Punëtorët të cilët kanë humbur punën gjatë pandemisë mund të mos marrin nga 300 euro për tre muaj, ashtu siç parashihet në Ligjin për rimëkëmbje ekonomike, nëse nuk miratohet Projektbuxheti për vitin 2021.
Po ashtu, nuk do mund të ekzekutohet as granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare për bizneset të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të pandemisë së koronavirusit, thotë zëvendësministri në detyrë i Financave, Agim Krasniqi.
Në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, që është miratuar më 4 dhjetor në Kuvendin e Kosovës, të gjithë punëtorët e sektorit privat, të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, duhet të paguhen nga ana e qeverisë me nga 300 euro, së paku për tre muaj.
Miratimi i buxhetit për vitin 2021 po kërkohet të bëhet para se të shpërndahet kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që e shpalli jokushtetuese zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Avdullah Hoti.
Azemi: Punëtorët e larguar me padurim presin mjetet e premtuara
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së pavarur të sektorit privat, thotë për Radion Evropa e Lirë se punëtorët e larguar nga puna me padurim po presin marrjen e mjeteve të premtuara nga qeveria në detyrë, pasi kjo do ishte një ndihmë për ta.
Ai tha se që nga 13 marsi, kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus në Kosovë dhe pas hyrjes në fuqi të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19, rreth 60 mijë punëtorë që kanë humbur vendet e tyre të punës.
“Punëtorët kanë pritje të mëdha që mjetet do ndahen shpejtë sepse ata nuk e dinë se Ligji për rimëkëmbje ekonomike nuk mund të zbatohet pa miratimin e buxhetit 2021”, tha Azemi.
SHIKONI EDHE: Të pabarabartë para ligjitEdhe Berat Rukiqi nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se Projektbuxheti për vitin 2021 duhet të miratohet para shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, pasi granti i qeverisë prej 200 milionë eurosh do të lehtësonte punën e bizneseve.
“Të gjitha bizneset janë në pritje dhe do të ishte një zhgënjim dhe goditje e madhe për bizneset”, thekson ai.
Krasniqi: Nuk mund të ekzekutohen mjetet
Në anën tjetër, Agim Krasniqi, zëvendësministër në detyrë i Financave, thotë për Radion Evropa e Lirë, se asnjë masë si ndihmë direkte nga qeveria nuk mund të fillojë pa u miratuar buxheti për vitin 2021.
“Nëse nuk miratohet Ligji për buxhetin, te pjesa e rimëkëmbjes ekonomike nuk mund të zbatohet asnjë masë e cila është e lidhur me çështjet e financave publike. Zbatohen vetëm masat tjera, që janë tërheqja e mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës apo Fondi për Garantim të Kredive dhe politikat tjera që nuk janë të lidhura me buxhet. Po asnjë masë që është ndihmë direkte nga qeveria nuk mund të fillojë pa u miratuar buxheti 2021”, tha Krasniqi.
SHIKONI EDHE: Vite për t'u rimëkëmbur ekonomiaKryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se ka kontaktuar me të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës dhe pret përgjigje dhe gatishmëri për këtë çështje.
“Jemi në një situatë specifike, në prag të zgjedhjeve, nuk është mirë që të hyjmë në muajin janar pa buxhet të miratuar. Një draft-buxhet i përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme është në kuvend, le të urdhërojnë grupet parlamentare nëse kanë sugjerime të ndryshme në atë draft-buxhet dhe ta miratojnë”, tha Hoti të mërkurën gjatë një vizite që i bëri organizatës joqeveritare, “Hendikos”.
Murati: Nuk mund të votohet Projektbuxheti i një qeverie antikushtetuese
Por, Hekuran Murati, deputet në Kuvendin e Kosovës nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje, shprehet se është e pamundur që Projektbuxheti i një qeverie në detyrë, që siç shprehet ai është një “qeveri ilegale dhe antikushtetuese”, të hidhet në votim.
“Është e domosdoshme që data e zgjedhjeve të caktohet sa më herët që është e mundshme, me qëllim që një qeveri e re, me legjitimitet të plotë të mund të dorëzojë buxhetin e ri në kohë”, tha Murati.
Kurse, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, deri më tani nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë se a do votojnë Projektbuxhetin para shpërndarjes së kuvendit.
SHIKONI EDHE: Reagimi i BE-së: Të miratohet sa më parë buxheti i KosovësThirrje për miratim të buxhetit përpara zgjedhjeve të reja parlamentare ka bërë edhe Bashkimi Evropian.
“Është posaçërisht e rëndësishme që buxheti për vitin 2021 të miratohet dhe kalohet nga kjo përbërje e kuvendit, sa më parë që të jetë e mundur”, tha një zëdhënës i BE-së.
Projektligji për ndarje buxhetore është sjell në kuvend nga ana e qeverisë dhe ndodhet në shqyrtim të Komisionit parlamentar për buxhet dhe transfere.
MSH: Sigurimi i vaksinës nuk rrezikohet
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka deklaruar të martën, më 22 dhjetor, se buxheti është i ndërlidhur edhe me blerjen e vaksinës kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.
Megjithatë, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se procesi i sigurimit të vaksinës nuk rrezikohet pa marrë parasysh se si do të zhvillohen ngjarjet rreth Projektbuxhetit 2020.
SHIKONI EDHE: Negociatat konfidenciale për vaksinën“Ligji për luftimin e pandemisë COVID-19 i obligon institucionet që të sigurojnë mbështetjen financiare për vaksina dhe mjete të tjera mbrojtëse kundër COVID-19. Për më tepër, vaksinat e para do të merren donacion, derisa për të tjerat, janë paraparë mjete dhe mekanizma financimi”, tha zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti pa specifikuar se cilat janë ato mekanizma.
Projektligji për buxhetin për vitin e ardhshëm është projektuar në vlerë prej 2.4 miliardë euro.
Në bazë të procedurave ligjore, afati përfundimtar kur duhet të miratohet Projektbuxheti për vitin 2021 nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është data 31 dhjetor.
Nëse buxheti nuk miratohet deri në këtë datë, në bazë të procedurave ligjore, kuvendi me anë të një vendimi, mund të autorizojë vazhdimin e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal.
Ligji për ndarjet buxhetore i vitit të kaluar fiskal, në asnjë rast, nuk mund të vazhdojë të zbatohet për më gjatë se tre muaj të vitit të ardhshëm fiskal.