Votohet në parim Byroja për Konfiskimin e Pasurisë

Kuvendi i Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Në Kuvendin e Kosovës është votuar në lexim të parë projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e pushtetit, 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës.

Ndër deputetët që ka abstenuar është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Me këtë projektligj parashihet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do të bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

SHIKONI EDHE: Cili do të jetë mandati i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë? 

Kryeministri Albin Kurti tha se është e rëndësishme që të takohen si subjekte politike.

“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta”, duke shtuar se byroja dhe vettingu nuk janë e njëjta gjë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në lexim të dytë, do të adresohen edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk e mbështet Qeverinë, nëse nuk ka gjithëpërfshirje.

“Ju keni kërkuar gjithëpërfshirjen edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje... Ju, kryetar i Kuvendit, keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe këtë ndërmarrjen tuaj e kemi vlerësuar këtu në Kuvend”, ka thënë ai, duke shtuar se “jam vullnetar në verifikimin e pasurisë, vërejtjet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për ta bërë reformën njëmend”.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se për reformën në drejtësi është i rëndësishëm konsensusi politik.

“Konsensusin për reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm... mendoj që këtu edhe Qeveria duhet të reflektojë”, ka thënë Tahiri.

SHIKONI EDHE: Qeveria: Komisioni i Venecias jep dritën e gjelbër për vetting në drejtësi

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Aelancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se janë darkorduar që pronësinë mbi vettingun ta marrë Kuvendi i Kosovës.

“Nuk mund ta bëjë as vettingun e as këto ligje një parti”, ka thënë Besnik Tahiri duke shtuar se nëse pozita hyn në këtë proces pa koordinim, atëherë ata nuk do ta mbështesin.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili e ka dërguar këtë projektligj në Komisionin e Venecias,a ka deklaruar se i ka pritur opinionet e këtij komisioni dhe se i ka lexuar ato me vëmendje.

Ndryshe, projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.

Projektligji thotë se Byroja udhëhiqet nga drejtori i përgjithshëm që votohet nga Kuvendi i Kosovës me shumicën e votave të deputetëve të pranishëm. Votimi për zgjedhjen e drejtorit bëhet në mënyrë të fshehtë. Mandati i drejtorit është pesëvjeçar.

Sipas projektligjit, për fillimin e procedurës për verifikim vendos drejtori i byrosë, dhe pastaj byroja vazhdon me mbledhjen dhe hulumtimin e dokumentacionit relevant për rastin.

Në anën tjetër, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), kishte vlerësuar se qëllimi i projektligjit është legjitim, por në disa aspekte nuk e respekton Kushtetutën e Kosovës.

Jeton Hasani, hulumtues i lartë në këtë institut, kishte thënë se projektligji përmban të meta të caktuara në aspektin juridik, duke filluar nga zgjedhja e drejtorit të përgjithshëm.

Sipas tij, drejtori i kësaj byroje është autoriteti kryesor për fillimin e procedurave të verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë dhe zgjidhet me shumicë të thjeshtë nga Kuvendi. Njëherësh, sipas tij, drejtori i kësaj byroje mund të shkarkohet lehtësisht.

Sipas ministres Haxhiu, në konstatimet e Komisionit të Venecias rekomandohet ndërmarrja e veprimeve për ndryshimet e nevojshme ligjore dhe kushtetuese, në mënyrë që të arrihet rezultati i synuar për një gjyqësor me integritet profesional dhe efikas.

“Komisioni rekomandon fillimisht verifikimin e niveleve të larta në gjyqësor dhe në prokurori, përmes një mekanizimi të jashtëm, pra nivele të larta duke filluar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si dhe kryetarëve të të gjitha gjykatave dhe kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive”.