Nimetz në Shkup për propozimin grek rreth çështjes së emrit

Matthew Nimetz

Ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara në bisedimet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit, Matthew Nimetz po qëndron në Shkup. Ai është shprehur optimist rreth rrjedhës së takimeve që pritet të realizojë me zyrtarët e lartë të Maqedonisë.

Nimetz po qëndron në Shkup pas realizmit të takimeve intensive me zyrtarët e lartë të Athinës gjatë dy ditëve të fundit.

“Kishim takime të mira në Athinë. Shpresoj që të kemi takime të mira edhe këtu. Me padurim pres realizimin e takimeve me përfaqësuesit e Qeverisë dhe figurat udhëheqëse të vendit”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Mile Boshnjakovski ka theksuar se është koha e duhur për zgjidhjen e kontestit të emrit që ka Maqedonia me Greqinë.

“Shumë herë kemi theksuar se pikërisht tani është koha e duhur që të gjendet një zgjidhje”, ka thënë ai.

Boshnjakovski ka bërë të ditur se me vendim të Qeverisë së Maqedonisë do të bëhet riemërimi i Aeroportit të Shkupit dhe autostradës që lidhë Maqedoninë me Greqinë, gjë që ishte paralajmëruar edhe në Davos në takimin mes kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev dhe homologut të tij grek, Alexis Tsipras.

“Do të duhet të sillet vendim në Qeveri dhe kjo do të ndodhë në periudhën e ardhshme, shumë shpejtë", ka theksuar zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë.

Your browser doesn’t support HTML5

"Bie Aleksandri i Madh"

Ai njëherësh ka komentuar propozimin e shefit të diplomacisë greke, Nikos Kotzias për ofrimin e një marrëveshje nga ana e Greqisë për çështjen e emrit, për të cilën tha se po punohet në të gjitha aspektet e zhvillimit të negociatave për të ardhur deri tek një zgjidhje.

Ndryshe, shefi i diplomacisë greke, Kotzias kishte paralajmëruar përpilimin e një marrëveshjeje katër pikëshe, të cilën Qeveria e Greqisë do t’ia dorëzonte Qeverisë së Maqedonisë nga mesi i shkurtit.

Me këtë projekt, ai ka thënë se e ka njoftuar edhe ndërmjetësuesin e OKB-së.

Oferta nga pala greke për një marrëveshje mes dy vendeve vjen në kohën kur po intensifikohen aktivitetet e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe zyrtarëve të lartë të dy vendeve fqinje, Maqedonisë dhe Greqisë, për zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve për çështjen e emrit.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë kanë theksuar se shpallja publike e qëndrimeve përfundimtare mund të zvogëlojë hapësirën për bisedime.

“Nga ana jonë ka vullnet të mirë për zgjidhje të pranueshme reciproke e cila do t’i respektojë interesat, dinjitetin dhe identitetin e dy popujve. Për të arritur deri në zgjidhje do të duhet vullnet i mirë edhe nga ana tjetër”, theksohet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se veprimet e të dyja palëve duhet të jenë të kujdesshme në këtë fazë, në mënyrë që të mos e dëmtojnë procesin dhe zgjidhjen e kontestit.

Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Kërkime Politike në Shkup tha për Radion Evropa e Lirë se propozimi i shefit të diplomacisë greke vjen në një kohë shumë delikate dhe nga opinioni maqedonas mund të merret si ofertë “merre ose lëre“ .

“Është paksa e çuditshme kjo marrëveshja e cila përflitet, sepse mendoj se marrëveshja duhet të dalë si propozim i të dyja palëve që janë të përfshira në konflikt, dhe jo vetëm si ofertë e palës greke të cilën pala maqedonase duhet ta pranojë ose jo”, thotë Boxhinovski.

Por, Bekim Kadriu ligjërues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Tetovës thotë se kontesti për zgjidhjen e emrit po hyn në fazën finale, dhe palët duhet ta mbyllin këtë çështje me një marrëveshje pavarësisht se nga cila anë ajo iniciohet.

“Detajet lidhur me marrëveshjen eventuale që duhet ta zgjidhin kontestin duket se tashmë po dalin në sipërfaqe. Me këtë marrëveshje detyrimisht të dy shtet fqinje, sidomos Maqedonia do të duhet të rregullojë të gjitha detajet për të mos lënë hapësirë për interpretime të ndryshme në të ardhmen”, konsideron Kadriu.

Ndryshe, ndërmjetësuesi i OKB-së për çështjen e emrit, zhvillon takime në Shkup me presidentin e shtetit, Gjorge Ivanov, kryeministrin Zoran Zaev, ndërsa do të ketë takime edhe me ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, me kryetarin BDI-së, Ali Ahmeti dhe me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.