Bullgaria mban zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet

Një qytetare e Bullgarisë duke votuar në zgjedhjet e përgjithshme.

Qytetarët në Bullgari votojnë më 2 tetor në zgjedhjet e përgjithshme. Këto janë zgjedhjet e katërta në 18 muajt e fundit, në mes të pritjeve se do të prodhojnë një Parlament të fragmentuar dhe bisedimeve të vështira për të formuar një koalicion qeverisës.

Bullgaria, me një popullsi prej afër 7 milionë banorësh, është në krizë politike që nga viti 2020, kur vendi u përball me protesta mbarëkombëtare pas zemërimit të publikut të akumuluar për shumë vite për shkak të korrupsionit. Pjesa më e madhe e zemërimit ishte lidhur me liderin shumëvjeçar Boyko Borisov, dhe partisë së tij Qytetarët për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë (GERB).

Qeveria e fundit, e udhëhequr nga Kiril Petkov, kolapsoi në qershor vetëm gjashtë muaj pasi mori mandatin, pasi njëri prej partnerëve doli nga koalicioni qeverisës. Petkov, që udhëheq partinë pro-referomave, Ne Vazhdojmë Ndryshimin (PP), është përballur me sfida në përmbushjen e zotimeve të tij për të çrrënjosur korrupsionin.

SHIKONI EDHE: Kriza politike shtyn Bullgarinë drejt një pike kthese

Ai po ashtu ka mbështetur Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë. Rusia është një shtet që tradicionalisht ka raporte të mira me Bullgarinë dhe Petkov po ashtu ka akuzuar Kremlinin se ka ndihmuar në orkestrimin e rrëzimit të Qeverisë së tij, pasi Bullgaria refuzoi të paguajë me rubla për gazin rus.

Sondazhet e publikuara një ditë para zgjedhjeve thanë se GERB kishte mbështetjen e 25-26 për qind të votuesve, ndërkaq partia PP e Petkovit kishte mbështetjen e 16.5 për qind të votuesve.

Pritet që deri në tetë parti të kalojnë pragun prej 4 për qind për të fituar ulëse në Parlamentin bullgar prej 240 mandatesh.

Një prej këtyre partive, Rilindja, subjekt i ekstremit të djathtë, sipas sondazheve, mund të fitojë rreth 11 deri në 13 për qind të votave. Kjo parti ka fituar avantazh nga vala e populizmit që ka mbërthyer Evropën – teksa parti të ekstremit të djathtë kanë shënuar fitore në Itali dhe Suedi – në mes të frikës ekonomike dhe pasigurisë që fillimisht u nxit nga pandemia e COVID-19, e më pas edhe nga pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës.

Partia Rilindja ka premtuar se do ta largojë Bullgarinë nga Bashkimi Evropian dhe NATO dhe do të shtyjë përpara politika miqësore me Kremlinin.

Përderisa shumë ekspertë vlerësojnë se retorika anti-Perëndim e partisë Rilindja është përdorur më shumë për fushatë, ata paralajmërojnë për kujdes lidhur me atë se çfarë po bën kjo parti për t’u afruar me Kremlinin.

Qendra e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas kohës lokale dhe do të mbyllen në orën 20:00.