeve shtetërore dhe institucioneve publike”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet në njoftim, në ditët e zisë nuk do të zhvillohen programe kulturore dhe argëtuese në ambiente publike dhe nuk do të transmetohet muzikë në ambientet e hotelierisë.

Patriarku Porfirije shtyn vizitën e tij në Herceg Novi

Për shkak të tragjedisë në Cetinjë, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije Periq, ka shtyrë vizitën e tij në Herceg Novi.

Herceg Novi është qytet bregdetar në Malin e Zi.

Vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe ishte planifikuar më 14 dhe 15 gusht, ndërsa e njëjta është shtyrë për për 29 dhe 30 gusht.

Vizita ishte planifikuar me rastin e 640-vjetorit të themelimit të qytetit.

Tragjedia në Cetinj është ngjarja më vdekjeprurëse në dekadat e fundit në Mal të Zi teksa ndodhi në kulmin e sezonit turistik.