Certifikatat e vaksinimit nga Kosova ende nuk po njihen nga Bashkimi Evropian dhe kjo për shkak të mospërmbushjes së kushteve teknike.
Kështu kanë thënë burimet nga Bashkimi Evropian për Radion Evropa e Lirë.
Këto burime thonë se përgatitjet janë në vazhdim e sipër dhe se kur të përmbushen kushtet, edhe Kosova e Bosnja e Hercegovina mund të përfshihen në këtë sistem.
Para dy ditësh, Mali i Zi iu bashkua këtij sistemi ndërsa më herët këtë e kishin bërë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Përfshirja e shteteve të treta në listën e Certifikatës Digjitale të Vaksinimit të BE-së mundësojnë që certifikatat e vaksinimit të lëshuara në ato vende me automatizëm njihen edhe në vendet e Bashkimit Evropian.
Kjo do të thotë se në secilin institucion, lokal apo vend në BE, QR kodet nga to do të mund të lexohen sikurse edhe të gjitha vërtetimet e ngjajshme të lëshuara nga autoritetet e vendeve anëtare.
Mospërfshirja e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës në këtë sistem tashmë po krijon pengesa praktike për ata që udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian.
“Që nga fillimi i pandemisë BE-ja ka dëshmuar përkushtimin për ta trajtuar rajonin e Ballkanit Perëndimor si partner të privilegjuar, duke i përfshirë ata në mekanizmat dhe instrumentet e BE-së në kontekstin e pandemisë COVID- 19”, ka thënë Christian Wigand, zëdhënës i Komisionit Evropian për çështje ligjore.
Ky zëdhënës i Komisionit Evropian ka nënvizuar se ekspertët e BE-së kanë pasur takime shqyrtuese me të gjithë partnerët nga rajoni dhe procesi është në vazhdim e sipër.
Ai ka thënë se BE-ja shpreson se “më shumë partnerë nga rajoni së shpejti t’i bashkohen këtij sistemi të BE-së”.
Më 16 dhjetor, Radio Evropa e Lirë ka raportuar se qytetarët e Kosovës, nga janari i vitit të ardhshëm, mund të mos lejohen të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian, pasi blloku nuk i njeh ende certifikatat e vaksinimit kundër koronavirusit, të lëshuara në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës kishte thënë se problemi me certifikatat është i natyrës teknike.
“Jemi në fazën kur duhet të bëhet i lexueshëm kodi QR offline [pa qenë të lidhur në internet]. Aktualisht është i lexueshëm vetëm online. Çështja ka të bëjë me aspektin teknik”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dafina Gexha, zëvendësministre e Shëndetësisë.
I ashtuquajturi kod QR, kur skanohet, ofron informacione për llojin e vaksinës së marrë, numrin e dozave dhe vendin e vaksinimit.
Rikujtojmë se BE-ja, nga 10 janari, synon t’i ndalojë të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar me dozën e tretë të vaksinës. Aktualisht, për të hyrë në njërin nga vendet e bllokut mjafton testi negativ PCR i koronavirusit.
Vendimin përfundimtar për udhëtime nga jashtë, BE-ja pritet ta marrë në fund të dhjetorit.
SHIKONI EDHE: BE-ja njeh certifikatën për COVID-19 të Malit të Zi