Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka thënë të mërkurën para Parlamentit se bota është duke shikuar nëse veprat e talibanëve përputhen me fjalët e tyre, pasi militantët janë zotuar se nuk do të hakmerren ndaj kundërshtarëve dhe do të respektojnë të drejtat e grave, përmes një regjimi “ndryshe” nga ai i dy dekadave më parë.
“Ne do ta gjykojmë këtë regjim duke u bazuar në zgjedhjet që bën dhe nga veprimet, e jo nga fjalët, do ta gjykojmë nga qëndrimi ndaj terrorizmit, krimeve, narkotikëve dhe qasjes humanitare, si dhe për të drejtat e vajzave që të edukohen”, ka thënë Johnson para Parlamentit, i cili është rikthyer nga pushimi i verës për të diskutuar situatën në Afganistan.
Johnson ka thënë se Qeveria britanike ka evakuuar më shumë se 2,000 afganë nga Afganistani prej kur talibanët kanë fituar kontrollin e Kabulit më 15 gusht.
Ai ka thënë se zyrtarët do të punojnë për të bashkuar komunitetin ndërkombëtar që të ketë plan për t’u përballur me militanët.
“Deri më tani kemi garantuar kthim të sigurt për 306 shtetas britanikë dhe 2,052 shtetas afganë, në kuadër të programit për shpërngulje”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe 2,000 aplikacione tjera afgane janë kompletuar dhe “shumë të tjera” janë duke u analizuar.
SHIKONI EDHE: Mbretëria e Bashkuar do të pranojë 20.000 afganëTalibanët: Nuk duam armiq të huaj
Talibanët kanë mbajtur të martën konferencën e parë zyrtare për media në Kabul, prej kur kanë marrë kontrollin e Afganistanit.
Ata kanë thënë se dëshirojnë marrëdhënie paqësore me vendet tjera dhe se do të respektojnë të drejtat e grave sipas kornizës së ligjit islamik.
“Ne nuk duam armiq të brendshëm apo të jashtëm”, ka thënë zëdhënësi kryesor i talibanëve, Zabihullah Mujahid.
Ai ka thënë se gratë do të lejohen të punojnë dhe të studiojnë dhe "do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda rregullave që përcakton Islami”.
“Ne kemi të drejtë të veprojmë në përputhje me parimet tona fetare. Shtetet tjera kanë qasje, rregulla dhe rregullore tjera.. afganët kanë të drejtë të kenë të drejtat e tyre në përputhje me vlerat e tyre”, ka thënë ai.
“Ne jemi të përkushtuar për të drejtat e grave sipas ligjit islamik”, ka thënë Mujahid.
“Ato do të punojnë afër nesh. Ne duam ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar se nuk do të ketë diskriminim”.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg paralajmëron talibanët të mos kthejnë Afganistanin në strehë për terroristëZëdhënësi i talibanëve ka thënë përgjatë konferencës se toka e Afganistanit nuk do të përdoret kundër askujt, kur është pyetur nëse ka rrezik të strehimit të luftëtarëve të Al-Kaidës.
“Ne mund ta sigurojmë komunitetin ndërkombëtar për këtë gjë”, ka thënë ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka paralajmëruar talibanët se aleanca nuk do të lejojë që Afganistani të bëhet strehë për terrorizëm, pasi militantët kanë marrë pushtetin në fundjavë.
“Ata që tani marrin pushtetin, kanë përgjegjësi për të siguruar se terroristët ndërkombëtarë të mos fitojnë terren”, ka thënë Stoltenberg në një konferencë për media në Bruksel më 17 gusht.
Talibanët kanë pretenduar fitore më 15 gusht, pasi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit, Kabulit, pas gati 20 vjetëve të dhënies fund të prezencës ushtarake të forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.