Burgu i Prishtinës shndërrohet në muze

Në ish-qendrën e paraburgimit në Prishtinë janë vendosur fotografi e materiale të ndryshme, në kujtim të përjetimeve të ish të burgosurve poitikë në kohën e regjimit serb. 

Burgu i Prishtinës është shndërruar në muzeun "Burgu i Idealit" , teksa aty është hapur një ekspozitë e përkohshme, e cila do të mundësojë që ky burg të shndërrohet plotësisht në muze, kanë thënë nga Ministria e Kulturës. 

Ilmi Ramadani, i burgosur në këtë burg në vitin 1976, viziton ekspozitën. 

Ministria e Kulturës ka bërë të ditur për REL-in se është ruajtur struktura origjinale e burgut, por janë kryer vetëm intervenime të vogla me video, fotografi, artefakte e të tjera të ish të burgosurve gjatë periudhës së regjimit serb.
 

Martin Quni viziton burgun ku ka vuajtur nëntë vjet burgim. Ai ishte burgosur në vitin 1963. 

Në Burgun e  Prishtinës janë mbajtur veprimtarët politikë, aktivistët dhe disidentët të cilët kanë qenë kundër regjimit të Serbisë.

Ndërtesa e Burgut të Prishtinës ka qenë e mbyllur që nga viti 2015. 

Ministria e Kulturës ka në plan që të bëjë restaurimin e burgut, me qëllim të konservimit të tij. Por, ende nuk është vendosur nëse ai do të mbyllet  krejtësisht apo pjesë-pjesë, dhe të vazhdohet me vizita në ekspozitën e përkohshme. 

 

Mbi 9,000 persona, që nga viti 1945, kanë vuajtur dënimet në këtë burg. 
 

Aktualisht është hapur vetëm kati i parë i burgut, ku po shfaqet ekspozita "Burgu i Idealit". 

“Ajo ndërtesë [Burgu i Prishtinës] edhe po të mos ketë asnjë fjalë përshkruese, ka peshën e vet emocionale që sapo të hyjnë vizitorët e kuptojnë menjëherë historinë e rëndë të saj”, tha për REL-in, këshilltarja e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rozafa Imami.

Në korridoret dhe qelitë e burgut janë vendosur edhe informacione të ndryshme për historikun e kësaj ndërtese. 

Qytetarët mund ta vizitojnë ekspozitën "Burgu i Idealit" nga ora 10 deri 19, çdo ditë përveç të hënave.

Në Prishtinë më 12 korrik është hapur muzeu “Burgu i Idealit”, që është ish-qendra e paraburgimit gjatë kohës së regjimit serb, ku mijëra ish të burgosur shqiptarë kanë përjetuar trajtime çnjerëzore. Në hapësirat e këtij burgu janë vendosur fotografi, video, e artefakte të tjera të ish të burgosurve, për të treguar përjetimet e tyre gjatë qëndrimit në këtë burg. Ministria e Kulturës tha se ka marr materiale të nevojshme nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, përfshirë edhe mbi 9,000 emra të ish të burgosurve nga viti 1945. Muzeu do të punojë me orar të plotë nga ora 10 deri 19, çdo ditë përveç të hënave, ku vizitorët do të priten nga një ciceron i angazhuar me orar të plotë.