Kriza e shkaktuar nga pandemia dhe ajo energjetike i kanë dhënë goditje të madhe sektorit të bujqësisë, thonë fermerët në Maqedoninë e Veriut.
Fermerët thonë se këto kriza të njëpasnjëshme kanë bërë që ata të ballafaqohen me çmime të larta të naftës, të plehrave artificiale dhe preparateve të tjera të nevojshme për prodhimet bujqësore, që sipas tyre kanë shënuar rritje prej 100 për qind. Ndërkaq, produktet bujqësore kanë shënuar një rritje prej 10 deri në 15 për qind.
Frosina Georgievska nga Resnja, që gjendet në jug të Maqedonisë së Veriut – rajon ku 90 për qind e popullatës siguron mbijetesën nga prodhimi i mollëve – thotë për Radion Evropa e Lirë se prodhimi i mollëve dhe kumbullave, që kultivon familja e saj, vetëm brenda vitit ka tejkaluar dyfishin e shpenzimeve.
“Nga viti i kaluar e deri më tani harxhimet për prodhimin e mollëve janë rritur dyfish. Këtu përfshihet nafta, rryma dhe fuqia punëtore. Ndërkohë që çmimi i mollëve brenda dhjetë vjetëve të fundit pothuajse nuk ka ndryshuar fare. Ne si prodhues të mollëve nuk mund t’i mbulojmë as shpenzimet bazë e jo më të flasim për investime në pajisje bujqësore, në përputhje me standardet bashkëkohore, pasi kjo është e pamundur”, thotë Georgievska.
Georgievska thotë se problemi më i madh qëndron se ka një konkurrencë jo të drejtë në sektorin e bujqësisë.
“Ne nuk kemi politikë të mirëfilltë agrare, që do t’i mbronte bujqit, të cilët ekzistencën e sigurojnë përmes bujqësisë”, thotë ajo.
SHIKONI EDHE:
Bujqit maqedonas kërkojnë rregullimin e çmimit të gruritMaqedonia e Veriut nuk i plotëson kërkesat e saj për grurëNdërkaq, Ministria e Bujqësisë që disa vjet ndan grante nga 10 deri në 20 mijë euro për bujqit e rinj, me qëllim që të nxisë zhvillimin e bujqësisë dhe punimin e tokës bujqësore.
Nga ky institucion thonë se më shumë se 1 mijë bujq të rinj kanë përfituar nga grantet dhe subvencionet që ndajnë.
Por, me këtë fakt nuk pajtohet Mehmet Sinani, bujk nga Tetova. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se ka mungesë të punëtorëve në bujqësi, pasi sipas tij, të rinjtë kanë ikur jashtë vendit për të punuar në sektorin e bujqësisë, pasi në shtetet evropiane kanë të kushte më të mira.
“Pse ikin të rinjtë në vendet evropiane për të punuar po në bujqësi? Për shkak se kur vjen data 1 e çdo muaji, ata marrin rrogë. Pra, e kanë rrogën e sigurt, pavarësisht sesa është ajo. Pastaj kanë të garantuar sigurimin social dhe janë të siguruar në vendin e punës nga çfarëdolloj fatkeqësie. Te ne nuk kemi sigurim pune në bujqësi”, thotë Sinani.
Ndryshe, analizat e bëra nga Federata e Fermerëve në Maqedoninë e Veriut kanë nxjerrë në pah se gjatë pesë vjetëve të fundit ka pasur rritje të varfërisë te familjet që merren me bujqësi, përkatësisht të familjeve që jetojnë në zonat rurale.
SHIKONI EDHE: Orientimi në prodhim eviton pasojat e krizës ekonomikeNga kjo federatë thotë se varfëria në mesin e bujqve do të ndikojë që të ketë shpërngulje të mëtejme të popullsisë nga viset rurale.
“Dua të apeloj se nevojitet një angazhim më i madh në drejtim të sigurimit të ushqimit, vlerësimit të punës së fermerëve dhe popullsisë e cila angazhohet në punë në viset rurale”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Vaska Mojsovska kryetare e Federatës së Fermerëve në Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave të fundit zyrtare, që janë të vitit 2020, Maqedonia e Veriut ka pasur 1 milion e 265 mijë hektarë tokë bujqësore, ku prej tyre 517 mijë hektarë po këtë vit u shfrytëzuan si tokë e punueshme për kultivimin e prodhimeve bujqësore, ndërkaq pjesa tjetër u shfrytëzua për kullota.