Autoritetet çeke e cilësojnë TikTok-un si kërcënim sigurie

Logoja e aplikacionit TikTok.

Mbikëqyrësit kibernetikë çekë lëshuan një paralajmërim për përdorimin e rrjetit social TikTok, duke iu bashkuar autoriteteve të tjera perëndimore në cilësimin e këtij aplikacioni në pronësi kineze si një kërcënim sigurie.

Shumë vende kanë shprehur shqetësimin se TikTok mund t'u sigurojë autoriteteve kineze qasje në të dhënat personale të përdoruesve.

“Agjencia është e shqetësuar për një kërcënim të mundshëm të sigurisë që vjen nga përdorimi i TikTok-ut, kryesisht për shkak të sasisë së të dhënave të përdoruesve të mbledhura nga aplikacioni dhe mënyrës në të cilën trajtohen të dhënat”, tha Agjencia Kombëtare Kibernetike dhe e Sigurisë së Informacionit në Çeki (NUKIB).

ByteDance, kompania e afërt e TikTok, "qëndron nën juridiksionin ligjor të Republikës Popullore të Kinës", vazhdoi NUKIB, duke shtuar se kjo është shqetësuese.

Një projektligj për të nxjerrë jashtë ligjit softuerin, të cilin punonjësit e Qeverisë amerikane nuk lejohen ta shkarkojnë në pajisjet e tyre, është paraqitur nga ligjvënësit amerikanë.

SHIKONI EDHE: Rritet lista e vendeve që bllokojnë TikTok-un në SHBA

Qeveria çeke, edhe pse është pjesë e BE-së, nuk ka vendosur ndonjë ndalim deri më tani.

Kina u cilësua si një kërcënim i rëndësishëm për hapësirën kibernetike çeke nga Agjencia Kombëtare e Inteligjencës së vendit (BIS) në një raport të publikuar vitin e kaluar.

“Teknologjitë kineze që depërtojnë në rrjete interneti të rëndësishme të infrastrukturave shtetërore... mund të vlerësohen si një kërcënim i madh i sigurisë”, u tha në raport.