Kiril Petkov zgjidhet kryeministër i Bullgarisë

Kiril Petkov dhe anëtarët e Qeverisë së tij, duke bërë betimin.

Parlamenti i Bullgarisë ka konfirmuar Kiril Petkovin në postin e kryeministrit, pasi partia e tij kundër korrupsionit, Ne vazhdojmë ndryshimin, arriti marrëveshje koalicioni me tri fraksione të tjera.

Në Parlament, 134 ligjvënës votuan për zgjedhjen e Petkovit, ndërkaq 104 vota ishin kundër. Tani parlamenti voton për strukturën dhe kompozicionin e Qeverisë së propozuar.

Kjo është Qeveria e parë e rregullt që prej se Qeveria e kryeministrit, Boyko Borisov u rrëzua në prill, për shkak të zemërimit të publikut lidhur me korrupsionin.

Ne vazhdojmë ndryshimin fitoi në zgjedhjet e mbajtura në nëntor, por dështoi që të siguronte shumicën. Kjo parti, më 10 dhjetor arriti marrëveshje koalicioni me Partinë Socialiste, me partinë Ka një popull të tillë dhe me Demokratët e Bullgarisë, një parti liberale kundër korrupsionit.

Më 11 dhjetor, presidenti bullgar, Rumen Radev, e mandatoi Petkovin për ta formuar Qeverinë e re. Petkov më pas prezantoi emrat e Qeverisë së tij dhe njoftoi se motoja e Qeverisë do të jetë “zero tolerancë kundër korrupsionit”.

Në zgjedhjet e 14 nëntorit, Ne vazhdojmë ndryshimin fitoi 67 ulëse në Parlamentin prej 240 vendesh, ndërkaq partia e ish-kryeministrit Borisov, partia GERB fitoi 59 ulëse.

Edhe pesë parti të tjera kanë hyrë në parlament, përfshirë partinë turke, MRF që ka fituar 34 ulëse, pasuar nga Socialistët me 26 deputetë, pasuar nga Ka një popull të tillë me 25 ulëse dhe Demoraktët me 16 ulëse. Po ashtu, partia pro-ruse, Vazrazhdane ka 13 deputetë.