Qytetarët bullgarë iu drejtuan kutive të votimit më 2 tetor për herë të katërt brenda 18 muajve, në zgjedhjet mes pushtimit rus të Ukrainës, si dhe paqëndrueshmërisë politike dhe vështirësive ekonomike të anëtarit më të varfër të Bashkimit Evropian.
Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, partia bullgare e qendrës së djathtë, GERB, e ish-kryeministrit Boyko Borissov, pritet të dalë fituese.
Rezultatet tregojnë se GERB ka fituar 25.4 për qind të votave, ndërsa rivalja kryesore, partia reformiste, Ne vazhdojmë ndryshimin, e Kiril Petkovit, ka dalë e dyta me 20.2 për qind.
Pesë parti të tjera pritet të fitojnë ulëse në Parlamentin bullgar prej 240 ulësesh.
Partia etnike turke, Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS) e mbështetur nga Turqia me 13.7 për qind; Partia Rilindja, subjekt i ekstremit të djathtë, miqësore ndaj Kremlinit, me 10.2 për qind; Partia Socialiste Bullgare (BSP) me 9,3 për qind; grupi liberal kundër korrupsionit, Bullgaria Demokratike me 7,5 për qind; dhe partia e sapoformuar nacionaliste, Ngritja Bullgare me 4.6 për qind.
Këto zgjedhje u organizuan pasi Qeveria e udhëhequr nga Kiril Petkov, kolapsoi në qershor vetëm gjashtë muaj pas marrjes së mandatit, me largimin e njërit prej partnerëve nga koalicioni qeverisës.
Nëse këto rezultate konfirmohen, mandati për formimin e Qeverisë do t’i jepet 63-vjeçarit Boyko Borissov.
Situata mund të ndërlikohet, pasi shumica e partive politike e kanë përjashtuar tashmë bashkëpunimin me të, pasi tri mandatet paraprake ai qeverisi nën akuzat për korrupsion.
SHIKONI EDHE: GERB prin në zgjedhjet në BullgariRadio Evropa e Lirë foli me Dimitar Bechev, ligjërues në Universitetin e Oxfordit, për qëndrimin e tij për zgjedhjet dhe atë që mund të pasojë.
Radio Evropa e Lirë: Me Borisovin që duket se do të kthehet në pushtet, a ka vdekur reforma në Bullgari?
Dimitar Bechev: Unë mendoj se në periudhë afatshkurtër është e vdekur, shpresoj që jo në periudhë afatmesme dhe afatgjatë. Çfarëdo kabineti që do të dalë përmes kësaj legjistalture, ai nuk do t’i kenë votat për reformat në ekonomi dhe për sundimin e ligjit.
Është gjithashtu e diskutueshme nëse dy protagonistët kryesorë në koalicionin e supozuar – GERB-i i Borisovit dhe Lëvizja për të Drejta dhe Liri – janë të interesuar të ndryshojnë çdo gjë, duke pasur parasysh përfitimet që kanë pasur në më shumë se një dekadë nga status quo-ja.
Pra, edhe nëse ka një qeveri, është e paqartë se çfarë lloj agjende do të ketë. Gjithashtu, subjekti Ne vazhdojmë ndryshimin e Kiril Petkovit nuk pësoi një humbje të madhe siç ishte parashikuar. Ajo fitoi gati një të katërtën e votave dhe është pro-perëndimore në kuptimin e vërtetë të fjalës, kështu që nuk ka humbur gjithçka.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë shanset që këto zgjedhje t'i japin fund destabilitetit politik në Bullgari?
Dimitar Bechev: Do të jetë një koalicion katërpalësh ose një qeveri e pakicës, e cila mund të bjerë dhe ne mund të kemi prapë zgjedhje të tjera. Por, kjo është një thirrje e vështirë, sepse në të kaluarën kemi pasur stabilitet, por stabiliteti nuk ishte asgjë më shumë se një fjalë për korrupsion.
Radio Evropa e Lirë: Si e shpjegon suksesin e GERB-it dhe rënien e mbështetjes së PP-së? Çfarë ndikoi te votuesit?
Dimitar Bechev: Ka disa gjëra që janë kundër PP-së. Para së gjithash, partia GERB është e rrënjosur mirë në shoqëri, veçanërisht në nivel lokal. Dhe, nuk duhet të harrojmë se nga to kontrollon të gjitha qytetet e mëdha. Dhe, si e tillë, GERB ka qasje në burime, rrjete, të cilat gjithmonë funksionojnë në favor të saj gjatë kohës së zgjedhjeve - dhe kjo është një situatë që ekziston për një periudhë më të gjatë kohore.
Së dyti, duket se mediat kryesore ishin pak a shumë miqësore ndaj Borisovit.
Dhe, e fundit, situata në ekonomi me inflacionin që doli jashtë kontrollit shkoi në favor të opozitës.
Pra, nëse i bashkoni të tri këto: mbulimin mediatik, strukturën e partisë dhe thirrjen e Borisovit, si dhe përkeqësimin e situatës ekonomike, duke përfshirë debatin disi histerik rreth çmimeve të gazit, mund të kuptoni pse GERB-i rezultoi mjaft mirë në zgjedhje. Por, përsëri, mund të jetë një fitore e Pirros, sepse krijimi i një koalicioni do të jetë sfidues.
SHIKONI EDHE: Bullgaria mban zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjetRadio Evropa e Lirë: A do ta vendosë rezultati Bullgarinë në një rrugë më pro-ruse, anti-BE? A do të thotë diçka për trajektoren e politikës së jashtme të vendit?
Dimitar Bechev: Unë nuk mendoj kështu. Epo, mund të jetë ndryshe në faktin se Bullgaria nuk do ta shtrijë qafën aq shumë sa qeveria e mëparshme. Siç e mbani mend, Kiril Petkov qëndronte pas dëbimit të 70 diplomatëve rusë dhe personelit të ambasadës. Ishte e paprecedent. Për krahasim, Borisovi refuzoi të merrte veprime pas sulmit të Skripalit të marsit 2018 (kur Rusia u akuzua për helmimin në Angli të një ish-spiuni dhe vajzës së tij, duke nxitur sanksione nga Perëndimi).
Pra, nuk është se qeveria e ardhshme do të vërë veto ndaj ndonjë gjëje ose do të tundë barkën në Bruksel, por mendoj se çfarëdo që do të bëjnë, do të jetë për të shmangur sa më shumë qendrën e vëmendjes.
Radio Evropa e Lirë: Partia e ekstremit të djathtë, Rilindja, e drejtuar nga Kostadin Kostadinov duket se ka dalë mirë në zgjedhje, ndoshta duke dyfishuar numrin e votave të saj nga zgjedhjet e fundit në nëntor. Partia ka një linjë shumë të ashpër kundër BE-së, NATO-s, Uashingtonit? Si e shpjegoni suksesin e saj?
Dimitar Bechev: Epo, partia ka qenë oportuniste para luftës në Ukrainë. Gjithçka kishte të bënte me COVID-in - kundërshtimin e vaksinimit, kundërshtimin e mbajtjes së maskave. Ata kanë përshtatur situatë të re për këtë segment të elektoratit që ka qenë gjithmonë aty. Ata kanë një lider më të ri që është i aftë t'i afrohet këtij elektorati dhe nuk kam dyshim se Rusia e ka ndihmuar atë të përforcojë mesazhin e tij veçanërisht në rrjetet sociale për të maksimizuar shtrirjen e tyre. Por, kjo votë ka qenë gjithmonë aty.
Mos harroni në zgjedhjet presidenciale të vitit 2006, pati një balotazh me një kandidat të ekstremit të djathtë dhe pro-rus, Volen Siderov. Pra, Kostadin Kostadinov është rimishërimi i fundit i këtij lloj fenomeni që ekziston në Bullgari prej shumë kohësh.
SHIKONI EDHE: Kriza politike shtyn Bullgarinë drejt një pike ktheseRadio Evropa e Lirë: Rilindja nuk ishte e vetmja parti pro-Kremlinit. Diku tjetër, pushtimi rus i Ukrainës e ka dëmtuar mbështetjen për Putinin, veçanërisht në mesin e populistëve të krahut të djathtë. Kjo nuk duket se po ndodh në Bullgari. Pse?
Dimitar Bechev: Epo, tradicionalisht ka pasur gjithmonë forca pro-ruse në ish-partinë komuniste, Partinë Socialiste Bullgare, por ka pasur një shkëputje midis lidershipit dhe radhëve. Por, partia është reduktuar në forcën e pestë më të madhe në Bullgari. Sa i përket perceptimeve publike për Rusinë, anketat sociologjike kanë treguar se një e katërta deri në një e treta e elektoratit ka pikëpamje të forta pro-Kremlinit. Me fjalë të tjera, nëse i pyet ata, nëse janë për daljen nga NATO dhe BE, apo për mbajtjen e referendumeve për anëtarësim, ata do të thonë “Po”.
Kjo është pothuajse me të njejtën përqindje me bullgarët properëndimorë. Megjithatë, pjesa më e madhe e bullgarëve janë miqësorë me Rusinë, por ata gjithashtu mbështesin anëtarësimin në NATO dhe BE. Por, ky bllok i fortë është ende atje, dhe ata e votojnë Rilindjen. Pra, nuk është një pamje fikse. Dhe, ju duhet të mbani mend se këto zgjedhje nuk ishin në mënyrë eksplicite për Rusinë e kundër Perëndimit, por kishin të bënin me çështje të brendshme dhe ekonomike.