Hapja e një klubi kulturor maqedonas në Bullgari rrit tensionet mes dy shteteve

Mbështetësit e VMRO-DPMNE, partisë më të madhe opozitare të Maqedonisë së Veriut mbajnë pankarta derisa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i drejtohet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, në Shkup. 14 korrik 2022.

Në qytetin e Bllagoevgradit në Bullgari më 30 tetor është hapur një klub kulturor maqedonas me emrin “Nikolla Vapcarov”, si kundërpërgjigje ndaj hapjes së klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, me emra të disa personaliteteve nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që kontestohen nga pala maqedonase.

Klubi kulturor maqedonas në Bllagoevgrad është hapur nga shoqata “OMO Ilinden Pirin”, e cila tubon pjesëtar të pakicës maqedonase, por nuk njihet nga autoritetet bullgare.

Në një deklaratë për media, përfaqësuesi i klubit, Atanas Maznov tha se hapja është bërë “me qëllim të afrimit të dy popujve". Ai tha se shpreson se derisa bullgarët do të hyjnë në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, edhe minoriteti maqedonas në Bullgari do të fitojë të drejtat e tyre.

“Ky është një klub që do të ndihmojë Bullgarinë të njohë kulturën maqedonase, e bashkë me të edhe popullin maqedonas. Ky klub vërtet mund t'i bashkojë njerëzit dhe të kapërcejë dallimet”, tha Maznov.

Në hapjen e klubit kanë marrë pjesë edhe liderët e partive opozitare maqedonase, Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO DPMNE-së dhe Dimitar Apasiev, kryetar i partisë “E Majta” dhe përfaqësues të kabinetit të presidentit, Stevo Pendarovski.

“Në shekullin 21 askush nuk duhet të ketë dilemë dhe as të flasë fare. E drejta për vetëvendosje duhet respektuar. E drejta jonë për vetëvendosje si maqedonas është e pacenueshme dhe e garantuar me të gjitha aktet ndërkombëtare. Prandaj jemi sot këtu për të mbështetur maqedonasit tanë në Bullgari”, tha Mickoski.

SHIKONI EDHE: Sofja distancohet nga fyerjet e eurodeputetit bullgar ndaj maqedonasve

Përfaqësues të qeverisë kanë refuzuar pjesëmarrjen pasi dyshojnë se pas klubit qëndrojnë persona që synojnë “rritjen e tensioneve mes dy shteteve”.

Nga Qeveria kanë thënë se në të ardhmen planifikojnë hapjen e një klubi të ri, por në bashkëpunim me institucionet e Bullgarisë.

Hapja e klubeve ka shkaktuar polemika të vazhdueshme mes dy vendeve duke i quajtur provokime të qëllimshme, ndërsa vendimin e Qeverisë maqedonase për ndalimin e regjistrimit të tyre - Sofja e ka vlerësuar si “cenim të të drejtave të pakicës bullgare”.

Klubi është hapur nën masa të shtuara të sigurisë pasi Lëvizje Kombëtare Bullgare-VMRO kishte organizuar një protestë, ndërsa drejtuesit e komunës së Bllagoevgradit thanë se ngritja e një qendre me emrin e “Nikolla Vapcarovit në qytetin e tyre paraqet “provokim të rëndë nga organizata jolegjitime”.

Hapja e klubeve të tilla kontestohet për shkak të emrave që mbajnë.

Klubet bullgare në Maqedoninë e Veriut janë hapur me emrat “Car Borisi i Tretë”, “Vanço Mihajllov” dhe “Car Ferdinandi”, që njihen si “bashkëpunëtorë të Gjermanisë Naziste" dhe “pushtues të territoreve maqedonase”.

Por, edhe Sofja konteston emrin e klubit maqedonas me emrin e ‘’Nikolla Vapcarov’’, duke e konsideruar si figurë nga e kaluara historike bullgare.

SHIKONI EDHE: Shkupi nuk pret ndryshim në politikën e jashtme të Sofjes

Dy shtetet akoma kanë të pazgjidhura çështjet që kanë të bëjnë me të kaluarën historike.

Sofja ka hequr veton ndaj Maqedoninë së Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ka thënë se mund sërish të bllokoj bisedimet nëse realizohet detyrimi me marrëveshjen mes dy vendeve për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën maqedonase.