Refugjatëve ukrainas do t’iu mundësohet të jetojnë në Bashkimin Evropian pa aplikuar për azil deri në mars të vitit 2025, sipas planeve të publikuara nga Komisioni Evropian të martën.
“Ne u qëndrojmë mbrapa fjalëve tona. Ne i kemi mbrojtur ata që kanë pasur nevojë prej ditëve të para të pushtimit rus në Ukrainë dhe do të vazhdojmë kështu për aq sa të ketë nevojë”, ka thënë Komisionarja e BE-së për Punë të Brendshme, Ylva Johansson, përmes një deklarate.
Ukrainasit që i kanë ikur luftës janë përjashtuar nga procedurat e shumta për azil, të cilat i zbatojnë vendet anëtare të BE-së.
Ata kanë qasje tani në përfitime shëndetësore, leje pune, edukim dhe strehim.
Shtetet e BE-së i kanë pezulluar fillimisht rregullat e azilit për ukrainasit, menjëherë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
SHIKONI EDHE: Çfarë do të thotë për Ukrainën adresimi vjetor i shefes së BE-së?Katër milionë ukrainas janë strehuar në bllokun evropian prej nisjes së luftës, ka thënë Komisioni Evropian.
“Kjo ka ndihmuar në krijimin e një ndjesie të normalitetit, pavarësisht kohës së luftës. BE-ja do të vazhdojë të punojë me vendet anëtare dhe partnerë tjerë, për t’u siguruar që do të mbrohen ata që kanë nevojë”, ka thënë Johansson.
Vendimi për përjashtimin e tyre nga ky rregull skadon të mars të vitit 2024. Vendet anëtare duhet ta miratojnë vazhdimin e rregullit të ri edhe për një vit.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.