Dy vëllezër pakistanezë, që po mbaheshin për më shumë se dy dekada nga Shtetet e Bashkuara në burgun ushtarak në Gjirin e Guantanamos, janë liruar nga zyrtarët amerikanë dhe janë kthyer në shtëpi.
Ata do të bashkohen me familjarët e tyre pasi të jenë marrë në pyetje nga autoritetet pakistaneze, thanë zyrtarët e sigurisë dhe një senator pakistanez.
Pakistani kishte arrestuar më 2002 në Karaçi, Abdul dhe Mohammed Rabbanin nën dyshimet për lidhet e tyre me al-Kaidën. Arrestimi i vëllezërve ndodhi në të njëjtin vit kur Ramzi Binalshibh, një lider i lartë i al-Kaidës, u arrestua nga agjencia pakistaneze e spiunazhit, pas një informacioni të pranuar nga Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA).
Lirimi i vëllezërve Rabbani vjen disa muaj pasi pakistanezi, Saifullah Paracha, 75 vjeç, u lirua nga qendra e paraburgimit në Guantanamo.
SHIKONI EDHE: Bidenit i kërkohet të mbyllë burgun ushtarak të GuantanamosDy vëllezërit arritën në aeroportin e Islamabadit të premten. Senatori pakistanez, Mushtaq Ahmed Khan, që është kryetar i komitetit për të drejtat e njeriut në Parlamentin pakistanez, përmes Twitterit njoftoi për arritjen e tyre në Pakistan.
Ai tha se vëllezërit Rabbani “ishin burgosur padrejtësisht për 21 vjet në Gjirin e Guantanamos. Ata nuk dolën para gjyqit dhe nuk kishte asnjë akuzë të ngritur ndaj tyre. Urime për lirimin e tyre”, shkroi ai në Twitter.
Khan më vonë tha për Associated Press se vëllezërit u dërguan në Karaçi, ku ata jetojnë. Ai tha se pret që ata të bashkohen shumë shpejt me familjen e tyre.
Lirimi i vëllezërve pakistanezë është vendimi i fundit i SHBA-së drejt zbrazjes dhe mbylljes së qendrës së ndalimit në Guantanamo. Administrata e ish-presidentit amerikan, George W.Bush, e kishte ngritur këtë qendër për të vendosur aty ekstremistët e dyshuar pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 të kryera nga al-Kaida në SHBA.
SHIKONI EDHE: Rinisin procedurat gjyqësore kundër të pandehurve për sulmet e 11 shtatoritZyrtarët amerikanë kanë akuzuar vëllezërit se kishin ndihmuar anëtarët e al-Kaidës dhe i kishin strehuar ata dhe u kishin ofruar mbështetje logjistike. Vëllezërit dyshohet se janë torturuar nga CIA gjatë mbajtjes para se të transferoheshin në Guantanamo. Sipas të dhënave të ushtrisë amerikane, dy vëllezërit kishin dhënë pak informacione të vlefshme të inteligjencës.
Më së shumti persona në Guantanamo kishte pasur më 2003, përkatësisht atëbotë kishin qenë të burgosur 600 persona që SHBA-ja i konsideronte terroristë.
Aktualisht në Gjirin e Guantanamos janë 32 të burgosur, përfshirë 18 që kanë të drejtë të transferohen në shtete të treta nëse ato pranojnë t’i strehojnë, ka thënë Pentagoni. Shumica prej të burgosurve janë nga Jemeni. Nëntë prej të burgosurve janë duke u përballur me gjyq që udhëhiqet nga ushtria, ndërkaq dy janë dënuar.