Qeveria e re në Bullgari ka miratuar pakon e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën, njoftoi Këshilli i Ministrave më 26 qershor.
Paketa e re e ndihmës u miratua në përputhje me vendimin e Parlamentit bullgar e dhjetorit të vitit 2022.
Deri pak kohë më parë, presidenti Rumen Radev, dhe Qeveria në detyrë e emëruar nga ai, kishin kundërshtuar dërgimin e pakos së re me ndihmë ushtarake, por edhe që municionet dhe armët që prodhohen në Bullgari të shkonin në Ukrainë.
Këshilli i Ministrave i Bullgarisë tha se pakoja e ndihmës është konform pakos së dërguar në fund të vitit 2022.
“Me ofrimin e kësaj ndihme, stoqet e forcave të armatosura të Bullgarisë nuk do të dëmtohen”, tha po ashtu Qeveria.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja “e shqetësuar” me deklaratat e presidentit bullgar për KrimenëSe çfarë lloje armësh do t’i dërgohen Ukrainës nuk është bërë e ditur. Por, javën e kaluar, ministri i ri i Mbrojtjes, Todor Tagarev, i tha Radios Evropa e Lirë se paketa e re e ndihmës ushtarake do të përfshijë municione, të cilat nëse nuk përdoren tani do të dalin jashtë përdorimit brenda disa ditësh.
Bullgaria është një prej shteteve në Evropën Lindore që ka stoqe dhe prodhon mocione për armët e epokës sovjetike, që ushtria ukrainase i përdor.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, disa parti, por edhe presidenti Rumen Radev kanë kundërshtuar dërgimin e ndihmës në Ukrainë, duke argumentuar se kjo e fut Bullgarinë në luftë.