Britania sanksionon grupe dhe individë izraelitë për dhunën në Bregun Perëndimor

Një grua palestineze reagon ndaj dëmeve të shkaktuara nga një sulm izraelit në kampin Nur Shams, në Tulkarm, në Bregun e uzurpuar Perëndimor, 21 prill 2024.

Britania e Madhe ka vendosur sanksione të premten ndaj dy grupeve “ekstremiste” dhe kundër katër individëve në Izrael, të cilët i fajëson për dhunë në Bregun e uzurpuar Perëndimor.

Kjo është pakoja më e re e masave britanike kundër kolonëve izraelitë.

Ministria e Jashtme e Britanisë tha se grupet Hilltop Youth dhe Lehava e kanë mbështetur, nxitur dhe promovuar dhunën kundër komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor.

Katër individët e sanksionuar janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut kundër këtyre komuniteteve, sipas Ministrisë britanike.

SHIKONI EDHE: Të paktën 14 palestinezë të vrarë në Bregun Perëndimor

Në mesin e tyre janë Noam Federman, i cili i ka stërvitur grupet e kolonëve për kryerjen e dhunës, dhe Elisha Yered, i cili e ka arsyetuar vrasjen e palestinezëve për arsye fetare.

Dhuna në Bregun Perëndimor ka qenë duke u rritur edhe para se Izraeli ta niste luftën në Rripin e Gazës, e cila u nxit nga një sulm në jug të Izraelit më 7 tetor prej Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Por, dhuna është përshkallëzuar prej atëherë, për shkak të rritjes së sulmeve të ushtrisë izraelite, dhunës së kolonëve dhe sulmeve palestineze nëpër rrugë.

SHIKONI EDHE: Britania e Madhe sanksionon kolonë izraelitë në Bregun Perëndimor

Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se kolonët ekstremistë janë duke e minuar sigurinë dhe stabilitetin, si dhe janë kërcënim për shpresat për paqe.

“Autoritetet izraelite duhet patjetër t’i mbajë përgjegjës ata. Britania e Madhe nuk do të ngurrojë të ndërmarrë veprime të mëtejshme, nëse është e nevojshme, përfshirë duk vendosur sanksione shtesë”, shtoi ai.

Të sanksionuarit përballen me kufizime financiare dhe në udhëtim. Në shkurt, Britania vendosi sanksione kundër katër shtetasve izraelitë.