Mbretëria e Bashkuar sanksionon Bjellorusinë për luftën në Ukrainë

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss.

Mbretëria e Bashkuara ka njoftuar se ka vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë për rolin e saj në pushtimin e Ukrainës, njoftoi Qeveria britanike të martën.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, tha se sanksionet shënjestrojnë individë dhe organizata për shkak të rolit që shteti ka luajtur në pushtimin rus të Ukrainës.

“Regjimi i [liderit autoritar bjellorus, Alyaksandr] Lukashenkas në mënyrë aktive ndihmon pushtimin ilegal të Rusisë dhe ai do të përjetojë pasoja ekonomike për mbështetjen e [presidentit rus, Vladimir] Putin”, tha Truss.

Rusia ka përdorur territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt. Lukashenka ka thënë se shteti i tij nuk do t'i bashkohet pushtimit të Ukrainës.

Mbretëria e Bashkuar veçse ka vendosur sanksione ekonomike ndaj zyrtarëve dhe individëve rusë, për përfshirjen e tyre në pushtimin e Ukrainës.

Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.