Britania miraton vaksinën kundër koronavirusit dhe varianteve të tij

Vaksinë kundër koronavirusit.

Mbretëria e Bashkuar është bërë shteti i parë që ka miratuar vaksinën e cila shënjestron variantin origjinal të koronavirusit, si dhe variantin e ri Omicron.

Vaksina e re do të jetë e qasshme si dozë përforcuese në vjeshtë, ashtu që banorët të kenë mbrojtje shtesë kundër varianteve të këtij virusi.

Kompania Moderna – që ka krijuar këtë vaksinë – ka thënë se do të nisë shpërndarjen e dozave në javët në vijim, ndonëse ende nuk dihet saktë se kush do t’i marrë.

Eksperimenti me 437 njerëz ka treguar se vaksina e re është e sigurt dhe ofron mbrojtje më të madhe ndaj varianteve të reja.

SHIKONI EDHE: Studimet e reja: Tregu i kafshëve ishte origjinë e COVID-19

Vaksinat origjinale, që janë përdorur pas shpërthimit të pandemisë, kanë qenë të dizajnuara që të mësojnë trupin si ta luftojë virusin.

Prej atëherë koronavirusit i janë krijuar mutacione dhe variantet e reja kanë rezultuar më rezistente ndaj vaksinave.

Moderna nuk është kompania e vetme që ka ndryshuar formulën e vaksinave kundër koronavirusit.

Edhe kompania tjetër amerikane, Pfizer është duke zhvilluar vaksina që shënjestrojnë variantin Omicron.

Për koronavirusin e ri, që shkakton sëmundjen COVID-19, është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Deri më tani janë regjistruar mbi 6 milionë njerëz të vdekur me këtë virus.